Nga Camp Nou në Bernabeu, protestat në Barcelonë mund të zhvendosin klasiken me Realin

461
Sigal

Organizatorët e La Ligës, kampionatit spanjoll të futbollit, kanë kërkuar që klasikja Barcelona-Real Madrid, e parashikuar për t’u luajtur në Camp Nou më 26 tetor, të zhvendoset në Bernabeu. Shkak për këtë kërkesë janë bërë protestat e shumta që kanë trazuar së fundmi rajonin e Katalonjës.

Sipas BBC kërkesa e La Ligës nuk i është drejtaur as Barcelonës dhe as Realit të Madridit, por direkt Federatës Spanjolle të Futbollit. Rregullorja parashikon që të dyja klubet të pyeten për këtë çështje dhe më pas të merret një vendim.

Katalonja – që përfshinë Barcelonën, Lleidan, Tarragonan dhe Gironan – ka status gjysmë-autonom brenda shtetit spanjoll. Katalanasit dallojnë nga spanjollët, prej gjuhës, zakoneve dhe flamurit, ndasi këto prej rreth 1 mijë vitesh.

Protestat nisën të hënën pasi 9 liderë të lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës u dënuan deri në 13 vite burg.

Më 1 tetor 2017 ata mbajtën një referendum për pavarësimin nga Spanja, por ky referendum u konsiderua i jashtëligjshëm nga Madridi, që shpalli në kërkim organizatorët kryesor të saj.

Klubi i futbollit të Barcelonës është mbështetëse e lëvizjes për pavarësi dhe ndeshja e radhës me Realin e Madridit mund të bëhet shkak për të përshkallëzuar më tej protestat me incidente të mundshme edhe në stadium.

Vetë klubi i Barcelonës mbajti një qëndrim të hapur politik kundër vendimeve të Gjykatës së Lartë të hënën. Në një deklaratë për shtyp katalanasit i kërkuan politikanëve kryesorë në Spanjë që “të zgjidhin me dialog këtë konflikt” dhe “të lirojnë çdo të arrestuar”.