Nga Agron KAJA/ Na gjeni një trajner që di të drejtojë në transfertë!

508
Sigal

Kombëtarja mbajti “traditën” në Zvicër, bankina eksperimentoi humbjen

Kombëtarja jonë i mbylli dy ndeshjet e para eliminatore për Botërorin “Brazil 2014” dhe si zakonisht në traditën e saj, në ndeshjet në transfertë ajo tregoi dobësitë e radhës. Pritej një fytyrë ndryshe në përballjen me Zvicrën, aq sa mijëra shqiptarë anë e mbanë Europës kishin “pushtuar” në maxhorancë stadiumin e Luçernës, në kërkim të një Kombëtareje që t’u jepte sadopak një ndeshje të mirë, pse jo edhe ndonjë rezultat pozitiv. Kjo nuk ndodhi, madje u zhgënjyem, zhgënjim i  cili duhet të kalojë nga disa rrugë që e stimuluan të ishte i tillë. Ndoshta së pari, kjo duhet të kalojë te përgjegjësia përgatitore, teknike dhe menaxhuese e trajnerit De Biazi, personi që nuk duhet ta kalojë lehtë ndaj vetes këtë dështim. Jo se nuk pritej të ishte një fitore e skuadrës helvete, por, për nga mënyra se si u shtri skuadra jonë në fushë, për nga psikologjia që u përgatit kjo ndeshje, të gjitha përgjegjësitë të çojnë tek trajneri dhe stafi i tij teknik. Krahasuar me ndeshjen e parë kundër Qipros, në fushë pati ndryshime të çuditshme në mesfushë dhe në sulm, që do të thotë se nga ndeshja në ndeshje De Biazi do të bëjë eksperimente pas eksperimentesh, deri sa t’i dalë “horoskopi” i tij. Por, marshi “indietro” ka filluar tashmë dhe ku do të na çojnë këto lëvizje pa ide të qarta e çfarë do të përfitojë Shqipëria prej tyre? Këtë ndoshta italiani e ka në mendjen e tij, por unë them se ai akoma nuk i ka të qarta vlerat e futbollistëve që ka në dispozicion, e nga ana tjetër, e ka të vështirë që vlerat e tyre t’i përshtatë me vendosjen që duhet t’u bëjë në fushën e lojës. Së dyti, mbrojtja jonë u bë një “tunel me dritë” për të kaluar lehtë zviceranët, që në disa raste na kanë falur sikur ishim duke kërkuar mëshirë. U pompuan shumë Cana e Mavraj si liderë e “postblloqe” në repartin difensiv, po ja që në qendër të mbrojtjes u çamë në rastin e golit të parë, si edhe nga një mbrojtës u shkaktua penalltia që solli golin e dytë. Atëherë, çfarë duhet thënë për De Biazin në përgatitjet e tij për këtë repart, ka vepruar mirë? Edhe shqiptari më i paditur për futbollin, por që e ka parë këtë ndeshje, e ka të lehtë ta dallojë amatorizmin teknik në fushë, jashtë patriotizmit të lojtarëve tanë në këtë përballje. Dhe duke ndalur tek patriotizmi shqiptar, këtu ndoshta ishte edhe defekti i tretë i trajnerit tonë, i cili në këtë aspekt duhet të kishte punuar më shumë me lojtarët, sidomos me ata që kanë origjinë kosovare. Pse? Sepse në skuadrën e Zvicrës ishin 4-5 futbollistë me të njëjtën origjinë dhe kjo më shumë ishte edhe një sfidë mes tyre, se sa një sfidë e Zvicrës ndaj Shqipërisë. Kosovarët e Kombëtares sonë ndoshta kanë pritur që të tolerohej prej kosovarëve të Zvicrës, e ky ka qenë një faktor minus në fushë, aq sa Xhaka në rastin e golit të tretë tregoi se nga mbrojtja do të kemi shumë të papritura gjatë këtyre eliminatoreve. Gjithsesi, duke e kaluar këtë repart, nuk duhet harruar se mesfusha jonë në ndeshjen ndaj Zvicrës do mbahet mend vetëm për dy gjuajtjet që bënë Bulku dhe Meha, ndërsa sulmi vetëm për “shëtitjet” që sulmuesit u bënë fanellave të tyre në fushën e lojës. Kjo ishte  Se, në fund të fundit, këtë humbje nuk duhet që t’ua faturojmë shqiptarëve të Zvicrës, sepse ata bënë detyrën e tyre si profesionistë. Shqipëria nuk pati kontratë me ta për të bërë “karagjozët patriotë”, dhe kjo nuk mund të ndodhte kurrsesi, sikundër edhe u pa në fushën e lojës, ndërsa trajneri ynë këtë e ngatërroi me fatin e munguar. Atëherë, a nuk na duhet një trajner që të dijë ta drejtojë skuadrën tonë mirë në transfertë. Janë edhe 8 ndeshje të tjera për t’u luajtur në kuadrin e këtyre eliminatoreve, 4 prej të cilave janë në transfertë: Slloveni, Islandë, Qipro e Norvegji, në dukje, ndeshje më të vështira se sa me Zvicrën. Në të kundërt, nëse do të dështojmë edhe me to, atëherë edhe trajneri De Biazi mund të quhet “saldatori i radhës” i Kombëtares sonë, sa i përket pozicioneve që skuadra jonë do të ketë në renditjet e grupeve eliminatore. Prandaj Shqipërisë i duhet një trajner guximtar dhe i zgjuar, që të dijë ta drejtojë mirë atë edhe në transfertë. Kualitetet tashmë i kemi!