Nga Agron KAJA / Goditet rëndë futbolli, trajnerët “Versaçe” pa etiketë

536
Sigal

VËZHGIM/ Javë e “çmendur” ndaj bankinave, largohen tre teknikë të Superiores

Vazhdon loja me “kungulleshka” në përgjegjësinë e rezultateve negative që kalojnë skuadrat, por që si zakonisht viktima të këtyre përgjegjësive mbeten vetëm bankinat (trajnerët). Nëse ka një pozicion në futboll ku mund të shkruash më shpesh, natyrisht është ai i trajnerit, jo vetëm për atë çka ata “gatuajnë” në stërvitje dhe në ndeshje, por për faktin kryesor, se ata janë “kurbanët” më të lirë për t’i vënë, apo edhe për t’i hequr nga ky post. Këtë dukuri e zbardhi edhe më shumë java e 8-të e Kategorisë Superiore, e cila veç motit të rënduar në të cilin u zhvillua, pati edhe një “rebesh” në bankina, ku tre trajnerë u larguan nga posti i tyre, që si për koeçidencë, të dy prej tyre vijnë nga shkolla bardheblu e futbollit. Bëhet fjalë për Artur Lekbellon e Tiranës, Nevil Deden e Luftëtarit, e më pas Ernest Gjoka i Apolonisë, të cilëve po u vinte “miza vërdallë” prej disa javësh, ndërsa në ndeshjet e radhës u pa se “majaja” që ata u kishin hedhur skuadrave të tyre në periudhat që i drejtuan në këtë sezon doli e thartuar. Këta tre “viktima” u detyruan të japin dorëheqjen, të tre pas humbjeve që pësuan skuadrat e tyre. Nuk kishte ku të shkonte më , “pilafi nuk mbante më ujë” dhe “zbydhja” nga bankinat mbetej alternativa e vetme ku dështimet duhet të “varin kostumin” e tyre të zhubrosur. Nga ana tjetër, as që nuk merret fare parasysh fakti tjetër, që “mielli” i situr nga bashkitë respektive me statusin e presidencës gjatë merkatos së verës, ndoshta ka qenë prodhim skarco e teknikët nuk mund të jepnin “prodhim” më cilësor se sa kaq. Kësisoj, futbolli ka marrë një goditje të fortë, pasojat e së cilës do t’i ndjenjë këto skuadra gjatë vazhdimësisë së sezonit. Kjo është gjendja në atë pozicion delikat, i cili në futbollin shqiptar po bëhet si një minë me sahat e telekomanduar nga zyrat e krybashkiakëve, apo edhe të presidentëve të skuadrave. Lojë kungulleshkash dhe lojë bajate, e cila në dekadën e fundit të futbollit tonë po bëhet një “Versaçe” e shpifur në tregun “bllof”, por si mund ta shohësh këtë figurë në këndvështrime elementesh përbërës së detyrës së tyre? Së pari, duhet zhdukur forma se si përzgjidhen këta trajnerë, formë të cilën e bëjnë rëndom presidentët e skuadrave në bashkëpunim me drejtuesit e klubeve, të cilët nisur ndoshta nga emri i një trajneri, apo nisur edhe nga tarafe të tjera, vendosin në bankinën e skuadrës së tyre një trajner që atyre ju pëlqen për arsye se aty shohin objektivat e tyre. “Pazaret” bëhen me xhentilesë dhe kortezira, ndërsa kriteret që duhet të plotësojë ky trajner, shpesh janë pika e fundit e këtyre marrëveshjeve. Kjo është forma e përzgjedhjes së trajnerëve, kuptohet jo për të gjithë, ndërsa më pas vjen faza tjetër, sa ata japin në krye të skuadrave. Këtu nis edhe çarja, sepse ka edhe zëra të fortë “kompetentësh” që fryjnë në veshët shurdhër të presidentëve, të cilët për shumë arsye, kur skuadra humbet apo kalon një moment të dobët, ata “vërshëllejnë” për të ndëshkuar trajnerin. Kjo është e keqja më “debile” nga ana profesionale që i ndëshkon pjesën më të madhe të trajnerëve. Sepse ka edhe një tjetër të tillë, ku në mbi 60% formacionin e bën presidenti i skuadrës. Kjo është shumë e saktë dhe kujt trajner i djeg, ndoshta mundet edhe t’i japim më konkretisht ndeshjen, formacionin e presidentit të tij, dhe rezultatin ndryshe nga sa mundet të arrihej. Pra, në të tilla situata trajnerët dalin si “manikinë” që vetëm në stërvitje janë të parët me skuadrën, ndërsa në vendimmarrjet e tjera janë vetëm zbatues të porosive nga lart. Pse s’flasin kur kanë të tilla situata? Vetëm kur shkarkohen,  trajnerët ose do mërmëritin nëpër dhëmbë ndonjë shprehje që askujt nuk i vlen, ose shfajësohen duke thënë se e kanë bërë punën e tyre. Por që të dalë sikur edhe njëri dhe të demaskojë ato fakte pas kuintave, askujt nuk ia mban. Frika e mosfoljes shkon deri aty, pasi pjesa më e madhe e trajnerëve në Superiore nuk kanë kontrata të rregullta me presidentët e skuadrave, duke punuar më shumë në të zezë. Prandaj, duke qënë ata informalë, edhe prodhimtaria e tyre do të jetë në këtë situatë, gjë që po e shohim nga sezoni në sezon. Asnjë trajner nuk ka bërë qytetarinë që, kur ka dështuar në një skuadër të deklarojë fajësinë e tij profesionale dhe dëmin që i ka shkaktuar skuadrës dhe drejtuesit që ka shpenzuar milionat. Të thuash vetëm se “…jap dorëheqjen e parevokueshme se kështu është në të mirën e skuadrës”, ky refren nuk është bindës edhe për një maturant që luan futboll. Sepse edhe dorëheqja e ka një shkak që duhet bërë publik, dhe që së pari duhet të jetë profesional, më pas financiar apo moral. Ky është tregu në pjesën më të madhe të trajnerëve në Superiore, treg i cili po i jep futbolli shumë goditje të parregullta, ndërsa kartonët për ndëshkimin e tyre janë të fshehur në macetat e “ekzekutorëve”. Mos e beso po deshe, kjo është situata: Në 8 javë, gjashtë skuadra i kanë ndërruar trajnerët në më shumë se një here! Futbolli është goditur nga, trajnerët e tipit “Versaçe”, por pa një etiketë morale e profesionale.