Nevil Dede: “Me mua Tirana nis një epokë të re”

577
Sigal

Bardhelutë prezantojnë trajnerin e katërt sezonal. Më parë drejtuan spanjolli Rubio, Lekbello dhe Tafaj

Nevil Dede zyrtarizohet si trajner i ri i Tiranës, duke qenë tekniku i katërt sezonal në stolin e 24 herë kampionëve, pas spanjollit Hulian Rubio ai që e përgatiti skuadrën për Ligën e Europës (kaloi një tur) dhe fitoi Superkupën e Shqipërisë, Alban Tafajt (dy herë në drejtim) dhe Artur Lekbellos. Nevil Dede kthehet te skuadra bardheblu pas dy vitesh, duke marrë postin e lënë bosh nga Alban Tafaj. Ky i fundit u largua nga bankina pas humbjes kundër Shkumbinit, ndërsa tani do të vazhdojë detyrën vetëm si drejtor teknik. “Kthehem në shtëpi. E rëndësishme është të marrim maksimumin e mundshëm në këtë kampionat që ne po zhvillojmë. Maksimumi i mundshëm mund të jetë edhe diçka që është shumë e vështirë për t’u arritur, por zona UEFA është diçka që mund të arrihet”- tha Dede. Ndeshja e parë e Nevil Dedes në stolin e Tiranës do të jetë ajo kundër Teutës se vendit të dytë, kjo e fundit ka aktualisht katër pikë më shumë se bardheblutë. Dede synon ta nisë me fitore debutimin e tij.

 ATMOSFERË POZITIVE – “Le të shpresojmë që me afrimin e Dedes do të kemi një atmosferë pozitive dhe të mund të arrijmë objektivat sezonalë. Siç e dini Tirana do të rivalizojë për titull deri në fund dhe do kërkojmë me patjetër që të kapim Kupat e Europës, çka nënkupton vendin e dytë në renditje. Sot gjej rastin të prezantoj një figurë të vjetër të klubit tonë dhe shpresoj që me eksperiencën, dëshirën dhe vullnetin e tij, gjithnjë duke pasur dhe mbështetjen tonë të padiskutueshme, të ecim përpara për të kapur maksimumin e këtij sezoni”, – dhe administratori i Tiranës, Salih Tagani. “Kam shumë uri për të fituar me këtë skuadër. Ndërsa, më shumë se kaq, dua që të kthej në stadium tifozët bardheblu, të cilët me të drejtë e kanë braktisur disi për shkak të lojës jo shumë të mirë që ka prodhuar ekipi. Ndaj edhe thashë më lart se projekti im do të jetë afatgjatë. Besoj se do startojmë me një epokë të re, ku Tirana do zërë vendin që meriton në futbollin shqiptar. Situata te Tirana nuk është ndër më të mirat, çka duhet ta pranojmë të gjithë. Pas humbjes në Peqin ka edhe një lloj mosbesimi të vetëkuptueshëm, ndaj puna ime do nisë më së pari duke rikthyer besimin te lojtarët. Sigurisht që klubi kërkon Kupat e Europës dhe unë do punoj për këtë gjë, porse duhet të shikojmë vijueshmërinë nga ndeshja në ndeshje dhe më pas të bëjmë edhe analizat e duhura. Një pjesë të mirë të lojtarëve i njoh, pasi i kam drejtuar edhe pak kohë më parë. Them se Tirana ka një organikë të mirë dhe të shëndetshme, ndaj nuk ka arsye se përse nuk duhet të besojmë se Europa është e arritshme”, – tha Dede gjatë prezantimit zyrtar.

 HERA E TRETË – Për Nevil Deden, një ish-lojtar i Tiranës dhe i Elbasanit, por dhe i Kombëtares, kjo është hera e tretë që do të ulet në bankinën bardheblu, fanellë me të cilën ai ka dalë tetë herë kampion si lojtar. Nevil Dede e ka nisur karrierën e tij si trajner te Tirana në 2009-ën. Kur ishte ende një lojtar i organikës së kësaj skuadre, Dede pranoi që të ulej në stol së bashku me Devi Mukën. Mirëpo, duke qenë se nuk gjeti akordin me ish-presidentin Halili, nuk qëndroi në stol për veçse një ndeshje. Më pas ai shkoi te Skënderbeu si zëvendëstrajner, para se të thirrej sërish nga Halili në tetor 2010- ës për të marrë drejtimin e Tiranës, kur drejtuesit bardheblu larguan nga stoli Sulejman Starovën. Deri në atë kohë Dede ishte në rolin e zëvendëstrajnerit të Skënderbeut (në kohën kur drejtonte Shkëlqim Muça), por ish-presidenti Halili e kërkoi dhe e emëroi në krye të Tiranës. Gjithsesi, aventura e Dedes do të përfundonte shumë shpejt. Në shkurt të 2011-ës, pas barazimit pa gola në “Selman Starmasi” ndaj Besës së Kavajës, Nevil Dede mori shkarkimin nga detyra. Në sezonin 2011-2012, ai e kishte nisur punën si trajner i Laçit, por rezistoi te skuadra kurbinase deri në javën e 12-të.  Por, për shkak të dënimit të klubit pas dhunës ndaj arbitrit Jemini, Dede dha dorëheqjen për të marrë në janar 2012 Luftëtarin.

 LARGIMI NGA LUFTËTARI – Nevil Dede u preferua nga presidenti Flamur Bime, për të drejtuar Luftëtarin, kur skuadra gjirokastrite ndodhej në Kategorinë e Parë, dhe ishte shpallur “kampione e dimirit”. Dede e mori në dorëzim Luftëtarin, më 8 janar 2012, duke pasuar në bankinë vendasin Mustafa Hysi. Ish-kapiteni i Tiranës dhe i Elbasanit ia doli ta nxjerrë kampion skuadrën dhe t’i rikthentë bluzinjtë në elitën e futbollit shqiptar, pas një mungese prej pësë sezonesh (nga 2006-2007). I njohur për grintën që, “mbrojtësi i hekurt” transmetonte te lojtarët, ai zgjati kontratë me Luftëtarin edhe për sezonin 2012-2013. Pas një fillimi të pëlqyeshëm, ku spikat fitorja 4-1 ndaj Teutës (në javën e 2-të), skuadra pësoi pesë humbje në tetë javë, çka ia komplikuan situatën trajnerit tiranas. Më 28 tetor 2012, Nevil Dede dha dorëheqjen e parevokueshme nga stoli i Luftëtarit. Gjithçka erdhi si pasojë e humbjes 2-3 me Flamurtarin në Gjirokastër (për javën e 8-të), çka ishte dhe humbja e tretë rresht në shtëpi. Në fakt, Dede, dha dorëheqjen edhe pas humbjes 2-0 me Besën e Kavajës (java e 6-të, 7 tetor 2012), po në Gjirokastër, por këmbëngulja e presidentit Flamur Bime (kryetarit të Bashkisë), ia mbushi mendjen për të mbërritur sërish në qytetin e “gurtë”. Dy javë më pas, erdhi dorëheqja e parevokueshme.

 NEVIL DEDE

 Karriera si lojtar

1994-2004 KF Tirana 255 (24),

2005-2006 Elbasani 68 (11),

2006-2007 KF Tirana 44 (6)

2008 Changsha (Kinë) 25 (0)

2008-2009 Elbasani 8 (0)

KARRIERA SI TRAJNER

Sezoni 2008-2009:                              Tirana (1 nd)

Zv.tr. gusht-tetor 2010 Skënderbeu

Tetor 2010-shkurt 2011:         Tirana

Gusht-Dhjetor 2011:               Laçi

Janar 2012-tetor 2012: Luftëtari

 Vendi i katërt

Tirana e drejtuar nga Alban Tafaji dhe Artur Lekbello, pas 15 javësh është në vend të katërt me 25 pikë (7 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje) duke pasur përpara tri skuadra, të cilat pretendojnë të fitojnë trofe ose pjesëmarrjen në Kupat e Europës: Skënderbeu, Teuta dhe Flamurtari. Tirana ka shënuar vetëm 15 gola, duke pësuar 10 të tillë.

 Katër trajnerë

 Tirana gjatë këtij sezoni ka parë katër trajnerë këtë sezon. Ishte Hulian Rubio ai që e përgatiti skuadrën për Ligën e Europës (kaloi një tur) dhe fitoi Superkupën e Shqipërisë. Spanjolli nuk e rinovoi kontratën dhe ekipin e mori Alban Tafaj, ky i fundit ia dorëzoi Artur Lekbellos, përpara se ta rimerrte sërish. Dede është trajneri i katërt.

 Përparim Daiu, trajneri i ri i Besës

 Përparim Daiu u prezantua si trajneri i ri i i Besës, duke pasur në këtë post Ilir Dajën, e vetëdorëhequr (apo të shkarkuar nga presidenti Bizhdili), pas humbjes 1-0 me Tomorin në Berat. Për kavajasin Daiu, një ish-lojtar të Besës dhe të Partizanit, por dhe një numri ekipesh, është një rikthim në shtëpi. Daiu e ka drejtuar skuadrën e qytetit të tij edhe dy herë të tjera. Ish-mbrojtësi i fuqishëm i Kombëtares ka drejtuar si trajner gjashtë skuadra midis Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë: Besën, Laçin, Shkumbinin, Tomorin, Kamzën dhe Ilirinë. Besa po kalon një moment të vështirë në kampionat dhe aktualisht ndodhet në vendin e 10-të me 16 pikë pas 15 ndeshjesh (4 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje), duke pasur vetëm një pikë më shumë sesa Shkumbini i vendit të 11-të (pozicion që të rrëzon direkt në Kategorinë e Parë). Pikërisht, kundër Shkumbinit do të nisë edhe aventura e Daiut, i cili e ka drejtuar dy herë skuadrën peqinase gjatë karrierës së tij si trajner. Besa ka humbur katër ndeshjet e fundit dhe nuk fiton prej tetë takimesh, teksa për herë të fundit suksesin trepikësh e ka njohur kundër Flamurtarit (1-0), më 20 tetor 2012. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, tha se Daiu do të drejtojë Besën deri në fund të sezonit. “Mendoj se ishte zgjedhja e duhur në situatën që po kalon skuadra. Daiu e njeh më mirë se kushdo Besën, kështu që kam besim absolut se ekipi do të ndryshojë për mirë nën drejtimin e tij”, – tha bosi i kavajasve. Përparim Daiu drejtoi këtë sezon Laçin, por ai dha dorëheqjen pas barazimit në javën e parë kundër Besës, pikërisht skuadrën që ai do drejtojë tani.

U-17, Shqipëria e vogël barazon me Slloveninë

Shqipëria U-17 barazoi 1-1 me Slloveninë e asaj moshe, por performanca e “djemve të vegjël” të Xhemal Mustedanagiçit ishte e pëlqyeshme në miqësoren e luajtur dje në Kavajë. Ndeshja nisi me një gol të shpejtë të realizuar për Kombëtaren tonë nga Hyseni në minutën e 7-të, me një gjuajtje fluturimthi nga një distancë prej 13 metrash, duke lënë të shtangur portierin slloven Matosec. Shqipëria e “vogël” pati dy-tre raste për të dyfishuar rezultatin, por duhet theksuar se dhe kundërshtarët e e vunë disa herë në provë portierin Kastrati. Kur pritej që pjesa e parë të mbyllej me fitoren e Shqipërisë, shtatlarti i mbrojtjes sllovene Ivkic pas topit të ardhur nga goditja e këndit, godet saktë me kokë duke barazuar shifrat e rezultatit në 1-1 në minutën e 40-të e që mbeti  pandryshuar deri në fund të ndeshjes. Shqipëria dhe Sllovenia do të luajnë sërish së bashku, më 21 shkurt, kësaj herë në Krujë, ndërkohë që turi miqësor ndërkombëtar do të përfundojë me 24 shkurt me ndeshjen kundër Kosovës U-17, në Kukës. Pas ndeshjes, trajneri Xhemal Mustedanagiç tha: “Luajtëm një ndeshje të mirë. Jam i kënaqur me rezultatin, por me lojën deri diku. Ne mendoj se po hedhim hapa të mirë bashkë me trajnerët e grupmoshave Strakosha e Gega duke parë gjithçka për tani e perspektivën. Puna e nisur premton. Ne synojmë sërish kualifikimin në Elitë Raund”. Të pranishëm në ndeshje ishin edhe shefi Sektorit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Redi Jupi ka qenë në tribunën “VIP” së bashku me trajnerët Foto Strakosha e Skënder Gega që drejtojnë respektivisht Kombëtaret U-19 e U-21 të Shqipërisë.

Kupa luan aktin e peste çerekfinal

 Kupa e Shqipërisë do të luajë nesër ndeshjet e ditës së pestë, teksa janë përcaktuar të paktën tre nga katër ekipet gjysmfinaliste: Skëndëerbeu nga grupi A, si dhe Bylisi nga grupi B. Mbetet për t’u përcaktuar një midis Kukësi dhe Kastriotit si dhe një midis  Flamurtarit dhe Laçit për të plotësuar katërshen që do të diskutojë trofeun e edicionit të 61-të të kompeticionit.

Kupa e Shqipërisë

Dita e 5-të

 Ndeshjet e Grupit A

Kastrioti-Kukësi           14:00

Skënderbeu-Shkumbini           14:00

Renditja

Skënderbeu                   12

Kukësi                          9

Kastrioti                        6

Shkumbini                    0

Ndeshjet e Grupit B

Bylisi-Flamurtari           14:00

Teuta-Laçi                    14:00

Renditja

Bylisi                            12

Laçi                               6

Flamurtari                     6

Teuta                             0

Milan-Barcelona, 5 mln euro nga biletat

Ndeshjea e sotme në Ligën e Kampioneve mes Milanit dhe Barcelonës se, në “San Siro” do të jenë të pranishëm:  72 fotografë, 301 gazetarë, 50 televizione dhe 20 radio nga e gjithë bota. Në “San Siro” nuk ka asnjë vend bosh., ndërkohë që shuma e arkëtuar është rreth 5 milionë euro.

LIGA E KAMPIONEVE

Faza e 1/16-ve

Dje, 19 shkurt 2013

Porto-Malaga                          1-0

Arsenal-Bajerni Munih            1-3

Sot, 20 shkurt 2013

Gallatasaraj-Shalke                 20:45

Milan   -Barcelona                   20:45