Nevil Dede: “Fituam për tifozët!’

491
Sigal


Trajneri i Tiranës flet pas fitores së çmuar ndaj Skënderbeut: “Por, jemi sërish ende larg Europës”

Edhe pse Tirana e tij arriti një fitore të merituar ndaj kampionëve dhe liderit të kampionatit, Skënderbeut (1-0), trajneri Nevil Dede tha për “Telegraf” se, ende nuk ka ardhur koha që ai të gëzohet plotësisht. “Kjo ishte një fitore më shumë për tifozët, pasi objektivi ynë për një vend në Ligën e Europës është ende larg, pasi jemi në garë me Flamurtari, Teutën dhe Kukësin”, – tha Dede pas ndeshjes. Kjo ishte fitorja e dytë rresht e 24 herë kampionëve, pas asaj me Kastriotin (3-0).

   – Dede, një fitore e bukur me Skënderbeun, që janë jo vetëm kampionët në fuqi, por dhe kryesuesit e kampionatit. Cili është komenti juaj?

 – Sigurisht që, jam i kënaqur. Ne u munduam të luajmë futboll, të tregojmë vlerat tona dhe mbi të gjitha të tregojmë një imazh të futbollit të Tiranës. Është një fitore edhe për tifozët. Ky ekip pa ata nuk vlen.

 – Gjatë ndeshjes pati një ngjarje me tifozët, ku disa prej tyre u larguan nga policia…

 – Në fakt, nuk mund të jap një koment tani. Gjithsesi, duke ditur që mund të penalizoheshim, u thashë lojtarëve të ekipit që të shkonin dhe tek ata dhe t’i qetësonin. U thashë futbollistëve që t’u thonë tifozëve se, ‘ne do të fitojmë për ju’. Dhe kjo ndodhi. Ne e fituam ndeshjen.

 – Si i përjetuat 90 minutat e ndeshjes, pasi ndeshja shfaqi disa tablo?

 – Kishim përballë një kundërshtar që, ka bërë një nga sezonet më të mira, jo vetëm të tij, por dhe të një skuadre që i ka të gjitha shanset për të dalë kampion. Vetë fakti që, Skënderbeu ka një diferencë të madhe pikësh me ekipet që e ndjekin e tregon këtë. E meritojnë titullin.

 – Çfarë do të veçonit nga sfida?

 – Për të qenë realist, pasi ndoshta dhe miku im Mirel Josa, mund të thojë se ekipi i tij bëri një lojë të mirë, Tirana bëri një nga ndeshjet e mira të saj. E dominuam takimin. Ishte një ndeshje e luftuar, pasi Skënderbeu synonte ta fitonte takimin. Në pjesën e parë, ne duhet të kishim shënuar, pasi patëm dy raste të mira, kundrejt një të kundërshtarit, për një shpërqendrim tonin, kur sulmuesi i Skënderbeut, Plaku, doli përballë portierit tonë, Caka.

 – Kundër Kastriotit, Caka u konsiderua si një surprizë. A mendoni se, tashmë ai e konfirmoi veten?

 – Dua ta ripërsëris se, Caka vazhdon të jetë në provë, pasi ka luajtur vetëm dy ndeshje. Është një portier i talentuar. Jam i bindur se, ai ka talent, por padyshim që atij i duhet shumë punë. Shumë talente lindin, por gjatë kalimit të viteve duhet të kesh vazhdimësi, pasi ndodh që dikush edhe ta lërë futbollin.

 – Prej disa ndeshje është ky formacion titullar. A është kjo skuadra tip e juaja?

 – Realisht, kur një skuadër fiton, askush nuk ka të drejtë ta ndërrojë. Qysh kur e mora drejtimin e skuadrës, unë doja të luaja me këtë sistem loje, pavarësisht se është shumë shpejt që lojtarët të përshtaten me idetë e mia. Duhet të jemi realistë se, në ekip ka kualitete, ashtu siç ka dhe lojtarë që duhet të rriten. Merita e një skuadre të mirë është kur trajneri flet dhe lojtarët e kuptojnë. Pasi në fund të fundit, janë ata që interpretojnë lojën.

 – Ç’notë do t’i vinit golit të Gilman Likës, që i dha edhe fitoren skuadrës?

 – Unë ia di vlerat, pasi e kam vendosur edhe kapiten të skuadrës.

 – Pas çdo ndeshje, keni përmendur disa emra të spikatur. Cilët do të dallonit më shumë në fitoren ndaj Skënderbeut?

 – S’dua të veçoj ndonjë emër. Përballë një kundërshtari si Skënderbeu, të gjithë dhanë maksimumin.

 – A duket më afër Europa me këtë fitore?

 – Ne e kemi shumë të vështirë. Ekipi ynë është një “baby”. Ne duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Ju e shikoni se, unë nuk jam shumë i gëzuar. Gjithsesi, ajo që është e rëndësishme është se me këtë fitore na u rikthye qetësia. Tani na duhet të shpresojmë në hapat fals të kundërshtarëve.

 TRAJNERI I SKËNDERBEUT

Mirel Josa: “Një humbje shumë e hidhur”

 Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, u shfaq tepër i pikëlluar pas humbjes me Tiranën, humbja e parë në transfertë dhe e dyta në kampionat, pas asaj me Vllazninë, të regjistruar në Korçë. Gjithsesi, pas barazimit të Teutës me Kukësit dhe fitores së Flamurtarit me Luftëtarin, diferenca tani është +10 pikë për korçarët kur kanë mbetur edhe pesë ndeshja nga përfundimi i kampionatit. “S’duhet të shohim atë që bëjnë rivalët tanë, – tha Josa për gazetën, – por veten tonë. Në lidhje me takimin me Tiranën, mendoj se, ne zhvilluam një lojë të mirë dhe e kishim topin më shumë në kontroll. Paraqitja jonë në zonën kundërshtare duhet të ishte më e madhe dhe të konkretizonim rastet e krijuara. A na kondicinuan mungesat? Sigurisht, pasi kemi jo pak të tilla. E dimë se sa lojtare kemi me probleme fizike. Në fakt, kjo humbje na e prish disi shijen e mirë të këtij sezoni, por ne duhet të shohim përpara. Duhet të japim maksimumin në ndeshjen e radhës em Besën, e shoh të rëndësishme në rrugën drejt titullit”.

  Tirana bën “zap” Skënderbeun

 Falë një perle të kapitenit Gilma Lika (64’), me një goditje të lirë nga rreth 25 metra, Tirana fitoi 1-0 me Skënderbeun, në atë që cilësohej si ishte kryendeshja e javës së 21-të të Kategorisë Superiore, e cila ngjalli interesimin e tifozërive të të dy skuadrave, të cilët ishin në një numër të konsiderueshëm në “Qemal Stafa”. Tri pikët e marra e mbajnë në lojë Tiranë për një biletë në Europa League, ndërsa për Skënderbeun kjo humbje nuk është se i prish shumë punë, pasi distanca me vendin e dytë është 10 pikë. Vendësit e nisin takimin me të njëjtin formacion që fituan një javë më parë në Krujë (3-0), ndërsa korçarët kishin disa mungesa të rëndësishme, ku trajneri Mirel Josa ka qenë i detyruar të bëjë ndryshime në formacion. Pjesa e parë ka qenë e hapur, me njëfarë këmbënguljeje më të madhe të kryeqytetasve, që kanë pasur dy-tri raste të pastra për të shënuar. Gilman Lika është më i miri në fushë, duke marrë përsipër organizimin e lojës së kryeqytetasve. Në minutën e 15-të, ku kroati Pero Pejiç nxjerr të lirë Sebino Plakun, i cili gjuan fort, por 18-vjeçari i bardhebluve, Caka, i mohon golin. Më pas loja zhvillohet kryesisht në mesfushë, me raste të paktë për shënim dhe 45 minutat e para përfundojnë me rrjeta të paprekura. skuadra e Nevil Dedes që tregohet më e saktë në këtë pjesë loje. Në minutën e 64-t bardheblutë fitojnë një goditje dënimi. Është Gilman Lika që merr përsipër ekzekutimin e saj dhe me të majtën e dërgon topin në trekëndëshin e Shehit. Një eurogol ky i shkodranit, që ka vlerën e tri pikëve për Tiranën, pasi Skënderbeu, edhe pse kishte ende shumë kohë në dispozicion, ka qenë i pafuqishëm për të barazuar shifrat.

  Me thikë në stadium, policia largon tifozët

 Policia e kryeqytetit, gjatë një kontrollit rutinë në bllokun e tifozëve të Tiranës, gjeti një persona me thikë, ndërkohë që një tjetër kishte kapsollë plasëse të fuqisë së lartë. Blutë gjetën edhe ultras të tjerë me sende të forta, duke i larguar ata nga “Qemal Stafa’. Kjo solli edhe irritimin e tifozëve që reaguan ashpër. Gjithsesi, pas një komunikimi të lojtarëve të Tiranës me ultrasit, gjithçka u normalizua. Gjatë gjithë ndeshjes nuk munguan fyerjet nga tifozeritë kundërshtare.

Kategoria Superiore

Java 21

Sot, 06.04.2013

Besa-Kastrioti       2-0

Nesër, 07.04.2013

Flamurtari-Luftëtari 3-0

Shkumbini-Vllaznia   1-0

Tomori-Apolonia      1-0

Laci-Bylis           3-1

Tirana-Skënderbeu    1-0

Teuta-Kukësi         1-1

RENDITJA

1    Skënderbeu      21   +26  49

2    Flamurtari      21   +21  39

3    Teuta           21   +10  39

4    Kukësi          21   +12  37

5    Tirana          21   +6   35

6    Vllaznia        21   +4   32

7    Laçi            21   +0   31

8    Kastrioti       21   -7   28

9    Besa            21   +0   27

10   Bylis           21   +3   26

11   Shkumbini       21   -17  19

12   Luftëtari       21   -14  18

13   Tomori          21   -21  12

14   Apolonia        21   -23  9

Gabon Teuta me Kukësin, Flamurtari kap vendin e dytë

Flamurtari fiton bindshëm 3-0 në fushën e vet me Luftëtarin, duke kapur vendin e dytë, falë golaverazhit më të mirë se Teuta, që nga ana e saj mori një barazim “in extremis” me Kukësin, në takimin e zhvilluar në “Niko Dovana”.

Flamurtari-Luftëtari 3-0

Golashënuesi më i mirë i vlonjatëve dhe i Superiores, Migen Memelli shënoi një dopjetë (u ngjit në kuotën e 18 golave në kampionat), ndërkohë që firmën e tij e vuri edhe dhe Brunild Pepa, duke i dhënë tri pikët kuqezinjve, të cilët ngjiten në vend të dytë (me pikë të barabarta me Teutën, por me golavarazh më të mirë). Skuadra e Ernest Gjokës nuk e ka vënë në asnjë moment në dyshim suksesin, ndaj një Luftëtari ku trajneri i ri, Arjan Bellai, aktivizoi disa lojtarë të rinj. Flamurtari e zhbllokon rezultatin në minutën e 40-të, ku Pepa fiton një 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Memelli. Në pjesën e dytë (50’) është Pepa që dyfishon shifrat dhe gjithçka më pas bëhet e thjeshtë, ku sulmuesi pogradecar në të 74’ vulos fitoren e pastër 3-0.

Teuta-Kukësi  1-1

Teuta ka humbur shansin për të nxjerrë nga gara një rival për një vend në Evropë si Kukësi, por në fakt ka qenë me fat edhe që ka barazuar 1-1, pasi goli i durrsakëve është shënuar në minutën e fundit nga Jakupi. Në “Niko Dovana”, durrsakët e kanë parë veten në dizavantazh që në të 8’, ku pas një goditjeje këndi, shtatlarti Renato Malota shënon për kuksianët. Në minutat e fundit të takimit, verilindorët kthehen në mbrojtje dhe kjo i jep mundësi vendësve që të barazojnë shifrat me anë të Jakupit në limitin e kohës së rregullt. Kësisoj, Teuta shmang humbjen, duke marrë të paktën një pikë, ndërsa i lë vendin e dytë Flamurtarit, i cili ka golavarazh më të mirë.

Laçi-Bylis 3-1

Laçi nuk gabon në kampionat. Kurbinasit e kanë zhvilluar ndeshjen me Bylisin në stadiumin e Krujës, për të ruajtur fushën e tyre ëpr sfidën e kthimit të gjysmëfinales së Kupës ndaj Kukësit, por gjithsesi kjo nuk u ka prishur aspak punë. Skuadra e Stavri Nicës ka arritur të fitojë me rezultatin 3-1, edhe pse u gjend në dizavantazh në minutën e 44-t, ku Bakiu shënoi për mallakastriotët. Është Blloku që barazon shifrat brenda pjesës së parë, ndërsa në të dytën kapiteni Erjon Vucaj kthehet në hero, duke shënuar dy herë në portën e Frashërit, për të regjistruar fitoren me shifrat 3-1.