Nesër rifillon Superliga, në një marsh të gjitha skuadrat

643
Sigal

Kur u zgjidh edhe situata e Kupës së Shqipërisë, skuadrat e Superligës përqendrojnë vëmendjen e tyre tek ndeshjet e nesërme, ku do të vihen përballë edhe një herë skuadrat më elitare të futbollit shqiptar. Ndeshja që pritet më shumë nga të gjithë tifozët është takimi mes Partizani-Kukësi, ndeshje që rikthen edhe një herë pretendimet dhe pretenduesit e kampionatit, duke u ndeshur edhe një herë në këtë sezon. Kujtojmë që në ndeshjen e parë, takimi përfundoi me një fitore të “demave” në fushën e Kukësit me rezultatin minimal 1-0. Në fazën e dytë situata duket më e ndryshuar ku të dyja skuadrat kanë pësuar rritje në lojë e tyre, duke u bërë me të vërtetë konkurrente të forta për njëra-tjetrën. Ndeshja tjetër e ditës së nesërme do të jetë në mes Vllaznisë dhe Flamurtarit, por ndryshe nga faza e parë, barazimi nuk i vlen asnjërës nga skuadrat, me shkodranët që ndodhën në një nga periudhat më të errëta të historisë së tyre, ndërsa vlonjatët nuk kanë gjetur akoma qëndrueshmëri në këtë sezon, pavarësisht grupit të mirë të lojtarëve dhe kushteve të favorshme në tërësi si skuadër. Ndeshjet e tjera nuk janë më pak të rëndësishme, ku do të luajnë Laçi-Teuta, në një ndeshje që do i kthente të dyja në “shina” në rast fitoreje, por në një fushë si ajo e Laçit është shumë e vështirë që durrsakët të dalin me pikë, duke pasur parasysh se pësuan një humbje në Kupë ndaj Apolonisë, humbje që i dha një shuplakë shanseve dhe dëshirës që kishin për të avancuar në atë turne. Ndeshja tjetër është ajo mes Elbasanit dhe Tiranës, jo edhe aq e vështirë si sfidë për kryesuesit që me formën që gëzojnë duket se do të vazhdojnë ta mbajnë kryesimin për të paktën edhe një javë tjetër, por përsëri Elbasani, pavarësisht formës së dobët, nuk mund të shkruhet si e padëmshme, mjafton të kujtojmë fitoren që mori ndaj Teutës dy javë më parë. Takimi i fundit i javës së 13-të është mes Skënderbeut dhe Apolonisë, ku përsëri edhe këtu nuk priten surpriza të mëdha ku kampionët në fuqi nuk do lejojnë që tu rrëshqasë nga duart mundësia e mirë për të përfituar në pikë dhe për një vend më të mirë në renditje.

Alban Hoxha, portieri i Partizani dhe Kombëtares Shqiptare të Futbollit, ka pësuar një dhimbje të madhe në jetën e tij, me humbjen e gruas për shkak të komplikacioneve që pati pasi i dha jetë djalit të tyre. E gjithë bota e sportit dhe jo vetëm, është bashkuar për të ngushëlluar portierin Hoxha në këto çaste kaq delikate për të dhe familjarët e tyre e edhe gazeta “Telegraf” bashkohet në këtë rast për t’i dhënë ngushëllimet më të sinqerta portierit Hoxha në këtë fatkeqësi që i ka përfshirë.

  Skuadra Nd F B H P
1 Tirana 12 7 4 1 25
2 Kukësi 12 8 1 3 25
3 Skënderbeu 12 7 3 2 24
4 Partizani 12 7 3 2 24
5 Laçi 12 4 4 4 16
6 Flamurtari 12 3 6 3 15
7 Teuta Durrës 12 4 1 7 13
8 Vllaznia 12 3 2 7 8
9 Apolonia 12 2 2 8 8
10 Elbasani 12 2 0 10 6

Konfirmohet, Vllaznia do ta luajë ndeshjen ndaj Flamurtarit me tifozë

 Ashtu siç u paralajmërua para disa ditësh, Vllaznia do të paguajë për rikthimin e tifozëve në stadium. Dënimi prej 10 ndeshjesh akoma nuk është përmbushur, por siç parashikohet, klubi, në këtë rast Vllaznia, mund të paguajë kur ka kaluar gjysmën e dënimit. Bordi drejtues i skuadrës shkodrane bëri me dije se kanë paguar 24 milionë lekë, 6 milionë për çdo ndeshje, kur kanë ngelur edhe katër të tilla në përmbushje të vendimit fillestar. Ndeshja me Flamurtarin pritet që të mbushë stadiumin, në mënyrë që tifozët të jenë “lojtari i 12-ë” për Vllazninë. Kjo ndeshje shihet si pikë kthese për të dyja skuadrat, mbetet për tu parë vetëm ndikimi pozitiv që tifozët do të kenë mbi futbollistët, në këtë periudhë aspak të mirë sportive.

Fëmijët e vegjël “çmendin” Serbinë

 Kur mendohej se asgjë nuk kishte ndodhur në ndeshjen miqësore mes Greqisë dhe Serbisë (që mund të përfshinte Shqipërinë) që u luajt të martën, dalin në pah disa foto ku tregojnë tre fëmijë të vegjël, ata që shoqërojnë futbollistët kur dalin në fushë, të bëjnë shenjën e shqiponjës gjatë ekzekutimit të himnit serb. Kjo situatë në fakt nuk duket të ketë asgjë shqetësuese, përveç faktit se të vegjlit mund të jenë me origjinë shqiptare dhe kanë bërë një shenjë të tillë. Por ky “akt” ka marrë përmasa të mëdha në Serbi, ku kjo shfaqje e simbolit kombëtar shqiptar është quajtur përsëri si provokim dhe i është bërë një jehonë e madhe duke e cilësuar si një tjetër ekzekutim për të vënë në dukje pretendimet e Shqipërisë së “madhe”.

Etrit Berisha, Shqipëria ka si objektiv vetëm kualifikimin në Euro 2016

 Portieri i Kombëtares shqiptare, ka bërë të ditur në një intervistë të dhënë dje për klubin e tij Lazio, se objektiv i ekipit kuqezi është kualifikimi në Euro 2016.

Ai tha se Kombëtarja shqiptare po tregohet kundërshtar i fortë për çdo skuadër, e kjo u dëshmua edhe në dy miqësoret e zhvilluara ndaj Francës dhe Italisë ku Shqipëria tregoi qartë se nuk është më një skuadër që duhet të merret lehtë. “Është normale që në mendjet tona është kualifikimi, dhe ne besojmë se ndeshja ndaj Armenisë mund të jenë vendimtare, ajo është si një finale për ne. Qëllimi ynë është që të arrijmë pozitën e parë ose të dytë në grupit. Me këtë angazhim dhe dëshirë unë mendoj se ne mund të arrijmë diçka shumë pozitive, vendin e parë ose të dytë në grup. Ndaj Francës dhe Italisë zhvilluam dy ndeshje shumë të mira dhe sigurisht fituam përvojë, e këto rezultate të mira na japin më shumë siguri për të vazhduar përpara në ndeshjet e tjera”, ka deklaruar portieri për lazioneës.eu

Sipas Berishës, kualifikimi nuk është më ëndërr, duke parë edhe formën që gëzon skuadra por edhe puna shumë e mirë që po kryhet nga të gjithë. Ekipi i drejtuar nga De Biazi ndodhet në vendin e tretë në renditjen e Grupit I, me katër pikë të grumbulluara, ndërsa në krye të renditjes është Danimarka me 7 pikë (një ndeshje më shumë) e ndjekur nga Portugalia me 6 pikë e kujdesen për të mbyllur renditjen Serbia me Armeninë që kanë secila nga një pikë.