Neritan Novi: Klima te Luftëtari ka ndryshuar shumë, Skënderbeun e vlerësoj si skuadër evropiane

738
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti gjirokastrit në disa skuadra të Superiores shqiptare
Keni vite i larguar nga futbolli i luajtur, si e ndiqni sot Superioren shqiptare?
Unë luajta më shumë se 17 vite futboll, dhe vetëm në Kategorinë Superiore. U largova 39 vjeç, por më duket vetja ende i freskët kur ndjek ndeshje të kësaj kategorie. Unë e ndjek Kategorinë Superiore në ritmikë, Luftëtarin në të gjitha ndeshjet brenda e jashtë fushe, por edhe ndeshje të tjera.

Sa pjesë zë nostalgjia e viteve të shkuara, në raport me këndvështrimin e një specialisti futbolli sot?
Bashkohen dhe ndërthuren shumë të dy këto elementë të jetës sime sportive. Por, unë mundohem që të jem profesionalisht në kohën e duhur. Ka situata kur jam në stadium që sikur më “ftojnë” të hyj në fushë, sidomos kur shoh që Luftëtari nuk arrin të dalë në lojë të mirë dhe në rezultat pozitiv.

Po Luftëtari, pse pati shumë oshilacione në 9 ndeshjet e fazës së parë?
Mendoj se për gjithçka ndodhi në gjysmën e parë të kësaj faze, pjesën më të madhe të mangësive e kishin trajnerët uruguajanë, por edhe largimi i tre lojtarëve cilësorë nga sezoni i kaluar. Abazaj e Bregu, ishin një treshe e bukur, por largimi i Rexhinaldos e zbehu paksa forcën e sulmit të Luftëtarit.

Po me Hasan Likën, mendoni se Luftëtari ka ndryshuar në sensin pozitiv?
Hasan Lika ka vetëm dy ndeshje në stolin e Luftëtarit, por duke e njohur si trajner, unë them se ai do të lerë gjurmë pozitive te kjo skuadër. Me ardhjen e tij, klima në ekip ka ndryshuar shumë, dhe lojtarët tregohen më të mobilizuar e të përgjegjshëm, si në stërvitje, ashtu edhe gjatë ndeshjeve.

Ku mund të shkojë ky Luftëtar i këtij sezoni?
Luftëtari do ngrihet shumë shpejt, dhe që në fazën e dytë do të ndahet nga vendet e fundit në renditje. Nëse do të luajë mirë futboll si grup, do ta kapë mesin e renditjes, por janë tre faza ku mundësitë e ndryshimit janë. Duke qenë edhe ndeshjet e Kupës në mes, forma e mirë nuk do të vonojë.

Po nga skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore, çfarë veçoni në 9 javët e luajtura?
Ka rivalitet, më shumë te skuadrat që janë në gjashtëshen e parë në renditje, pa përjashtuar këtu edhe Teutën me Luftëtarin. Skënderbeu është skuadër absolute, ka mentalitetin e një ekipi evropian dhe deri tani, duket si skuadra kampione. Të tjerat do të vijnë pas tij, por Kukësi e Flamurtari do të jenë më rivalët.

Për skuadrat e tjera, mendoni se janë në pritshmëritë e tyre?
Çdo ekip, niset se do të ketë pritshmëri të mëdha, por kur gjatë rrugës nuk dalin synimet, atëherë them se me këto skuadra kështu ka ndodhur. Mendoj se Lushnja mundet ta ketë prekur rënien nga kategoria, edhe pse është shpejt, ndërsa Kamza, Laçi, Teuta, Luftëtari e Vllaznia do ta zgjidhin mes tyre rënien nga Superiorja.

Nesër (sot) në Vlorë, luhet një ndeshje mes skuadrave kryesuese në renditje, cilën skuadër shikoni favorite në çiftin Flamurtari-Skënderbeu?
Që do të jetë një sfidë e fortë dhe e vështirë për të dyja skuadrat, unë nuk e ve në dyshim, edhe për faktin se, korçarët janë paksa të ngarkuar fizikisht në këtë sezon, ndërsa vlonjatët kanë ardhur në rritje gjatë fazës së parë. Do të jetë një ndeshje “Big” që e meriton barazimin, por që unë do të dëshiroja të ishte vetëm fitore. Të dyja janë të denja të marrin tri pikët.
Sot në orën 17:00, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, do të luhet sfida më e rëndësishme e javës së 10-të, Flamurtari-Skënderbeu
FLAMURTARI-SKËNDERBEU, SOT ORA 17:00
Vlonjatë në kërkim të revanshit, korçarët me mungesa
Pas reagimeve të ashpra që klubi i Flamurtarit ka bërë ndaj FSHF-së për ndryshimin e datës së ndeshjes Vllaznia-Lushnja, në kampin vlonjat nuk është lënë pas dore përgatitja për sfidën e sotme të javës së 10-të me Skënderbeun, ndeshje e cila do të luhet në stadiumin “Flamurtari” në ora 17:00. Në Vlorë mezi presin të luajnë me bardhekuqtë, pasi të dyja skuadrat kanë luajtur ndeshje të bukura. Dje atmosfera në kampin vlonjat ka qenë shumë optimiste, dhe Skënderbeu nuk është vlerësuar vetë si skuadra e vendit të parë, por edhe ekipi i vetëm që e ka mundur Flamurtarin në fazën e parë. Ndërsa sot, për Skënderbeun do të mungojnë Nespor, Nimaga e Soue, e Xhejms mendohet në majën e sulmit.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 10-të
E mërkurë, 15 nëntor 2017
Luftëtari-Teuta 14:00
Flamurtari.-Skënderbeu 17:00
Të enjten, 16 nëntor 2017 
Laçi-Partizani 14:00
Kamza-Kukësi 14:00
E mërkurë, 22 nëntor 2017
Vllaznia-Lushnja 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 9 25
2. Kukësi 9 18
3. Flamurtari 9 16
4. Kamza 9 15 
5. Laçi 9 11
6. Partizani 9 11
7. Teuta 9 8 
8. Luftëtari 9 8
9. Vllaznia 9 6
10. Lushnja 9 5
Sigal