Nejmar humb Kupën e Amerikës, pezullohet në 4 ndeshje

439
Brazili i janë pakësuar shanset për të fituar kupën e Amerikës, pasi futbollisti kryesor i saj, Nejmar, është ndëshkuar nga Komisioni Disiplinor i aktivitetit me katër ndeshje, që do të thotë se sulmuesi i Barcelonës nuk do të mund të luajë në asnjë nga ndeshjet e mbetura, edhe sikur Brazili të kualifikohet e të shkojë deri në finale. Padyshim kjo është një ngjarje e pazakontë për futbollin brazilian në këtë aktivitet, sepse me mungesën e Nejmar do të pakësohen ndjeshëm shanset e “Selecaos” për të fituar “Copa America”-n. Lojtari do të mungojë dhe kritikat ndaj tij kanë qenë të shumta qoftë në shtypin sportiv brazilian, ashtu dhe në atë europian, të cilët e cilësojnë Nejmarin të pavëmendshëm dhe agresiv, duke dëmtuar interesat e skuadrës së tij. I vetmi që i ka dalë në mbrojtje është trajneri Karlos Dunga.

 Ndëshkimi
 Shtrëngatë disiplinore ndaj Nejmar. Komisioni Disiplinor i Kupës së Amerikës vendosi ta pezullojë sulmuesin brazilian për 4 ndeshje. Në rast se ky dënim nuk do të ketë një ulje në apelim atëherë turneu i Nejmar ka përfunduar pikërisht me minutat e nxehta që u finalizuan me kartonin e kuq në fundin e ndeshjes Brazil- Kolumbi. Nejmar ishte i pezulluar me një ndeshje për dy kartonat e verdhë që mori në takimet kundër Perusë dhe Kolumbisë pastaj mori edhe 3 ndeshje të tjera pezullim për zënkën që shpërtheu pas ndeshjes. Në vërshëllimën finale Nejmar goditi topin kur loja ishte e ndaluar ndaj Armeros, Murrillo shkoi ti kërkonte shpjegime dhe mes tyre pati një përballje kokë më kokë ndërsa më pas ndaj tij shkoi Baka që i dha një të shtyrë. Arbitri kilian Oses iu tregoi kartonin e kuq të dyve. Në mesnatën shqiptare erdhi dhe verdikti me komitetin disiplinor që veç një ndeshje pezullim e ndëshkoi edhe me tre të tjera për sjellje të dhunshme si dhe me një gjobë prej 10 mijë dollarësh, ndërsa kolumbiani Baka u dënua me dy ndeshje pezullim dhe mund të rikthehet në fushë në gjysmëfinalen eventuale. Ndëshkimi i Nejmar është një goditje e rëndë për Brazilin, pa numrin 10 skuadra e Dungës humbet një pjesë të madhe të potencialit të saj. Kartoni i kuq ndaj Kolumbisë ishte i pesti në karrierën e shkurtër të Nejmar, i pari që sulmuesi merr kur luan me Kombëtaren. 
 Dunga i del në mbrojtje Nejmarit 
Trajneri i Brazilit, Dunga e ka përshkruar dënimin e Nejmarit, si humbje shumë e madhe për të gjithë në “Copa America”, jo vetëm për Brazilin, por për gjithë kompeticionin. “Nejmar është një figurë e madhe në futboll”, ka thënë Dunga. “Gjithashtu edhe vëmendja është e madhe tek ai. Gjithkush që e pëlqen futbollin, dëshiron që ta shohë atë në fushë- ashtu si Mesin, Di Marian dhe Aleksis Sançezin. Me të në fushë, do kishte më shumë spektakël, më shumë kualitet”, u shpreh Dunga, duke qenë i bindur se vendimi ishte i rëndë dhe nuk duhej të jepej. Madje ai tha se të gjithë gtabojnë, por jo të gjithë duhen dënuar, por mësuar si të përmirësohen. “Nëse, të gjithë ne dënohemi për shkak të një gabimi, asnjëri nuk do ishim këtu. Ne jemi këtu për t’i mësuar ata që të jenë më të pjekur, jo që të gjejmë fajtorin”, shtoi Dunga.
Sigal