Në Vlorë dhe Kukës, aty ku do “prodhohen” dy skuadrat finaliste

581
Nga Agron KAJA
KUPA E SHQIPËRISË/ Sot luhen dy ndeshjet e dyta gjysmëfinale, ja situata e katër skuadrave në këtë tur dhe pritshmëritë e tyre
Sot do të luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, e nisur nga rezultatet që u fiksuan në takimet e para më 5 prill, ndoshta surprizat mund të jenë prezent në të dyja këto sfida. Gjatë kësaj jave, drejtues, trajnerë e futbollistë në të katër skuadrat gjysmëfinaliste, kanë dhënë deklaratat e tyre, mes të cilave shprehet qartë synimi që ato kanë për këtë event, i cili edhe si finalist të çon në Evropë. Ja se si vjen atmosfera e skuadrave për ndeshjet e sotme.
FLAMURTARI-SKËNDERBEU (1-0)
Administratori Idrizi në “llogore”: Kupa synimi ynë
Gjatë ditës së djeshme kanë qenë të shumta deklarimet në kampin vlonjat për ndeshjen sotme ndaj Skënderbeut, ku mbi gjithçka, nënkuptohet se Kupa e Shqipërisë është synimi final i Flamurtarit për këtë sezon që po mbyllet. Këtë e ka shprehur dje edhe Administratori Sinan Idrizi, i cili është i qartë për atë çka ai i kërkon skuadrës sot në sfidën e dytë ndaj Skënderbeut. “Për ndeshjen nesër (sot) me Skënderbeun, unë kërkoj atë që kërkojnë të gjithë vlonjatët, të gjithë tifozët. Nuk jam unë vetëm ai që e dua Kupën e Shqipërisë në Vlorë, por të gjithë. Dua që të bëhet maksimumi në këtë ndeshje”, kështu ka deklaruar mes të tjerave dje Administratori i Flamurtarit, të cilën e ka pohuar edhe për gazetën “Telegraf”.
Radas kërkon ta bëjë “sefte”, trofeun e do në Korçë
Historisë së Skënderbeut në futbollin shqiptar, i mungon trofeu i Kupës së Shqipërisë, dhe këtë nuk e ka lënë pa e veçuar mbrojtësi kroat, Marko Radas, i cili citohej dje edhe në faqen zyrtare të skuadrës korçare. Sipas tij, sukseset në këto shtatë vite në Kampionat, duhet të bashkohen edhe me një Kupë të fituar. “Ne (Skënderbeu), kemi shtatë sezone që luajmë me shumë sukses në elitën e futbollit shqiptar. Por, Kupën e Shqipërisë nuk e kemi fituar asnjëherë, ndaj them se të mërkurën (sot) do bëjmë gjithçka për ti shkuar deri në fund”, shprehet Radas. Në takimin e parë gjysmëfinal që u luajt dy javë më parë në Korçë, Flamurtari fitoi 1-0, dhe kjo ndoshta do ta “ndezë” edhe më shumë këtë sfidë.
LAÇI-KUKËSI (0-0)
Te Laçi rikthehet kapiteni Selmani, kuksianët ka mungesa e dyshime
Skuadra laçiane e ka vuajtur shumë mungesën e portierit e kapitenit Gentian Selmani, por gjatë javës ai është bashkuar me skuadrën. Portieri e ka kaluar dëmtimin dhe, falë riaftësimit të ndjekur në Itali, është do të jetë sot i gatshëm për ekipin, pasi Kupa e Shqipërisë është bileta e vetme për të luajtur në Evropë. Madje në dhjetë sezonet e fundit, laçianët kanë treguar se fitimi i Kupës mbetet specialitet i këtij kompeticioni, ndaj sot në Kukës janë të orientuar drejt kualifikimit për të siguruar biletën e parë të finales së Kupës së Shqipërisë për këtë edicion. “Rezultati i barabartë 0-0 në takimin e parë në Laç, na bën që të mos i humbasim shpresat për kualifikim”, kështu deklaroi dje trajneri Gentian Mezani.

Pakult do kujdes ndaj Laçit: Është i fortë si Partizani
Trajnerit të skuadrës së Kukësit, Peter Pakult, në pragun e ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, sot ndaj Laçit, e pranon se kurbinasit janë skuadër po aq e fortë sa edhe Partizani, ndaj ai do ishte i kënaqur që takimin ta fitonte edhe 1-0. “Kundërshtari me të cilin përballemi nesër (sot) në Kupë, Laçi, është një skuadër po aq e fortë sa Partizani. Barazimi 0-0 në ndeshjen e parë na favorizon ne, e në rast se fitojmë 1-0, do isha i kënaqur. Qëllimi ynë është të arrijmë në finale”, theksohet në deklaratën e trajnerit austriak të Kukësit, Peter Pakult.
Kupa e Shqipërisë
Sot do të luhen dy ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku Kukësi do të presë Laçin, ndërkohë që Flamurtari pret Skënderbeun në Vlorë. Ndeshja mes Kukësit dhe Laçit do të luhet orën 15:30, orar ky i vendosur nga FSHF-ja me qëllim që ndeshja të luhet ditën, edhe në rast se shkon me kohë shtesë, pasi stadiumi i Kukësit “Zeqir Ymeri” nuk ka ndriçim që ndeshjet të luhen natën. Ndeshja e parë mes tyre ka përfunduar me rrjeta të paprekura 0-0, dhe një barazim tjetër pa gola, do të bënte që skuadrat të luanin me kohë shtesë, e ndoshta me penallti. Takimi mes Flamurtarit dhe Skënderbeut do të luhet në orën 18:30, pasi të ketë përfunduar gjysmëfinalja e parë, ndërkohë që takimi i parë është fituar nga vlonjatët me rezultatin 1-0. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet në datën 27 maj 2018.
Gjysmëfinalet 
Takimet e para
Datë 4 prill 2018
Laçi-Kukësi 0-0
Skënderbe-Flamurtari 0-1
Takimet e kthimit
Sot, 18 prill 2018
Kukësi-Laçi 15:30
Flamurtar-Skënderbeu 18:30
Sigal