Në Uashington e bëjnë dalje Hamdi Salihin

512
Sigal

 Klubi amerikan, D.S Junaitid, synon të kursejë 305 mijë dollarë pagë të shkodranit

Skuadra amerikane, D.S. Junaitid, vazhdon të ketë bisedime intensive me sulmuesin shqiptar, Hamdi Salihi, në lidhje me të ardhmen e bomberit shkodran. Lajmin e bënë të ditur mediat amerikane, të cilat cituan drejtorin e përgjithshëm të klubit. Dejv Kasper. Në fakt, Salihi ka një kontratë të garantuar edhe për sezonin e ardhshëm, por duket se për të ka interesime nga klube “përtej oqeanit”, pra në Europë dhe mund ish-sulmuesi i SV Ried dhe Rapidit të Vjenës mund të transferohet gjatë merkatos dimërore. Nëse kjo do të ndodhte, Junaitid do të kursente të paktën 300 mijë dollarë, aq sa ishte rroga bazë e Salihit, pa përfshirë këtu shtesat si lojtar më status të veçantë pagese, apo

“designated player”, siç konsiderohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2012, Salihi u pagua 305 mijë dollarë pagë bazë dhe mori në total 487 mijë dollarë. Hamdi Salihi e mbylli vitin futollistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke realizuar gjashtë gola në 23 ndeshje me DC Junaitid, në kampionatin amerikan. Sulmuesi shkodran ka shënuar kundër Torontos (3), dhe nga një gol SJ Earthkuejks, Kolorado Rapids dhe Montreal Impakts. Gjithsesi, performanca e Salihit nuk e kënaqi klubin amerikan që, ka vendosur ta shesë, pasi rroga e Hamdiut është shumë e lartë (i dyti më i paguar në ekip).

 Ujkani, shfaqet opsioni “Lacio”

 Palermo është një qytet i ngrohtë, por këto ditë dimri po rezultojnë me “ngrica” për portierin e kombëtares shqiptare, Samir Ujkani. Gardiani kuqezi mori besimin e plotë të presidentit Zamparini pas largimit të Vivianos në verë, por tashmë duket se muajt e mjaltit kanë perënduar dhe kosovari nuk e ka më besimin e trajnerit Gasperini që e la në stol edhe në ndeshjen kundër Parmas. Megjithatë, zgjidhja mesa duket do të vijë nga Milano, ku Interi në kërkim të një portieri mendon të afrojë Sorentinon e Kievos. Skuadra zikaltër i ofron 3 milionë euro verdhebluve dhe këta të fundit mendojnë të afrojnë njërin prej portierëve të Lacios, Bizarri ose Karrizo. Realizimi i këtij skenari e afron Ujkanin me skuadrën e drejtorit sportiv Igli Tare. Por mediat italiane shkojnë edhe më tej duke besuar një transferim të mundshëm të Ujkanit edhe te Fiorentina që nuk po gjen sigurinë e premtuar nga Viviano në portë. Këto janë dy skenarët e mundshëm për të ardhmen e ish titullarit të portës së kombëtares, i cili do ta mësojë të ardhmen shumë shpejt, madje me shumë mundësi brenda merkatos së janarit.

Edgar Çani, drejt Ukrainës

 Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edgar Çani, është shumë pranë transferimit në Ukrainë, tek Arsenali i Kievit. Lajmin e dha faqja sportive polake, Sportëefakty.pl. 23-vjeçari nuk dëshiron më të jetë pjesë e Polonia e Vardhavës. Çani ka shënuar 11 gola në 31 ndeshje me Polonia Varshavën. Arsenali i Kievit i ofron një kontratë 3-vjeçare dhe një pagesë prej 20 mijë eurosh në muaj. Për Çanin, sipas mediave italiane, interesohet edhe Avelino dhe e njeh mirë futbollin italian. Në fakt, në Itali ka veshur bluzat e Peskarës, Palermos, Askolit, Padovës, Piacencës dhe Modenës.

 Këshilla e Dukës: “Kosovë, mos hyr në luftë me FIFA-n!”

 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka këshilluar krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të mos nxitojnë për ta çuar FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), me seli në Lozanë të Zvicrës, pasi kjo, sipas tij, nuk do të sillte ndonjë rezultat në favor të Kosovës. Bosi i FSHF-së,  ishte dje në Prishtinë, ku mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të FFK-së për vitin 2012 dhe tha se këtë porosi ua ka dhënë edhe zyrtarëve kosovarë. “Nëse kërkoni një mendim timin personal, unë gjithmonë tentoj t’i zgjidh gjërat me konsensus, me marrëveshje dhe me negociata, me lobim dhe jo me konflikt”, citohet Duka nga mediat. Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se po mendon ta çojë FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në kuadër të strategjisë së re për t’iu kundërpërgjigjur vendimit të fundit të kësaj organizate për miqësoret e Përfaqësueses së Kosovës. Zyrtarë të FFK-së vlerësojnë se kanë argumente të mjaftueshme për të fituar çështjen, sidomos pasi FIFA ndryshoi gati tërësisht vendimin që kishte të bënte me miqësoret e Kosovës, ku fillimisht Kosovës iu lejua të luante pa kushte, kurse së fundmi u vendos që Kosovës t’i lejohej të luante me grupmosha të reja, femra, amatorë dhe klube, ndërkohë që për ekipin A nuk iu dha leje. Për t’u bërë vendimi tërësisht i papranueshëm për FFK-në, FIFA e obligoi atë që të kërkojë leje nga Federata e Serbisë nëse dëshiron të organizojë ndonjë ndeshje brenda Kosovës, kurse për ato jashtë Kosovës nuk ka nevojë leja nga Serbia, por Kosova nuk mund të paraqitet me asnjë simbol shtetëror. Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, në një intervistë dhënë të hënën medias turke ka thënë se FFK-ja është duke u përgatitur për ta dërguar çështjen në Gjykatë. “Të padisësh UEFA-n mendoj se nuk arrin ndonjë rezultat dhe nuk fiton, sepse statuti i UEFA-s është takstativ duke parashikuar se duhet të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara për të qenë anëtar i UEFA-s. Ndërsa statuti i FIFA-s realisht ka hapësira për t’u shfrytëzuar dhe për të shkuar drejt anëtarësimit”, ka shtuar Duka. “Nga këndvështrimi im, vullneti i presidentit të FIFA-s ka qenë pozitiv në marrëdhënie me Kosovën, duke rikujtuar njohjen e certifikatave, një lloj ndihme për FFK-në në përgatitjen e trajnerëve. Por, hapi i fundit, vendimi i dhjetorit, nuk e di në çfarë rrethane, por ishte një hap prapa i presidentit të FIFA-s”. Në lidhje me idenë e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Duka tha. “Futbolli duhet ndihmuar, duhet ngritur e pastaj duhet përdorur. Unë nuk e di se a është duke u përdorur apo duke u ndihmuar. Ajo që di është se FSHF-ja e FFK-ja kanë kontribuar maksimalisht për zhvillimin e futbollit dhe për bashkimin e shqiptarëve. Nuk mungon vullneti ynë, ndërsa praktikisht duhen parë pengesat dhe duhen bashkuar forcat për t’i kapërcyer këto pengesa. Faza finale është anëtarësimi i Kosovës, i cili i bën të dyja federatat të vendosin dhe të kenë të drejtat të bëjnë organizime të kampionateve të përbashkëta”.

 Mancaku do një biletë për në Ligën e Europës

 Skuadra e Teutës, që e mbylli në vend të dytë fazën e parë të kampionatit, i ka nisur përgatitjet për 2013-ën që më 3 janar, ndërsa në ditët në vazhdim do të vendoset nga drejtuesit se ku do të zhvillohet faza përgatitore. Një nga lojtarët më me shumë eksperiencë tek ekipi durrsak, Bledar Mancaku, tha për mediat “Faza e parë ishte e mirë për ne, tashmë po përgatitemi për fazën e dytë. Shpresoj ta nisim mirë fazën e dytë, të ruajnë ritmin që patën gjatë fazës së parë. Besoj se do të jemi edhe më mirë në këtë fazë e të qëndrojmë gjithnjë pranë kreut. Presim 2-3 përforcime, që do t’i shtohen grupit që kemi për t’u përforcuar edhe më shumë. Objektivi i klubit është sigurimi i një vendi në Kupat e Evropës dhe, ngado qoftë, nga kampionati apo nga Kupa e Shqipërisë, jam i sigurt se do ta arrijmë”. Teuta do të zhvillojë të shtunën në “Niko Dovana” një ndeshje miqësore me Kukësin, ku do t;i jepet mundësia e aktivizimit lojtarëve të rinj”

 Gjirokastra, në version “maqedonas”

 Luftëtari ka hyrë intesivisht në merkato dhe deri tani ka afrua tre lojtarë të rinj, që të gjithë të huaj. Bëhet fjalë për portierin Petar Basnakoll dhe mesfushorin Aleksandër Tenekedoviç.

Të dy këta u vunë nën urdhrat e trajnerit Edi Martini. Portieri Peter Bashokoviç (32 vjeç) është aktivizuar në Suedi, Bullgari dhe së fundi me Dritën e Tetovës. Në Gjirokastër pritet të mbërrijë dhe serbi Milan Nikoliç.

 Pashaj, në fokusin e Vllaznisë

 Largimi i mundshëm i Tefik Osmanit ka krijuar nevojën e gjetjes së një mbrojtësi tjetër për qendrën e këtij reparti tek Vllaznia. Lajmet që vijnë nga kryeqyteti, bëjnë të ditur se kuqeblutë kanë shfaqur interes për mbrojtësin e Tiranës Entonio Pashaj. Ka qenë vetë lojtari ai që e ka pohuar një ofertë të tillë por në fakt, ky futbollist është nën kontratë me bardheblutë dhe mundësia për të lëvizur duket shumë e vështirë. Përveç Vllaznisë, thuhet se edhe Flamurtari e kërkon këtë lojtar.