Në Shkodër sfidë e vështirë, por jashtë nostalgjisë, synojmë fitoren

629
Nga Agron KAJA
VLLAZNIA-LUSHNJA/ Për ndeshjen e prapambetur të javës së 10-të, flet për “Telegraf” trajneri i Lushnjes, Hysen Dedja
Sot do të luhet ndeshja e prapambetur e javës së 10-të, ku në Shkodër, Vllaznia vendase pret Lushnjen, të dyja skuadrat që renditen në vendet e fundit në tabelë. Por, veç anës teknike që ka kjo sfidë, veçohet edhe për një fakt tjetër, pasi trajneri i Lushnjes Hysen Dedja, është shkodran dhe me këtë skuadër ka luajtur mbi 15 vite në karrierën e tij. Por, tekniku i Lushnjes nuk e sheh këtë rast si një nostalgji jashtë profesionalitetit. “Natyrisht që të tilla situata si kjo imja nesër (sot) në Shkodër, ka pasur, ka dhe do të ketë në çdo sport, dhe jo vetëm në futboll. Duke ju përshtatur këtij realiteti, unë si trajner i Lushnjes, e kam përgatitur skuadrën me synimin për fitore”, kështu deklaroi dje për gazetën “Telegraf” trajneri i Lushnjes, Hysen Dedja, i cili në këtë prag të ndeshjes së sotme në Shkodër, e ka përgatitur skuadrën jashtë emocioneve që krijoi humbja e javës së shkuar me Flamurtarin. “Natyrisht që ato tri pikë që lamë në ndeshjen me Flamurtarin, na kanë “djegur” shumë, por tashmë ajo situatë ka kaluar, sepse profesionizmi nuk të lejon ecuri të mirë në vazhdimësinë e garës, nëse mbetesh vetëm nostalgjik. Pas ndeshjes me Flamurtarin, kemi qenë të përqendruar vetëm te organizimi i kësaj ndeshjeje me Vllazninë, pasi unë e shoh që këtu në skuadrën e Lushnjes ka mundësi për t’u rritur si në lojë, por edhe për të marrë më shumë pikë”. Në 10 ndeshjet që Lushnja ka luajtur, ka grumbulluar vetëm 5 pikë, duke arritur 1 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje, një bilanc ky që këtë skuadër jo vetëm që e ka pozicionuar në vendin e fundit të tabelës së renditjes, por e mban edhe më afër rënies nga Kategoria Superiore. Por, trajneri Dedja, i sfidon këto tregues, teksa për gazetën “Telegraf” deklaroi se, gara vazhdon dhe gjithçka mund të ndodhë. “Ne po punojmë për të dalë nga kjo situatë në fundin e renditjes, dhe për këtë synim jemi optimist. Nuk shohim diferenca të mëdha me shumë skuadra, por duke qenë se Lushnjes i kanë munguar vetëm pikët dhe jo loja, kjo na mban me shpresën se mundësitë e mbijetesës janë të mëdha. Në këtë ndeshje, për skuadrën lushnjare do të ketë edhe mungesa, ku përveç mbrojtësit Arbër Mone që ka plotësuar 4 kartonët e verdhë, do të mungojnë edhe sulmuesi Pepa me mesfushorin Shkulaku, të dy të dëmtuar, ndërkohë që ende mbeten mes dëmtimit e rikuperimit sulmuesi Branica, mbrojtësi Xhafa dhe mesfushori Koreshi. Lushnja është skuadër që debuton në këtë sezon në Kategorinë Superiore, dhe faza e parë duket se nuk e ka përshtatur mirë me futbollin e elitës.
Sigal