Sigal

Ndërkohë që dy ditë na ndajnë nga përballja e Shqipërisë me Skocinë, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën C, Grupi 1 në “UEFA Nations League”, tifozët skocezë prej ditësh kanë mbërritur në Shqipëri.

Por ajo që bie në sy krahas veshjes së tyre me fustanellat tipike skoceze, është edhe gjesti simbolik i bërë prej tyre, të cilët kanë dhuruar një çek prej 5 mijë stërlinash për fëmijët shqiptarë.

Në stadium pritet të jenë rreth 2 mijë tifozë skoceze, të cilët kanë disa ditë që kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë përfituar nga kjo vizitë për tu njohur me kryeqytetin tonë.

Ajo që bie më së tepërmi në sy është veshja e tifozëve skocezë. Ata shfaqen në rrugën e Tiranës të veshur me fustanella tradicionale “kilt” dhe me fanellat e Kombëtares së tyre.

Bëhet e ditur se grupimi “Tartan Army” ka krijuar prej rreth 15 vitesh një nismë ku shumë prej tifozëve mbledhin fonde gjatë vitit për vizitat që bëjnë në vende të ndryshme dhe sidomos ato në nevojë, duke dhënë para kryesisht për spitalet apo qendrat që merren me fëmijët që kanë nevojë për asistencë.