Në Norvegji nuk fitohet me eksperimente dhe me “alla-katenaçio”!

578
Sigal

KOMBËTARJA/ Ja pse në ndeshjen e sotme kuqezinjtë tanë duhet të evitojnë gabimet e së shkuarës

Nga përballja e fundit me Slloveninë kur fituam 1-0, kanë kaluar pesë muaj dhe Kombëtarja jonë mban vendin e 3-të në renditjen e Grupit E eliminator të “Botërori 2014”, një vend të cilit duket se i gëzohet shumë, tashmë që do të udhëtojë në Norvegji në ndeshjen e katërt në këtë kuadër. Natyrisht që do të jetë një ndeshje e fortë për kuqezinjtë tanë, natyrisht që balancat janë të dukshme dhe nordikët janë më superiorë, por euforia e pragndeshjes se edhe mund të fitojmë, ndoshta mund të kthehet në një minë me sahat për këtë 90- minutësh përcaktues për vazhdimësinë. Ndoshta mund të jetë edhe një horoskop i mirë kjo taktikë, pa e paragjykuar, por duke e parë realitetin në sy për të dyja skuadrat, ndoshta strategjia e kësaj pragndeshjeje duhet të ishte edhe më elastike. Pse? Jo vetëm për argumentin e mësipërm për historikun midis Norvegjisë e Shqipërisë së futbollit që anon nga norvegjezët, por edhe për një detaj shumë thelbësor që duhet të jetë A-ja e teknikut Italian Xhani De Biazi. Në Norvegji nuk duhet të ketë shumë eksperimente emrash, sikundër edhe me Islandën në Tiranë, e cila na mundi me meritë 2-1. Sepse edhe për këtë ndeshje kështu u fol, me këto doza euforie (që po të ishin më realiste nuk do të ishin keq ta vinin në “gjumë” kundërshtarin). Është thënë nga tekniku ynë se do të ketë emra të rinj në formacion, do të ketë edhe taktikë të re. Dakord, po “alla-katenaçio” italiane (taktikë e futbollit mbrojtës italian)  mund të luajmë ne me këtë kontingjenti lojtarësh, dhe, ai i përshtatet kjo taktikë një kundërshtari si Norvegjia që fizikisht është shumë më lart nga skuadra jonë? Çfarë mund të nxjerrim ne prej saj në 90 minuta kësisoj, këtu duhet parë “kleçka” e kësaj ndeshjeje, që në pragun e saj thuhet se është një trampolinë për të shkuar në Botëror. Sa kualitete ka De Biazi që të luajë kështu, nëse themi që në mbrojtje vetëm dy lojtarë janë adapt që mund ta përballojnë këtë taktikë. Madje Cana thuhet se ka një dëmtim që mund ta lerë edhe jashtë formacionit (mos e dhëntë zoti), e kësisoj ne do të bëhemi “murr Berlini” para norvegjezëve, që mund të na kthejnë në një “tabelë qitjeje”. Kjo mund të sjellë si zakonisht në këto raste, shthurje në lojë, e cila si përfundim ka ndëshkimin. Pa hyrë në linjën e trajningut, duhet thënë se të gjithë trajnerët e huaj që kanë drejtuar Kombëtaren tonë, i kanë bërë këto “vickla” taktiko-teknike, të cilat në fund i kanë “mbrojtur” me elementët që ka skuadra jonë. Pas Norvegjisë, nëse luhet kështu dhe dalim të humbur, edhe De Biazi do ta ketë bërë gati togfjalëshin “… kaq janë mundësitë”, por këtë e kemi dëgjuar si një refren në këto 15 vitet e fundit, në gjuhën italiane nga Dosena, në atë gjermane nga Brigeli, në kroatisht nga Bariç dhe Kuzhe, njëherësh edhe në holandisht nga Han, sa që kjo na është bërë shprehja më bajate pas çdo evenimenti europian e botëror. Të mos jemi të tillë, sepse Shqipëria e topkëmbës kombëtare ka nevojë edhe për moral përballë çdo kundërshtari, jo vetëm për taktika të ndryshuara dhe djem të rinj që sfidojnë formacionin. Ndoshta kemi nevojë të dimë në fushë se cilët jemi dhe, që të marrim sikur edhe një barazim në Norvegji, na duhet të jemi më të qartë dhe më të fortë fizikisht gjatë lojës. Në stadiumin me bar sintetik ku do të luhet kjo ndeshje në Norvegji “Ullevall Stadium”, pak nga lojtarët tanë janë të ambientuar, e këtu taktika “alla-katenaçio” ndoshta duhet parë më shumë si një kurth kundër kundërshtarit, se sa një armë që do të na bënte me krahë në këtë takim. Thënë më troç, nuk duhet që De Biazi të përsëritë gabimet që bëri në ndeshjen me Islandën, por edhe në miqësoren e fundit me Gjeorgjinë. Gabim pas gabimi, nuk është mirë as për CV-në e vet teknikut, mendo më pas për një Shqipëri që predikon ngjitjet në renditjen e grupit E eliminator. Nëse nga Norvegjia dalim sikur edhe me një barazim, do të jemi të fituar jo për 1 pikë, por për lojën që do të servirim në shërbim të saj. Nëse dalim të fituar nga kjo ndeshje, natyrisht që kritikat do të jenë me pikatore, por po dolëm të humbur, De Biazi “të gjejë vend të futet” (pa keqkuptim), se nuk mban më ujë pilafi me justifikime. Një herë të falet, por kur përsëritet është gabim që ndëshkohet. Të shpresojmë më të mirën, edhe pas këtyre radhëve që e “pickojnë” paksa bankinën tonë të Kombëtares sonë në pragndeshjen Norvegji-Shqipëri.

  Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Sot, 22.03.2013

Slloveni-Islandë           18:00

Norvegji-Shqipëri    19:00

Nesër, 23.03.2013

Qipro-Zvicër         17:30

RENDITJA

Ekipi           N    F    B    H    P

1. Zvicra       4    3    1    0    10

2. Norvegjia    4    2    1    1    7

3. Shqipëria    4    2    0    2    6

4. Islanda      4    2    0    2    6

5. Sllovenia    4    1    0    3    3

6. Qipro        4    1    0    3    3

NDESHJET E SHQIPËRISË

2012

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

2013

Norvegji-Shqipëri    22.03

Shqipëri-Norvegji    07.06

Slloveni-Shqipëri    06.09

Islandë-Shqipëri           10.09

Shqipëri-Zvicër      11.10

Qipro-Shqipëri       15.10

Kombëtarja, 2300 km në ajër

 Delegacioni kuqezi udhëtoi dje para dite nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, “Nënë Tereza”, për të mbërritur në orët e pasdites në Oslo. Një udhëtim i gjatë, prej 2294 km në vijë ajrore, por që kaloi përmes humorit dhe batutave të lojtarëve. Kuqezinjtë u nisën me shi nga rezidenca e tyre në hotel “Tropikal” (në Durrës), ndërkohë që u përballën me të ftohtin e hidhur norvegjez, përpara të sistemoheshin në hotelin “Radisson Blue”.

Vlerësimi

Henriksen: “Shqipëria, me teknikë të lartë”

 Kampi norvegjez është i gjithi entuziast para ndeshjes me Shqipërinë, por ka dhe nga atë lojtarë që janë të ndërgjegjshëm se sfida është shumë e vështirë. Mesfushori i kombëtares norvegjeze, Markus Henriksen, në një intervistë për faqen e zyrtare “FIFA”-s (Fifa.com), paralajmëroi se ndeshja kualifikuese me Shqipërinë do të jetë tepër e vështirë dhe e rëndësishme për fatet e grupit. “Do të jetë një ndeshje e vështirë. Shqipëria ka cilësi shumë më të mira nga ato që mendojnë disa. Në të vërtetë, ata janë një skuadër shumë e mirë, me aftësi dhe teknikë të lartë. Megjithatë, ne luajmë në shtëpi dhe kemi besim tek fitorja. Duhet të bëjmë gjithçka për të nisur sa më mirë këtë vit për kombëtaren, në ndeshjen e saj të parë zyrtare”, – tha futbollisti i AZ Alkmarit në Holandë. 20-vjeçari theksoi gjithashtu se një sukses ndaj kuqezinjve, do të vendoset Norvegjinë në rrugën e duhur për të realizuar “ëndrrën e madhe”. “Pjesëmarrja në një Botëror me vendin tënd është përvoja më e bukur që mund të ketë çdo futbollist. Fakti që ky Botëror zhvillohet në Brazil e bën edhe më të bukur këtë. Do të ishte e mrekullueshme nëse do të arrijmë t’ia dalim mbanë”, shtoi Henriksen. Pas dy fitoresh dhe dy humbjesh në katër ndeshjet e para, ekipi ynë përfaqësues luan nesër në Oslo, përpara se të presë të martën Norvegjinë në Tiranë. Të premten, do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër e grupit tonë, midis Sllovenisë e Islandës, ndërsa Zvicra e Qipro mbeten pushim.

 PRECEDENTËT

 NORVEGJI-SHQIPËRI 2-2

E mërkurë, 14 tetor 1998

Shënues: Rekdal 82’ (p), Berg 88’ / Bushi 38’, Tare 52’

Stadiumi “Uleval”, Oslo, 17 700 shikues

Kualifikueset e Euro 2000

Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj, Haxhi, Bushi (84’ Halili), B.Kola (90’ Dalipi), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

SHQIPËRI-NORVEGJI 1-2

Shënues: Tare 13’/ Iversen 3’, A.Flo 83’

E shtunë, 5 qershor 1999

Stadiumi “Qema Stafa”, Tiranë, 12 mijë shikues

Kualifikueset e Euro 2000

 Shqipëria: Strakosha; Shulku, Xhumba, R.Vata, Lala, Fakaj (63’ Bellai), Haxhi, Bushi, B.Kola (70’ Duro), Tare, Rraklli (81’ Bogdani). Trajner: Astrit Hafizi

 Bastet zhvlerësojnë Shqipërinë

 Kompanitë e basteve janë treguar të “pamëshirshme” ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar dukshëm një ekip shumë inferior në raport me Norvegjinë, ndoshta dhe për faktin se takimi luhet në Oslo. Fitorja e Shqipërisë vlerësohet me koeficientin 8.35, ndërkohë që ajo e Norvegjisë me 1.36. Barazimi është fiksuar në 4.5.

Bilbila armiqësore në “Uleval”

Norvegji-Shqipëri do të gjykohet nga holandezi Berni Rajmond Blom, i njohur me emrin Kevin Blom. Gjyqtari nuk është i panjohur për Kombëtaren tonë, pasi na ka gjykuar në ndeshjen Bosnjë-Shqipëri 2-0, më 7 qershor 2011 (në Zenica), për eliminatoret e Euro 2012. Në atë takim, Blom ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Andi Lila.

SHQIPËRIA

Samir Ujkani    Kievo

Etrit Berisha   Kalmar

Orges Shehi     Skënderbeu

Lorik Cana      Lacio

Debatik Curri   Genshlerbirlixhi

Andi Lila       PAS Jannina

Mërgim Mavraj   Greuther Furth

Franc Veliu     Flamurtari

Elseid Hysaj    Empoli

Tefik Osmani    Teuta

Armend Dallku   Vorskla Poltava

Odise Roshi     FSV Frankfurt

Alban Meha      Paderborn 07

Emiliano Vila   PAS Jannina

Migjen Basha    Torino

Ansi Agolli     Qarabak

Armando Vajushi Liteks Loveç

Ervin Bulku     Sepahan

Valdet Rama     Real Valladolid

Sabien Lilaj    Skënderbeu

Jahmir Hyka     Lucern

Armando Sadiku  Lugano

Erjon Bodgani   Siena

Edgar Çani      Katania

Hamdi Salihi    Jiangsu