Në Korçë dhe në Shkodër, raste që orientohen te kronika e rrugës

710
Nga Agron KAJA
KËNDVËSHTRIM/ Gjatë javës së shkuar, atmosfera e topkëmbës shqiptare u pështjellua nga dy momente të pazakontë
Ndoshta do të kujtohet gjatë java e shkuar, e cila në futbollin shqiptar pati dy kulme, sa të veçanta nga natyra mes tyre, aq edhe ndikues në atmosferën e futbollit tonë superior. Në Korçë dhe në Shkodër u kaluan dy momente, të cilët ishin “debutues” në këtë atmosferë. Themi debutues, sepse zhvillimet e tyre kanë qenë për herë të parë në këtë atmosferë, për ta bërë edhe më vibrante vazhdimësinë. Duke u ndalur fillimisht në Korçë, ku një protestë qytetare e shoqëruar me deklarime të personave publikë e shtetarë, na ka sjellë në kujtesë vite të shkuara, kur qytetarët dilnin në protesta për ndryshimin e sistemit politik, por edhe për humbjen e lekëve të tyre në firmat piramidale e në mitingje politike. Dhe në Korçë kështu ndodhi, ku mijëra qytetarë protestuan paqësisht për një vendim të mundshëm të UEFA-s ndaj skuadrës së futbollit të qytetit të tyre, Skënderbeut. Çfarë vlera ka një protestë e tillë dhe kujt iu drejtua për zgjidhje? Vlerat janë qytetare, ndërsa si drejtim, në këtë rast pedana korçare ka rrahur shumë lart. Natyrisht që, është e drejta e tyre të protestojnë, e në këtë rast me një gjest të lartë kulture, si Korça e ka në traditën e saj, por aty nuk ishin për punësimin, nuk ishin për energjinë elektrike, apo për pensionet dhe ndihmat ekonomike. Ishin për futbollin, një pjesë e jetës së këtij qyteti, skuadra e të cilit ka kapur majat e historisë në futbollin shqiptar. Këtu është për t’u falënderuar, se edhe vetë historia nuk i mohon këto vlera, por këtu duhet që këtë protestë ta zhvillonin pasi të ishte mësuar zyrtarisht, se brenda skuadrës nuk kishte dorë në atë akuzë që UEFA pretendon se ekziston, në trukimin e disa ndeshjeve nga skuadra e Skënderbeut. Parë kështu, në Korçë kjo protestë mori vlera qytetarie, edhe për mënyrën paqësore që u zhvillua, por në rregulloren e UEFA-s këto nuk parashikohen për të zbutur vendimmarrjet për raste ndëshkuese. Ndaj prej saj ndoshta nuk pritet ndonjë Apel, sepse do të ishte një Guinnes që nuk ka ndodhur në historinë e UEFA-s. Dhe nga Korça, ngjarjet e futbollit u deleguan në Shkodër, aty ku trajneri i skuadrës së futbollit, Ernest Gjoka, u sulmua nga një person i armatosur me thikë. Edhe ky mbetet një rast i veçantë që nuk duhet nënvleftësuar, sepse nuk kishim dëgjuar, të paktën që nga viti 1997, që të sulmohej një trajner për ta asgjësuar. Thika në dorën e agresorit, nuk duhet të ketë qenë për t’i treguar Gjokës që ta maste gjatësinë e tehut të saj, por falë kundërveprimit të tij dhe ndërhyrjes së personave të tjerë aty pranë, ky rast u mbyll pa viktima, dhe thika mbeti e ftohtë në dorën e atij “sulmuesi”që paramendohet se është një qejfmbetës ndaj mosaktivizimit në lojë. Do të ishte një Mega-skandal po të ndodhte, ndërsa ai agresor tashmë i ka mbyllur dyert e tij në futboll. Ai vetë ka hapur dyert e krimit, ndërsa aktorët e tjerë të mos bëjnë sikur nuk e njohin qytetarin e tyre që vetëm një kapuç e dallonte prej tyre. 
Në Korçë dhe në Shkodër u kaluan dy momente, të cilët ishin “debutues” në këtë atmosferë. Themi debutues, sepse zhvillimet e tyre kanë qenë për herë të parë në këtë atmosferë, për ta bërë edhe më vibrante vazhdimësinë e futbollit tonë superior
Përleshja e tifozëve në Korçë
Si të mos mjaftonin dy momentet e përshkruara në këndvështrimin e mësipërm, tifozët në Korçë i kanë vënë “kapakun” ngjarjeve në atmosferën sportive të javës së shkuar. Të shtunë para fillimit të takimit Skënderbeu-Partizani, ka pasur përleshje mes tifozerive, por që në fund vetëm tre të ndaluar janë bërë objekt i policisë, e cila i shpërndau duke bërë detyrën. Po çfarë deshën këta njerëz të zgjidhnin me atë kacafytje pa vlerë?!
Sigal