Në kërkim të trajnerit, FSHF-ja “sistemon” stafin teknik

518
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Pas largimit të De Biazit si trajner i përfaqësueses sonë, vazhdojnë “kërkimet” për bankinën e re kuqezi
Kjo stinë e nxehtë, e solli si të papritur situatën në stolin e Kombëtares sonë të futbollit, pas dorëheqjes së Xhani De Biazit nga posti i trajnerit. Nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është deklaruar ditë më parë, se trajneri ende mbetet pezull, edhe pse një lumë emrash vijnë thuajse çdo ditë në telefonin e tij. Megjithatë, ndryshe nga sa pritet, presidenti Duka ka vendosur që, përpara se të mendojë për pasardhësin e De Biasit, të vendosë për pasardhësin e Paolo Tramexanit, pra për postin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare. Ky post ka mbetur vakant që nga muaji dhjetor 2016, kur zëvendësi i De Biasit mori drejtimin e skuadrës së Luganos në Zvicër. Dhe që nga ajo periudhë, Armand Duka i kërkoi sugjerime edhe De Biasit për dikë që mund ta bënte këtë detyrë, dhe emri i parë i përmendur nga italiani, ishte ai i Xhankarlo Kamolezes, e si i tillë, ai duket se do të mbetet një kandidaturë e fortë për postin e drejtorit teknik. Kamoleze ka drejtuar skuadra si Torino, Rexhina, Viçenza apo Livorno, por nga FSHF-ja janë kontaktuar edhe Masimo Pisheda, një trajner me shumë eksperiencë në ekipet kombëtare, pasi ka drejtuar thuajse të gjitha ekipet e moshave të kombëtares italiane: U17, U18, U19 dhe U20, ndërsa kandidatura tjetër e ofruar është ajo e Masimo Morgia. Kështu, i mbetur në dorë të një stafi teknik disi të reduktuar, e që kryesohet për momentin nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, presidenti i FSHF-së ka menduar që nga dita e hënë t’i kontaktojë edhe nga afër këta emra, për të mbyllur si fillim çështjen e drejtorit teknik, dhe më pas, duket se do të jetë më e afërt dita për zgjidhjen e çështjes së trajnerit, e cila momentalisht duket më komplekse. Këtë situatë e konfirmojnë edhe burime në FSHF, të cilët duke ngritur supet për më shumë, e lenë gjithçka të nënkuptueshme, se trajneri i ri i Kombëtares shqiptare do të jetë italian, ndoshta brenda këtij muaji. Ndërkohë, është bërë publike ardhja e Xhani De Biazit këtë fundjavë në Tiranë, i cili në një rrugë do të kryejë dy punë. Këtë herë, ai vjen për lamtumirën zyrtare, si dhe për të marrë një titull nderi nga Presidenti i Republikës. Njëherësh, duke qenë i regjistruar si votues në zgjedhjet e 25 qershorit, De Biazi ndoshta do ta kryejë edhe këtë formalitet, që për të është hera e parë.
Sigal