Sigal

Nga Agron KAJA

Në Berlin të Gjermanisë, nga data 7 gusht 2018 është duke u zhvilluar Kampionati Europian i Atletikës, në të cilin marrin pjesë edhe tre atletë shqiptarë: Izmir Smajlaj në kërcim së gjati, Luiza Gega në 3000m me pengesa, dhe Klaudio Makaj po në kërcim së gjati. Në ditën e parë, Kampioni i Europës, Izmir Smajlaj, u kualifikua në finale pasi që në provën e parë arriti të kualifikohej. Kërcimi i tij ishte 7.71 metra, në proven e dytë dështoi, ndërsa e treta ishte më e dobët, vetëm 7.60 metra. Me këtë hedhje, shkodrani hyri në grupin e finalistëve duke u renditur në vendin e 7-të në Baterinë A kualifikuese, dhe sot në ora 19:40, të gjithë shqiptarët do të jenë me sy e veshë nga Berlini. Vetë shkodrani ka deklaruar pas garës, se të mërkurën (sot) ai do të tregojë potencialin e tij të plotë. “Në provat kualifikuese nuk isha në formën time më të mirë. Kjo nuk më justifikon, ndaj them se të mërkurë do të tregon forcën time të vërtetë. Do të synoj më shumë se san ë kualifikuese”, ka thënë mes të tjerave Smajlaj pas garës së parë në Berlin. Në këtë event të madh të atletikës europiane, pas Smajlajt do të garojë edhe atletja Luiza Gega, kun ë garën e 3000m me pengesa, atletja jonë ka deklaruar se do të jetë në zonën e medaljeve. Në këtë Evropian të atletikës marrin pjesë edhe dy atletë nga Kosova. Atletja Gresa Bakraqi, dje e përfundoi gariën e saj në Kampionatin Evropian të atletikës. Ajo garoi në disiplinën 800 metra dhe doli e fundit në baterinë e saj, me kohë 2:14.22 sekonda, duke mos arritur të kualifikohet në gjysmëfinale. Të enjten garon Musa Hajdari në garën 800 metra. Gjithsesi, të gjitha shpresat për një medalje në këtë event të atletikës europiane, janë sot te shkodrani Izmir Smajlaj, pse jo edhe te Luiza Gega. Të dy këta atletë të mëdhenj shqiptarë, ndoshta kanë momentin që të tregojnë se sa vlejnë, pas rezultateve të larta që kanë arritur në eventet e kaluara të atletikës. Deri dje, në fituesit e garave të zhvilluara, Ukraina kryesonte me medaljet e fituara.