Në gjashtë ndeshjet e para, rekordi është i De Biazit

568
Sigal

Italiani po hyn në histori, si trajneri më i suksesshëm i të gjitha kohërave i Kombëtares

Xhani De Biazi i ka të gjitha mundësitë të hyjë në historinë e futbollit shqiptar, si trajneri më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Shqipëria barazoi 1-1 më Norvegjinë, të premten e kaluar në “Qemal Stafa”, në një prej sfidave më të rëndësishme, çka i mundëson të ëndërrojë për finalet “Brazil 2014”. Pas gjashtë ndeshjeve të para, me 10 pikë të grumbulluara dhe vendi e dytë në renditje trajneri italian Xhani De Biazi i ka kaluar të gjithë paraardhësit e tij, shqiptarë dhe të huaj. Konkretisht, Kombëtarja e De Biazit ka fituar me Qipron, Slloveninë dhe Norvegjinë, ka barazuar më Norvegjinë, si dhe ka ka humbur me Zvicrën dhe Islandën. Aktualisht, renditja e grupit E është: Zvicra 14 pikë, Shqipëria 10, Islanda 9, Norvegjia 8, Sllovenia 6 dhe Qipro 4.

TRAJNERËT SHQIPTARË

Në eliminatoret e Botërorit 1966, pra dhe kur u vendosën grupet nga FIFA, Shqipëria me trajnerin Zyber Konçi (5 ndeshje) dhe Loro Boriçin (1 ndeshje) grumbulloi vetëm një pikë në gjashtë ndeshjet e para, duke humbur nga dy herë me Holandën dhe Zvicrën, si dhe Irlandën e Veriut, ndërkohë që ndaj kësaj të fundit Loro Boriçi barazoi 1-1.  Në kualifikueset e Euro 1968, spikat barazimi i madh 0-0 i Loro Boriçit me Gjermaninë Perëndimore, më 17 dhjetor 1967 (në Tiranë), e që i nxori jashtë gjermanët nga finalet e Europianit në fjalë. Por, gjithsesi, vetëm një pikë në katër ndeshje pas dy humbjeve me Jugosllavinë dhe një tjetre me Gjermaninë. Nuk pati ndeshje të pestë, pasi në grup ishin vetëm tri skuadra. Edhe për Euro 1972, Loro Boriçi grumbulloi vetëm katër pikë: një barazim 1-1 me Poloninë në “Qemal Stafa” dhe një fitore 3-0 me Turqinë (në ndeshjen e gjashtë). Në katër takimet e tjera, katë humbjes: 2-0 me Gjermaninë, pas atyre me Poloninë, Turqinë dhe një tjetër me Gjermaninë (1-0). Gjashtë ndeshjet eliminatore të Botërorit 1974 u drejtuan nga tre trajnerë: Loro Boriçi (1 ndeshje), Myslim Alla (3) dhe Ilira Shuke (2). Në katër të parat, asnjë pikë, pra me katër humbje. Në ndeshjen e pestë Ilia Shuke fitoi 1-0 me Finlandën, ndërkohë që humbi të gjashtën me Gjermaninë Perëndimore. Pra, vetëm 3 pikë. Pas një shkëputje prej tetë vjetësh nga arena ndërkombëtare, me një urdhër politik absurd të regjimit të kohës. Shqipëria u rikthye në Europë me rastin e eliminatoreve të Botërorit 1982, ku dhe u regjistrua vetëm një fitore në gjashtë ndeshje: ajo i përket trajnerit Zyber Konçi dhe ndeshjes Shqipëri-Finlandë: 2-0, më 3 shtator 1980, me golat e Sefedin Brahos dhe Millan Baçit. Katër ndeshje u dretjuan nga Zyber Konçi dhe dy nga Loro Boriçi. Për Euro 1984, Shyqyri Rreli grumbulloi vetëm dy pikë në gjashtë ndeshje: barazoi 0-0 me Irlandën e Veriut, në Tiranë, më 15 dhjetor 1982, dhe 1-1 me Turqinë, po në “Qemal Stafa”. Pjesa tjetër e “faturës” janë katër humbje. Në gjashtë ndeshje kualifikueset të Botërorit “Meksikë 1986” u grumbulluan pesë pikë: u regjistrua fitorja e bujshme ndaj Belgjikës: 2-0 (22.12.1984) me golat e Arbën Mingës dhe Mirel Josës, por dhe barazimi 2-2 në Poloni, teksa kryesonim 2-1 deri në minutën e 76-të, falë golave të Bedri Omurit dhe Agustin Kolës, si dhe barazimi 1-1 me Greqinë (i trajnerit Ilia Shuke). Tri humbjet na mbajtën në kuotën e 5 pikëve. Drama e madhe u përket eliminatoreve të Euro 1988 (Agron Sulajt: 6 ndeshje, 6 humbje), Botërorit 1990 (Shyqyri Rrelit: 6 ndeshje, 6 humbje). Në Euro 1992, trajneri Bejkush Birçe mori vetëm një fitore në 6 ndeshje (5 humbje): fitorja është ajo 1-0 ndaj Islandës (26 maj 1991). Pikët rikthehen në kualifikueset e Botërorit 1994: Birçe grumbulloi katër pikë në gjashtë ndeshje, falë fitores 1-0 me Lituaninë (gol i Eduard Abazit) dhe barazimit 1-1 me Letoninë. Për Euro 1996, Neptun Bajko mori tri pikë, kjo falë fitores 3-0 me Moldavinë, ndërkohë humbi me dy herë me Gjermaninë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë. Për Botërorin 1998, Neptun Bajko (3 ndeshje) dhe Astrit Hafizi (3 ndeshje), grumbulluan vetëm 1 pikë: barazimi 1-1 me Armeninë (Bajko). Hafizi ndeshjen e tij, atë kundër Ukrainës, nuk e luajti në Tiranë, por në Granada të Spanjës (humbi 1-0), dhe po në Granada humbi kundër Gjermanisë. Për Euro 2000, Hafizi mori tre barazime në gjashtë ndeshje: ndaj Norvegjisë, Greqisë dhe Letonisë, por humbi me Gjeorgjinë, Norvegjinë dhe Letoninë,  duke u ndalur në kuotën e 3 pikëve. Po kaq pikë mori dhe Medin Zhega për kualifikueset e Botërorit 2002, por spikat fitorja 2-0 me Greqinë (11 tetor 2000), me golat e Alban Bushit dhe Ervin Fakajt. Pjesa tjetër janë katër humbje, përfshirë dhe atë me Anglinë në Tiranë.

TRAJNERËT E HUAJ

Me fushatën eliminatore Euro 2004 nis epoka e trajnerëve të huaj, kjo dhe për shkak të preferencave të presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në dy ndeshjet e tij, italiani Xhuzepe Dosena grumbulloi vetëm një pikë: 1-1 me Zvicrën (humbi 4-1 me Rusinë, në Volgograd), ndërkohë që në dy ndeshjet e tij, pasuesi gjerman Hans-Peter Brigel grumbulloi katër pikë: një fitore madhështore 3-1 me Rusinë në Shkodër (29.03.2003) dhe në barazim 0-0 në Irlandë, pasi humbi në ndeshjen e pestë me Irlandën. Pra, pesë pikë në gjashtë ndeshje. Për eliminatoret e Kupës së Botës 2006, gjermani Hans-Peter Brigel grumbulloi gjashtë pikë: dy fitore dhe katër humbje, por mbi të gjitha spikasin dy ngjarje, fitorja 2-1 ndaj Greqisë, të porsa shpallur Kampione e Europës, me golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt, por dhe fitorja e arritur ndaj Kazakistanit, 1-0 në Almati, me një gol të shënuar nga Alban Bushi. Kjo është dhe fitorja e parë në transfertë, duke marrë në konsideratë vetëm pesë ndeshjet e para (e dyta është ajo me Norvegjinë, më 22 mars 2013, e De Biazit). Për Euro 2008, kroati Oto Bariç grumbullo i  gjashtë pikë, ku spikasin dy barazime jashtë: 2-2 në Bjellorusi dhe 0-0 në Bullgari, si dhe fitorja 2-0 me Luksemburgun. Koeficient të mirë pikësh mori edhe holandezi Ari Han: gjashtë pikë, me vetëm dy humbje në gjashtë ndeshje: një fitore (me Maltën), tre barazime pa gola me Suedinë e Zlatan Ibrahimoviçit në Tiranë (06 shtator 2008) dhe Portugalinë e Kristiano Ronaldos në Braga (15 tetor 2008) dhe Maltën (11 shkurt 2009), si dhe dy humbje 2-0 dhe 1-0 me Hungarinë. Kroati Josip Kuzhe u bë i pari që grumbulloi tetë pikë në gjashtë ndeshjet e para: me 2 fitore ndaj Luksemburgut dhe Bjellorusisë, dy barazime (ndaj Rumanisë dhe Sllovenisë) dhe dy humbje ndaj Bjellorusisë dhe Bosnjës. Në fakt, në stol (protokollin zyrtar) në ndeshjet kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë, ishte ndihmësi i tij, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç (aktualisht drejton Shqipërinë U-17), pasi Kuzhe ishte i shtruar në spital për shkak të një hemorragjie cerebrale. Italiani Xhani De Biazi, në gjashtë ndeshjet e para të tij ka grumbulluar dhjetë pikë, duke vendosur një rekord të paarritur në parë nga asnjë trajner. Tri fitore me Qipron (3-1), Slloveninë (1-0) dhe Norvegjinë (1-0, në Oslo), një barazim 1-1 me Norvegjinë si dhe dy humbje me Zvicrën (2-0, në Lucernë) dhe Islandën (1-2, në Tiranë).

PIKËT SIPAS TRAJNERËVE PAS GJASHTË NDESHJEVE

TRAJNERËT SHQIPTARË

Konçi-Boriçi        1 pikë    Botërori 1966

L.Boriçi                  4 pikë    Euro 1972

Boriçi-Alla-Shuke3 pikë  Botërori 1974

Konçi-Boriçi        3 pikë    Botëror 1982

Sh.Rreli                 2 pikë    Euro 1984

Rreli       -Shuke  5 pikë    Botërori 1986

A.Sulaj                  0 pikë    Euro 1988

Sh.Rreli                 0 pikë    Botërori 1990

B.Birçe                  3 pikë    Euro 1992

B.Birçe                  4 pikë    Botërori 1994

N.Bajko                                3 pikë    Euro 1996

Bajko-Hafizi        1 pikë    Botërori 1998

A.Hafizi                 3 pikë    Euro 2000

M.Zhega              3 pikë    Botërori 2002

TRAJNERËT E HUAJ

Dosena-Brigel    5 pikë    Euro 2004

H.Brigel                                6 pikë    Botërori 2006

O.Bariç                  6 pikë    Euro 2008

A.Han                    6 pikë    Botërori 2010

J.Kuzhe                                8 pikë    Euro 2012

Xh.De Biazi          10 pikë  Botërori 2014

GJASHTË NDESHJET E PARA

Hans-Peter Brigel

(El. BOTËRORI 2006)

Shqipëri-Greqi                  2-1

Gjeorgji-Shqipëri             2-0

Shqipëri-Danimarkë        0-2

Kazikstan-Shqipëri           0-1

Shqipëri-Ukrainë              0-2

Turqi-Shqipëri                   2-0

Bilanci: 2 fitore, 0 barazime,

4 humbje; 6 pikë

Oto Bariç 

(El.EURO 2008)

Bjellorusi-Shqipëri           2-2

Shqipëri-Danimarkë        0-2

Holandë-Shqipëri             2-1

Shqipëri-Slloveni              0-0

Bullgari-Shqipëri               0-0

Shqipëri-Luksemburg     2-0

Bilanci: 1 fitore, 3 barazime,

2 humbje; 6 pikë

Ari Han

(El.BOTËRORI 2010)

Shqipëri-Danimarkë        0-0

Shqipëri-Maltë                  3-0

Hungari-Shqipëri              2-0

Portugali-Shqipëri            0-0

Maltë-Shqipëri                  0-0

Shqipëri-Hungari              0-1

Bilanci: 1 fitore, 3 barazime,

2 humbje; 6 pikë

Josip Kuzhe

(El.EURO 2012)

Rumani-Shqipëri              1-1

Shqipëri-Luksemburg     1-0

Shqipëri-Bosnjë                                1-1

Bjellorusi-Shqipëri           2-0

Shqipëri-Bjellorusi           1-0

Bosnjë-Shqipëri                                2-0

Bilanci: 2 fitore, 2 barazime,

3 humbje; 8 pikë

Xhani De Biazi

(El.BOTËRORI 2014)

Shqipëri-Qipro                  3-1

Zvicër-Shqipëri  2-0

Shqipëri-Islandë               1-2

Shqipëri-Slloveni              1-0

Norvegji-Shqipëri            0-1

Shqipëri-Norvegji            1-1

Bilanci: 3 fitore, 1 barazim,

2 humbje; 10 pikë

2 humbje

kanë regjistruar në gjashtë ndeshjet e para Ari Hani (Botërori 2010), Josip Kuzhe (Euro 2012) dhe De Biazi (Botërori 2014).

3 fitore

Xhani De Biazi është trajneri i vetëm që ka arritur tri fitore në gjashtë ndeshjet e para, kundrejt një barazimi dhe dy humbjeve.

CANA: “MIRË SE VJEN MAVRAJ!”

“Mirë se vjen te Lacio miku im, Mërgim Mavraj. Ku ka më mirë se një skuadër italiane të mbushur me shqiptarë. Jam shumë i lumtur për këtë transferim”. Ky është mesazhi i mbrojtësit shqiptar të Lacios, Lorik Cana, i cili nëpërmjet një mesazhi në “Facebook” ka dashur ti japë mirëseardhjen në Itali mbrojtësit të Greuther Furth, Mërgim Mavraj. Qëndërmbrojtësi i kombëtares shqiptare do ti bashkohet skuadrës së Canës duke filluar nga sezoni i ardhshëm pas akordit që kanë arritur palët.

UJKANI: “DO TË KTHEHEM NË SIÇILI”

Portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, tha për mediat italiane se ai dëshiron të riveshë bluzën e Palermos. “Për momentin jam në Shqipëri dhe nuk jam përballur ende me argumentin në lidhje me të ardhmen time. Sigurisht që do të rikthehem në Palermo, por nuk di ende shumë. Pesë portierë në ekip? E vërtetë, eshtë paksa situatë e çuditshme. Të shohim si do të shkojë. Natyrisht, nëse klubi do të besonte tek mua do të isha krenar, por akoma nuk di asgjë të re”, – tha Ujkani për faqen italiane “LiveSicilia.it”.