Në emër të kujt shoqate dhe cilave vlerave të gazetarisë flisni Ju gazetari Besnik?

948
Sigal

I ndodhur  në Itali si zakonisht lexova me një frymë gazetën “Panorama Sport” të datës 17 Korrik, 2012, papritur pashë opinionin e radhës nga B. Dizdari me titull: “Vlerat olimpike dhe vlerat e gazetarisë”. Duhet të them që në fillim që gazetari i madh B.D, por kryetari shumë i keq i shoqatës Shqiptare të Shtypit Sportiv (ASPA), madje  duhet thënë se ja ka kaluar dhe Enver Hoxhës në cilësinë e një kryetari të keq,  ngre një problem të madh, të prekshëm për bashkëpunimin e KOKSH-it me gazetarët sportive apo përse jo me gjithë aktorët e sportit, Raport që duhet ridemnsionuar, institucionalizuar apo edhe bërë funksional edhe ceremonial.

Por, kushdo lexues, gazetar, sportist gjëja e pare që do të thoshte është, në emër të cilës shoqatë flisni Ju, zoti Besnik? Ju e dini shumë mire që kjo shoqatë ka mbi 20 vjet që nuk është funksionale, nuk bëhen zgjedhje, nuk zbatohet statute, nuk mblidhet, sepse ajo është katandisur në shoqatë për mua pensionistin dhe kryesinë e saj me moshë mesatare 73 vjeç të përbërë nga disa miq të tu të vjetër.

Përse zoti Besnik guxoni të sulmoni KOKSh në emër të gazetarëve vetëm se nuk Ju ka ftuar në mbrëmjen gala? Të gjithë e dimë mirë, që ju e meritoni një ftesë të përjetshme në ceremonitë sportive për kontributin si gazetar, por në asnjë mënyrë si përfaqësues I mbi 500 gazetarëve sportive të cilët ju nuk keni lënë gjë pa thënë për aftësitë  e tyre. Ku ishte kryetari kur gazetarët rrihen, hiqen nga puna, nuk paguhen, punojnë në kushte mizerabël në stadiume, ata gazetarë që ju I shani e kërdisni se përdorin internetin, pra Ju asnjëherë nuk keni përdorur autoritetin e shoqatës për të folur, por sot që nuk u ftuat në mbrëmjen gala ngrini zërin në kupë të qiellit.

Kur janë bërë zgjedhjet e fundit në si themelues Shoqatën Shqiptare të Shtypit Sportiv,(ASPA) ku ju jeni themelues dhe president? Kush ka marrë pjesë, sa anëtarë keni dhe si zbatohet statute?

Ju që sa u preken pak interesat për një ftesë në mbrëmje gala flisni në emër të ASPA a dini gjë sa gazetarë sportive ka? Sa nga ata dine funksionimin  e kësaj shoqate? Çfarë veprimtarie keni zhvilluar, përveç dhënies në ilegalitet kaçakçe të çmimit Mazreku miqve të tu?

Ju duhet të thoni se sa lekë dhe donacione ka dhënë njeriu I mire Silvano Pedrolio për këtë shoqatë dhe ku kanë shkuar ato, që janë përdorur nga ju për të përçarë shoqatën dhe jo për të mbrojtur interesat e gazetarëve? Si janë shpërdoruar kuotat e anëtarësisë, për disa vite dhe të miat?etj,etj. Personalisht e falënderoj Pedrolion  pompave për atë sponsorizim që bën, por ai i jep për shoqatën dhe gjithë besimi i tij shkon për interesa meskine të Dizdarit.

Ju kërkoni që KOKSH të dërgojë Ty apo Grillon,apo Shqarrin ( Të tre me merita të jashtëzakonshme si gazetarë) por tashmë në pension dhe personat që e kanë dënuar me vdekje ASPA-në për interesa të vockla dhe vini re: I kërkon KOKSH-it që  të sponsorizojë gazetarë të gazetave private me lekë shteti, apo nga fondet e sportit? Model i vjetër komunist I dërgimit nga Komiteti i Partisë për të pare se si “ veprojnë” sportistët? Juve  do tu falënderoja në se do të propozonit të shkonte ndonjë sportist i ri apo gazetar i ri i talentuar falas, por gazetaria dhe shoqatë vërtitet tek Besniku i Shoqatës dhe kompani.

Shoqata Shqiptare e Shtypit Sportiv- ASPA e përdorur nga ju kundër Koksh-it është kopja më e keqe e Don Kishotit modern, në pamjen më të shëmtuar, që kërkon të verë nderin e mungesës së ftesës për themeluesin dhe presidentin Besnik Dizdari, por ASPA-Dylqinjë nuk ka, madje këtë e dine të gjithë. E vetmja gjë që e përbashkët e këtij komizmi është qëllimi dhe mosha e luftëtarit Don Kishot me kryesinë e Shoqatës.

Nëse  Kokshi ka gjynahet  veta, i ngrini por jo në emër të ASPA dhe kur Ju preken interesat e mungesës së një ftesa për një mbrëmje gala, sepse kështu bëheni një kryetar shoqate i keq, por i vockëi fare, me një standard komunist të vjetruar: Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë!  Dhe do të ishte në nderin tuaj në faqet e gazetës botoni statutin e shoqatës për gazetarët e rinj, shpallni zgjedhjet e rregullta, bëni një mbledhje të shoqatës, jo në ilegalitet por hapur dhe pastaj kërkoni, i rrisni integritetin kësaj shoqate ashtu si simotrat në Shqipëri e botë dhe pastaj kërkoni, kërkoni sa të doni.

Bëni shoqatën funksionale, jo për mua sepse unë do jem në Londër falë gazetarisë moderne dhe private dhe jo të qenit president i një shoqate që nuk funksionon dhe që kërkon të marrë lekë shteti për të çuar pensionistë në Londër vetëm se i shërbejnë Besnikut apo ASPA së tyre të vjetër sa vetë e shkuar e harruar….