Në 81 vjetorin e lindjes

583
Sigal

Shpendi TOPOLLAJ

Mjeshtri Ramiz Reka, njeriu që i dha boksit fytyrë njerëzore

Nuk mund ta di me siguri se në ç`gjendje emocionale të rënduar, legjenda e boksit Muhamed Ali (Kasius Klei) u shpreh njëherë se “Boksi është një grup të bardhësh që rrinë e shikojnë dy zezakë që shemben në grushte.” Dua të besoj, me atë njohje që kam, se pas futjes së luftimit me grushte në Olimpiadën e 23 – të u ruajt respekti e nderimi për garuesit. Por ajo që e di mirë është se, të paktën, qysh nga viti ’80 i erës sonë, një vit para se të vdiste perandori Vespasian (Titus Flavius Vespasianus), 45.000 spektatorë të Koloseut, patricë e plebej, ulërinin me sa kishin në kokë deri në kupë të qiellit, kur shihnin sesi luftonin deri në vdekje dy gladiatorë fatkeq. Ishte një ndjenjë deri diku e pa shpjegueshme dhe e pakuptimtë e natyrës njerëzore që erdhi duke u zbutur deri në ditët tona, ku soditja e këtij sporti burrëror, argëtimi e kënaqësia që ai të jep, mund të krahasohet me një shfaqje artistike. Natyrisht që dhënia atij e fytyrës humane është rrjedhojë e kulturimit të spektatorëve, e punës së ndershme dhe profesionale të vetë sportistëve, e shumë teoricienëve dhe menaxherëve të boksit, e mediave, ku pa dyshim, në kushtet e vendit tonë, nuk mund të lemë pa përmendur përpjekjet e pareshtura, për ta vënë këtë disiplinë mbi baza plotësisht shkencore të mjeshtrit Ramiz Reka.

Në një shkrim timin për të, e kam quajtur Ramiz Rekën të dashuruarin e përjetshëm me boksin. Dhe kjo shfaqet jo vetëm në vitet e gjata të marrjes së tij me këtë sport, jo vetëm te rezultatet që ai arriti, jo vetëm në mësimdhënien e kësaj lënde si pedagog në Institutin e Përgatitjes Fizike “Vojo Kushi” etj., jo vetëm në shndërrimin e tij në një veprimtar të palodhur për rindërtimin dhe përhapjen e tij pas ndalimit absurd të viteve 60 – të apo në fisnikërinë e tij prej sportisti elitar, dhe drejtësinë si arbitër, por sidomos në shkrimin dhe botimin e mjaft artikujve dhe dy librave të rrallë pedagogjikë me titujt “Boksi” dhe “ABC – ja e Boksit”. Disa herë kampion kombëtar dhe pesë herë kampion i Spartakiadave të Ushtrisë, me ekipe prestigjioze si ai i Durrësit, dhe i “Partizanit”, Ramizi mbeti jo vetëm nxënësi që nderoi edhe dy trajnerët e tij të paharruar Hilmi Reka dhe legjendarin Ali Kastrati, por dhe u bë sportisti i dashur për tifozerinë e gjerë, dhe shoku e miku më i shtrenjtë për sportistët e të gjitha llojeve dhe sidomos për boksierët, madje edhe për ata me të cilët u ndesh ringjeve të ndryshme të Shqipërisë. Kushdo që lexon apo studion librat e Ramiz Rekës, gjen aty historikun e këtij sporti në botë dhe në vendin tonë, por dhe në retrospektivë i parakalojnë plot dinjitet emrat e mëdhenj të atyre personazheve që me punën, veprën dhe përpjekjet e tyre të mëdha dhe ndofta me mungesa elementare, lanë gjurmë të pashlyera në memorien tonë dhe me talentin e treguar dhe dëshirën për fitore në takime ndërkombëtare, na bënë edhe krenar. Ja përse sot, në 81 vjetorin e lindjes së tij, i themi mikut tonë të vyer, djaloshit Ramiz Reka se në rastin tënd e ka pasur plotësisht gabim shkrimtari amerikan Truman Capote kur thoshte se “Jeta është një vepër relativisht e mirë me një akt të tretë të shkruar keq”. I gjithë ky nderim që të bëhet dhe kjo dashuri që tregohet për ty, do të thotë se, ti e pate të gjithë jetën tërësisht të mirë dhe aktin e tretë të shkruar kaq bukur.