Ndeshjet e para të javës së 15-ë të Superligës luhen sot, me katër skuadra që thirren në “apel”

491
Sigal

Sot luhen dy ndeshjet e para të javës së 15-ë të Superligës në mes Kukësi-Apolonia dhe Skënderbeu-Teuta, dy takime që luhen në distancë nga Kukësi dhe Skënderbeu, duke luajtur secila për të arritur fitoren në mënyrë që mos të largohen nga qëllimi i ndjekjes së titullit nga dy kryesueset, Partizani dhe Tirana. Në fakt janë këto dy skuadra që rrëmbejnë vëmendjen e gjerë për shkak të ndeshjes që do luhet të hënën, por deri atë ditë, janë tetë skuadrat e tjera që do të marrin komandën, me secilën prej tyre që kanë synim tre pikët. Sot Kukësi do të luajë në shtëpi ndaj Apolonisë, në një ndeshje që nuk pritet të dhurojë ndonjë surprizë të madhe pasi kuksianët nuk do lejojnë që në shtëpinë e tyre të rrëshqasin ndaj vendit të parafundit në renditje, ndërkohë që edhe ndeshja tjetër e kësaj dite, mes Skënderbeut dhe Teutës luhet në po të njëjtin orar, por në ndryshim nga ndeshja e parë, këtu Skënderbeu do ta ketë më të vështirë të marrë një fitore, pavarësisht se luan në fushën e vet, sepse Teuta pavarësisht rezultateve jo të mira të kohëve të fundit, ka treguar se është një skuadër që zotëron një potencial të mirë dhe që mund tu bëjë dëm gjithmonë skuadrave të  mëdha. Nisur nga kjo, sigurisht që pritet një ndeshje shumë e bukur në Korçë ku edhe rezultati surprizë (fitorja ose barazimi i Teutës) nuk është i pamundur. Në takimet e ditës së nesërme, hapin siparin Laçi-Flamurtari dhe Elbasani Vllaznia, me çiftin e parë që është ndoshta ndeshja më e fortë e javës, pas Partizani-Tirana, ndeshje që vë kokë për kokë dy skuadra që në fillim u panë edhe si pretendente por që me rezultate e fundit u larguan shumë nga kreu, por përsëri mbesin dy ekipet që ndodhen direkt pas katër të parave, duke zënë përkatësisht vendin  e pestë dhe të gjashtë. Fitorja për Laçin do të ishte një ecuri shumë pozitive, duke marrë parasysh edhe atë barazim që arritën ndaj Tiranës, pasi i takoi një kalendar shumë i ngjeshur me dy skuadra të forta njëra pas tjetrës. Takimi i fundit i ditës së nesërme, ai në Elbasan me Vllazninë, do të bëjë bashkë dy skuadra që do të luajnë letrat për të arritur rezultate sa më pozitive. Nga njëra anë është Elbasani që kërkon të rikthehet tek fitorja, ndërkohë që Vllaznia do ta dërgojë në tre numrin e fitoreve rresht këtë fazë të dytë. Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtin orar, me vetëm ndeshjen e ditës së hënë që ka një orar ndryshe nga të tjerat.

 Sot

Kukësi-Apolonia

Skënderbeu-Teuta

Nesër

Laçi-Flamurtari

Elbasani-Tirana

Të hënën

Partizani-Tirana