Ndeshje me shumë kartonë, në ekstrem Tirana merr të 11-ën

526
Nga Agron KAJA
SUPERKUPA E SHQIPËRISË/ U luajt dje në stadiumin “Selman Stërmasi” e 28-ta, e barabartë në lojë, por jo në rezultat
Tirana mbetet Tiranë, në çdo kategori që të luajë. Edhe dje në finalen e Superkupës ndaj Kukësit, skuadra bardheblu nuk tregoi diferenca me Kampionët e Kategorisë Superiore. Ka qenë një ndeshje e luftuar, me pak tension në fushë, por edhe me raste shënimi. Më shumë se sa një prezantim i parë për sezonin e ri, kjo finale dje tregoi edhe pamjaftueshmërinë përgatitore që kanë bërë skuadrat për fillimin e sezonit 2017-2018. Duke u kthyer te ndeshja, pjesa e parë ishte e “mbipopulluar” me kartonë, por edhe me mundësi shënimi. Alijev e Bakaj duhet të kishin shënuar në fraksionin e parë të kësaj finaleje, ndërsa për Tiranën, Mervej, Daja e Çelhaka, duhet të kishin shënuar emrin e tyre në listën e golashënuesve. Gjithsesi, një 0-0 në 45 minutat e para, dhe në të dytën, më shumë fituan kartonët dhe portieri i Kukësit, Koliçi, i cili shmangu disa raste shënimi në portën e tij. Vetëm rasti i Gurit në minutën e 78-të veçohet në këtë pjesë për Kukësin, por dominimi bardheblu ishte evident. Hyrja në lojë e Dokës e përmirësoi disi organizimin e Tiranës, e cila rrezikoi në katër apo pesë raste, por që Sentamu dhe Ngoo nuk arritën të largonin emocionet e tyre në finalizim. Me rastet që ju krijuan, vetëm topin në rrjetë duhet ta kishin shtyrë. Dhe këtë e bëri Hoxhallari në minutën e parë shtesë, ku me një gjuajtje nga 25 m larg, e gjunjëzoi për herë të parë dhe të fundit portierin e Kukësit, Enea Koliçi. Një fitore në ekstrem, por e merituar, një moral më shumë për këtë skuadër, e cila është 24 herë kampione e elitës, por që këtë sezon luan në inferiore, Kategorinë e Parë. Kukësi nuk u duk shumë kompakt në këtë finale, madje 5 kartonët e verdhë dhe kartoni i kuq, e treguan qartë se faza përgatitore nuk i ka sjellë harmonizimin skuadrës. Tifozët e Tiranës të pranishëm në stadium, nuk kanë vonuar që të nisin korin e tyre kundër kundërshtarëve historikë, Partizanit, dhe në momentin kur skuadra e tyre shkoi për t’i përshëndetur, nga tribunat filli kori “kush s’kërcën, është morr i kuq”, por që ju bashkuan edhe futbollistët në fushë. Edhe Ze Maria u përfshi në entuziazmin e momentit, duke kërcyer bashkë me lojtarët e tij, të cilin me siguri do ta dëgjojë shpesh gjatë rrugëtimit në stolin e Tiranës. Kështu, në historinë e 24 Superkupave të luajtura, Tirana e ka fituar atë 11 herë, ndërsa Kukësi vetëm 1 herë. Në vitin 1993 Partizani, në 1996 dhe 1999 Tirana, janë fitues të dyfishtë, Kampionat-Kupë, dhe ndeshjet nuk janë luajtur. Por me vendim të FSHF-së, ndeshjet e Superkupës nuk janë luajtur në 1995 dhe 1997. Fituesja e Superkupës së parë të Shqipërisë është Dinamo, e cila më 11 janar 1989 mundi 2-0 Tiranën, ndërsa fituesja e fundit është Tirana, e cila dje më 6 shtator 2017, mundi 1-0 Kukësin. Superkupa e 28-të, ja le radhën Kampionatit të Kategorisë Superiore, i cili do ti luajë ndeshjet e javës së parë në dy ditë, të shtunën dhe të dielën.
FITUESIT
Tirana 11 herë
Dinamo 2 herë
Skënderbeu 2 herë
Vllaznia 2 herë
Flamurtari 2 herë
Elbasani 1 herë
Partizani 1 herë
Besa 1 herë
Laçi 1 herë
Kukësi 1 herë
Sigal