Sigal

Shqipëria nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në 45 minutat e para në miqësoren ndaj Jordanisë.  Sfida nuk nisi  mirë për Shqipërinë, teksa sinjalin e parë e dhanë miqtë me Bakheet, i cili depërton mjaft mirë në zonë, por goditja e tij është për t’u harruar. Në krahun tjetër Mihaj ishte i pafat në debutimin me kuqezinjtë, pasi u detyrua të braktiste fushën e lojës që në minutën e 6-të, pas një dëmtimi në kavilie.

Kuqezinjtë japin sinjalin e parë në minutën e 11-të me Grezdën, i cili godet jashtë kuadratit pas një pasimi nga Gavazaj, ndërkohë që disa sekonda më pas vonohet në goditje edhe pse ishte në një pozicion të favorshëm. Në minutën e 23-të pas një këmbëngulje të Xhakës dhe Grezdës në krahun e majtë, Lila në fund goditi në hyrje të zonës, por tentativa e tij është ndalur nga mbrojtja mike.

2 minuta më pas Grezda rrëzohet brenda zonës nga një ndërhyrje e Khattab, por arbitri vijoi lojën. Në minutat në vijim, loja është e balancuar, teksa Panucci nuk ka mbetur aspak i kënaqur me futbollistët, duke u bërë shenjë që të sulmojnë më shumë. Në minutën e 44-t vjen aksioni më i mirë i pjesës së parë me Binakun, i cili depërtoi mjaft mirë në krahun e majtë, krosoi në zonë, por goditja e Manaj me të majtën u ndal lehtësisht nmga portieri Yaseen. Trajneri Panucci pritet të bëjë ndryshime të shumta në pjesën e dytë.