Ndeshja me Lihtenshtejnin, Grezda nuk fshihet: Pres të luaj që nga minuta e parë

488
Mesfushori Eros Grezda është duke kaluar një formë mjaft të mirë me klubin e tij Osijek në Kroaci dhe kjo gjë i ka siguruar atij një vend të rëndësishëm në ekipin kombëtar.
Në konferencën për shtyp para gazetarëve, 22-vjeçari nga Gjakova nuk e ka fshehur dëshirën për t’u aktivizuar nga minuta e parë në sfidën ndaj Lihtenshtejnit. Grezda deklaroi gjithashtu se për Kombëtaren është gati të luaj në çdo pozicion kudo qe të thotë trajneri.

Për mundësitë që ka për t’u aktivizuar në Kombëtare
“Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e pare. Kam luajtur në Itali e Luksemburg. Nuk e di sa kam arritur t’i mbush mendjen trajnerëve, por unë gjithmonë kam dhënë maksimumin dhe tani pres që ndoshta të filloj nga minuta e parë dhe të tregoj veten”.

Për komunikimin me Panuçin dhe besimin e trajnerit të ri
“Nuk kam biseduar shumë, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe jemi të përqendruar te stërvitjet që po bëjmë. Trajneri do të provojë gjëra, do bëjë zgjedhjet. Ai do të shikojë cili është lojtari ideal për pozicionet ku luajmë”.

Nëse është gati të sakrifikojë për të luajtur në sulm
“Për Kombëtaren duhet të luajnë në çdo pozicion, kudo që thotë trajneri. Për mua nuk është problem që luaj edhe sulmues, apo mesfushor pas sulmuesit. E rëndësishme është Kombëtarja dhe mundohemi të bëjmë më të mirën”.

Për përjashtimin e Çikalleshit
“Nuk kam përgjigje se trajneri i zgjidh problemet me futbollistët. Ne jemi munduar të respektojmë rregullat e trajnerit dhe përsëri do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë”.

Për ndryshimet nga loja e De Biazit me atë të Panuçit
“Luajmë me Lihtenshtejnin dhe jemi favoritë, duhet të sulmojmë. Mendoj se trajneri ka marrë më shumë lojtarë me tipare sulmuese dhe ne duhet të tregojmë veten për të luftuar për ato pozicione në fushë. Secili trajner ka taktikat e veta, si me De Biazin, ashtu edhe me Panuçin jemi të kënaqur dhe vazhdojmë punën tone”.

Për fjalimin e Panuçit para stërvitjes
“Na ka dhënë këshillat normale për çdo lojtar. Ai mundohet që të na tregojë ato që do të na japë të fushë”.

Sa pikë shpreson të marrë nga këto ndeshje
“Së pari të mendojmë për Lihtenshtejnin, është shumë ndeshje e vështirë se ne letër është e fituar. Por kohët e fundit kemi parë që çdo Kombëtare po luan mirë. Shpresojmë të marrim tre pikët dhe të përqendrohemi më pas te Maqedonia”.

Nëse e sheh veten alternativë në sulm
“Kemi shumë lojtarë sulmues dhe besoj se secili nga ne është gati të mbulojë vendin e Cikalleshit, Balajt apo Sadikut. Kemi edhe disa ditë deri të shtunën dhe do të shohim si do të jetë situata, është shumë herët për të folur”.
Sigal