Ndeshja me Dinamon e Kievit, Ilir Daja: Nuk është e zakonshme të luajmë në këto nivele, por kërkojmë fitore

668
Skënderbeu nesër luan ndeshjen e parë në grupet e “Europa League” kundër Dinamos së Kievit dhe në intervistën para takimit, trajneri i korçarëve, Ilir Daja, ka deklaruar se e pret një sfidë tepër e vështirë. Tekniku ka sqaruar se ndonëse Skënderbeu merr pjesë për herë të dytë në këtë kompeticion, ai nuk është mësuar të luajë në të tilla nivele.
Gjithsesi Daja nuk fshihet kur thotë se përballë çdo kundërshtari do të tentojë të marrë fitoren.
“Nuk është diçka e zakonshme për ne të luajmë ndeshje në këto nivele, ndaj padyshim favorite për duelin është Dinamo. Por ne me siguri që do të kemi shanset tona dhe do të mundohemi të tregojmë lojën tonë. Edhe skuadrat e tjera në grup kanë më shumë eksperiencë, por do të luftojmë edhe me ta për t’u munduar që të marrim disa fitore”, tha ai.
I pyetur për njohuritë që kishte për Dinamon falë miqësoreve të disa viteve më parë, Daja theksoi se për të, situatat ishin krejtësisht ndryshe. “Në atë periudhë nuk punoja për Skënderbeun, ndaj është më mirë që pyetjet t’ia drejtoni kapitenit. Por sipas mendimit tim, ndeshjet miqësore nuk mund të krahasohen me ato zyrtare”, vijoi tekniku.
Në dy ndeshjet e para zyrtare të sezonit, Skënderbeu ka arritur fitore në Kupë dhe në kampionat. Por Daja u ka bërë të qarët ukrainasve se nuk mund të bëheshin krahasime të tilla me aktivitetet ndërkombëtare. “Ndeshjet në fazën në grupe të Ligës së Europës nuk mund të krahasohen me ndeshjet e kampionatit shqiptar, ky është një nivel krejt tjetër. Por ne do të mundohemi të paraqitemi me dinjitet në këto sfida”.
Sigal