Ndeshja e fundit për Bale, Navas, Isco e të tjerë? Zidane godet me përgjigjen

145

Trajneri i Real Madridit nuk sqaroi nëse ndeshja me Betisin është e lamtumirës për Gareth Bale (do të jetë me grupin) dhe Keylor Navas. Në konferecën për shtyp, në prag të ndeshjes së fundit të La Liag-s për këtë sezon, ndaj Real Betis, trajneri francez iu përgjigj interesimit të gazetarëve.

Ndeshja e fundit e La Liga-s – “Edhe pse është java e fundit e punës,  jemi stërvitur mirë. E përfundojmë këtu sezonin dhe duam t’i përshëndesim tifozët tanë me një lojë të mirë dhe fitore. Ka qenë një sezon i ndërlikuar, në fund të të cilit duam të përcjellim një mesazh të qartë. Iu premtojmë tifozëve se do të kthehemi me entuziasëm sezonin e ri, do të jenë krenarë për lojtarët dhe ekipin e tyre”.

Bale – “Eshtë mirë, nesër do të jetë me grupin dhe kjo është e vetmja gjë që mund t’ju them. Nesër do të shihni nëse do të luajë”.

Keylor Navas – “Nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Si gjithmonë, ka shumë thashetheme mbi klubin tonë, referuar atyre që ju shkruani, për atë që do të ndodhë. Unë kam folur me Keylor, nuk do t’ju them asgjë juve. Qëllimet tona janë shumë të qarta për atë që duhet të ndodhë. Ju mund të thoni çfarë të doni, unë nuk ju tregoj se çfarë kam biseduar me të. E dimë vetëm unë dhe Keylor. Unë kam biseduar me të gjithë, jo vetëm me atë. Keylor ka një kontratë, edhe ju e dini… Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Ndeshja e fundit e Bale – “Nuk e di, nuk mund t’jua them. Eshtë ndeshja e fundit e krejt Real Madridit për këtë sezon. Sezonin e ardhshëm do të ketë ndryshime, por nuk e di se çfarë do të ndodhë”.

Griezmann – “Nuk është diçka, për të cilën duhet të flasim këtu. Pyesni lojtarin se ku do të shkojë”.

Formacioni – “Nuk do t’ju them asgjë, siç bëj gjithmonë, edhe pse ju kërkoni ta dini. Ne jemi këtu për të menduar për ndeshjen e nesërme, që të hedhim në fushë ata lojtarë, që mund të luajnë mirë dhe të fitojnë”.

Isco – “Nuk do t’ju them asgjë.”

Mendy – “Çdo lojtar mund të jetë shumë interesant, por tani nuk do të flas për Mendy, apo të tjerë. Kjo, në respekt të gjithë atyre lojtarëve të pranishëm në grupin tonë aktual, me të cilët jemi përgatitur për ta fituar ndeshjen e nesërme”.

Luca Zidane – “Nuk duhet të komentoj gjithçka që thuhet nëpër media. Nuk është e drejtë, sepse ai është një lojtar, që i ka bërë testet këtu. Ai ka treguar se është një portier i nivelit të lartë. Çdo gjë do të jetë e qartë sezonin e ardhshëm. Janë gjëra, për të cilat do të flitet në vazhdim. Shpresoj që njerëzit të flasin për të jo se është djali im, por sepse është lojtar i ekipit të parë”.