Ndërprerja për shkak të Kombëtares, favorizohen skuadrat e kreut

499
Ndërprerja dy javore e Superligës, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, përbën një fakt lehtësues për ekipet e para, ku sigurisht do të përfitojnë nga kjo periudhë “pushimi” për tu përqendruar edhe më shumë në synimet e tyre sezonale. E nëse flitet për synime, emrat më të lakuar do të jenë padyshim katërshja e parë e kampionatit, katër ekipet që vazhdojnë të jenë në “luftën” për titull, me Skënderbeun që prin dhe me Kukësin, Partizanin dhe Tiranën që ndjekin. Java e 29-të do të marrë jetë me 4 prill, ndërkohë që ndeshjet që spikasin janë padyshim përballjet e titullit, ku Laçi do të presë në shtëpi Skënderbeun, e tre ekipet e tjera që synojnë trofeun, do të bëjnë tifo për vetë ekipin kurbinas, pasi një “rrëshqitje” në ato çaste do të thoshte një ndihmesë e madhe për Kukësin dhe ekipet kryeqytetase. Por në këtë rast as Tirana nuk është shumë e shpëtuar, pasi e pret një ndeshje e vështirë me Flamurtarin, ndoshta jo për gjendjen e vlonjatëve sesa për emrin e tyre, duke e dërguar këtë takim në një “amulli” parashikimi, pasi nuk i dihet asnjëherë se kur mund të kthejë fati edhe për vlonjatët. Sa i takon Kukësit, mund ta cilësojë veten me fat, pasi përballë do të ketë Elbasanin e vendit të fundit, një Elbasan që nuk mban më asnjë shpresë për të fituar ose për të qëndruar në Superligë, duke e thjeshtuar punën për Kukësin. Ndërsa Partizani do të presë në shtëpi Apoloninë, e edhe këtu, duket e favorizuar nga shorti skuadra e Duros, që një fitore tjetër i është e nevojshme. Në këto katër ekipe kryesore, vetëm tre kanë përfaqësues në Kombëtare, ku Tirana ka Bulkun dhe Currin, Partizani ka Hoxhën deh Skënderbeu Shehin. 
Ndeshjet, java e 29-të
Flamurtari-Tirana
Laçi-Skënderbeu
Vllaznia-Teuta
Elbasani-Kukësi
Partizani-Apolonia
Renditja
1 Skënderbeu 28 18 6 4 60
2 Kukësi 28 18 4 6 58
3 Partizani 28 17 5 6 56
4 Tirana 28 16 6 6 54
5 Laçi 28 14 8 6 50
6 Flamurtari  28 9 7 12 34
7 Vllaznia  28 10 3 15 30
8 Teuta  28 7 2 19 23
9 Apolonia  28 4 4 20 16
10 Elbasani 28 4 1 23 13
Sigal