Nderohet “vrasja” e një futbollisti vetëm për të shtyrë ndeshjen!

421
Sigal

Një episod i pabesueshëm, por edhe indinjues  vjen nga kategoria e dytë e futbollit irlandez. Një klub ka deklaruar vdekjen e një prej lojtarëve të vet për të shtyrë një ndeshje.

Ballybrack FC, që luan në Leinster Senior League, ka dhënë lajmin fals për vdekjen e një lojtari të skuadrës me synimin për të shtyrë takimin që duhej të zhvillonte në fundjavë. Shtyrje që është miratuar, duke mbajtur edhe një minutë heshtje në ndeshjet e tjera, me të gjithë lojtarët që kanë mbajtur një shirit të zi në krah.

Klubi, pasi është zbuluar që lajmi ishte i pavërtetë, ka kërkuar falje dhe ka shkarkuar fajtorin. Gjithçka ka nisur nga ideja e një drejtuesi të klubit që ka shpikur vdekjen e Fernando Nuno La Fuente, ish-futbollist i Ballybrack, duke thënë se lojtari ishte ndarë nga jeta pas një aksidenti rrugor.

Qëllimi për shtyrjen e ndeshjes është arritur, por më pas ka ardhur përgënjeshtrimi. Ka qenë “Irish Times” që ka zbuluar se djaloshi në fjalë ishte gjallë dhe që, nga shtatori i kaluar, jeton i lumtur në Galway. Klubi i ka kërkuar falje të gjithëve, veçanërisht ish-lojtarit. Por tani rrezikon ndëshkime serioze. “Viktima” e parë e lajmit të rremë ka qenë drejtuesi që e shpiku atë.

David Moran, presidenti i Leinster Senior League, e ka komentuar ngjarjen duke thënë: “Përpos ndëshkimeve po kontaktojmë me familjen e djalit për t’i ofruar atyre ndihmën tonë”.

“Na thanë se kufoma ishte dërguar në Spanjë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë. Është tronditëse të mendosh, se një gjë e tillë është bërë vetëm për të shtyrë një ndeshje futbolli, – ka vazhduar Moran. – Kemi mbajtur një minutë heshtje në të gjithë takimet e tjera dhe lojtarët kanë mbajtur shiritin e zi në krah. Duhet të kesh një problem shumë serioz, nëse bën një gjë të tillë…”. Priten masat ndëshkuese nga Leinster Senior League