Nderim për dy figura madhore të notit, Burhan Truma dhe Koço Afezolli

905
Nga Bujar QESJA
IN MEMORIAM/ Datat 24 dhe 25 janar 2018, ishin ditë zie për sportin durrsak, Zoti i bashkoi miqtë për të qenë së toku edhe në jetën e përtejme
Të mërkurën e 24 janarit 2018, në orën 13:00 iu dha lamtumira e fundit Berham (Burhan) Trumës, njërit prej notarëve historikë të Teutës dhe Lokomotivës. Duke qenë i vendosur në evidentimin e dukurive të tilla, pavarësisht nga kohët delikate që kanë ardhë, nuk mund të bëj përjashtim, për të hedhur në publik disa rradhë për Trumën e njohur të notit. Ndërsa në mëngjesin e së enjtes, datë 25 janar 2018, anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Notit, Ilir Ngresi, më jep lajmin e dhimbshëm se u nda nga jeta nga miqtë dhe të afërmit, nga shoqëria dhe familja, një tjetër emër i famshëm i notit, Koço Afezolli. Ndarja e fundit me të nisi në orën 12:00, pra 23 orë nga përcjellja që iu bë Burhan Trumës. Edhe Zoti vetë po i bashkon miqtë, për të qenë së toku edhe në jetën e përtejme. Dhimbja është e madhe, por lotohemi dhe rrëmojmë në kujtime. 

Berhan (Burhan) Truma, “delfini” shqiptar i notit 
Mbyll sytë përgjithmonë dhe nuk na sheh më, që nga 23 janari 2018, për të ndrruar banesë përgjithmonë me 24 janar 2018. Mosha e tij 88 vjeçare. Këto shifra jetësore, të orjentojnë, për një fillim të hershëm të notit nga Truma. Lindja e Burhan Trumës, viti 1930, koinçidon me fillimin e kampionatit të parë të notit dhe me krijimin e Federatës Kombëtare të Notit Shqiptar. Ajo që e inkudaron në histori Burhan Trumën është ky fakt historik. Në Ballkaniadën e vitit 1946, kur për herë të parë dhe të fundit u organizua në Budapest (kryeqyteti i Hungarisë), Burhan Truma në përbërje të ekipit përfaqësues të Shqipërisë, startoi në stilin bretkocë. Por atje vuri re që notohej edhe në stilin e panjohur më parë tek ne, në atë delfin. Burhan Truma është notari i parë shqiptar që praktoi stilin delfin në garat kombëtare në Shqipëri. Pra nuk jeton më ky format notari. Burhan Truma jetonte në lagjen e famshme për durrsakët, Sefer Efendiu. Dhe kjo lagje, është është prodhuesja e lëndës së parë të sporteve në Durrës, dhe veçanërisht notit. Këtu ka lindur mjeshtri i futbollit Panajot Pano, mjeshtri i shahut Fatos Muço, futbollisti Abdulla Duma, gjyqtari ndërkombëtar Shazivar Gruda, hedhësi fantastik i çekiçit Rruf Kazazi, dhe më tej notarët historikë “dinastia: Kapexhiu, Mirban Kadiu, Arben Rrogozhina, etj. Dhe Burhan Truma këtu e ka ngulimin. 
Mbase Burhan Truma nuk ishte ndër më të mirët notarë, por ishte një prerje cilësore, që ndonëse është larguar nga noti para 63 viteve, emri i tij u inkuadruar në fondin e artë të notit shqiptar. Dhe më 24 janar 2018, vdiq “delfini” shqiptar i notit
Koço Afezolli, sportist model, qytetar fisnik e i kulturuar
Ai ishte ndër organizatorët më të paepur të notit, i krijuar për të qenë i tillë. Lindja e tij është viti 1931, kohë në të cilën noti po përjetonte themelimin e tij në anën organizative. E veçanta tek Koço Afezolli është shpirti i palëkundur sportiv. Kam qenë prezent kur ai interesohej miqësisht që, në aktivitetet të cilat zhvilloheshin në Tiranë, të mos e linim pa e marrë. Dhe atje aktivizohej në rolin e gjyqtarit. Koçi, është nga të rrallët, në mos i vetmi, që në moshën 85-86 vjeçare qendronte në pishinë, pranë brumit që ishte mësuar ta gatuante prej dhjetra e dhjetra viteve, notarët. Entuziast për arritjet, shumë pasionant për të prekur zhvillimin e notit, i gëzuar pa masë edhe për angazhimet ndërkombëtare të notarëve tanë, Afezolli kishte shpirt të gjërë dhe i donte shumë notarët, veçanërisht me shokët që e nisi këtë rrugë të vështirë, por të bukur. I përjetonte deri në dhimbje largimin e shokëve të tij nga jeta, kështu ndodhi me stilistin e krrolit, të mirin Eqerem Korra. E kam parë të qajë si fëmijë kur mësonte lajme të tilla trishtuese: si vdekja e Vlash Dhimës, Kristaq Bekridhelit të madh, motrës së tij që shkriu rininë për notin, Luçi Bekridhelit, trajnerin e shkëlqyer Sul Tufa, dy vëllezërit Kapexhiu: Shaqirin dhe Sabriun, “dinastinë” Rexha me Osmanin, Shuapin, Dautin dhe Rasimin, Gafurr Hasnedarin, Bashkim Dakolin e tani së fundi Skënder Kuranin dhe Xhevdet Mitrakun. 
E gjithë jeta i këtij sportisti model, kuadri të përkushtuar, organizatorit të shkëlqyer, qytetarit fisnik dhe të kulturuar, kaloi me notin dhe pranë notit. Brezin e tanishëm të notarëve i kishte si fëmijë, dhe ata e donin me shpirt Koço Afezollin
Sigal