Naxhi Shensoj: “Synojmë titullin kampion!”

550
Sigal

Trajneri karizmatik i Kukësit: “Ndaj Vllaznisë për të thyer tabunë, por duhet kujdes!”

Tri fitoret radhazi të Kukësit me Laçin (2-1), Tiranën (2-1) dhe Lushnjën (1-0) ka rikthyer entuziazmin në kampin kuksian. Këtë e ndjen i pari trajneri kosovar me pasaportë turke, Naxhi Shensoj, i cili gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”, pohoi se “ecuria pozitive e javëve të fundit rikthen Kukësin tek objektivat e fillim sezonit, fitimi i titullit kampion”. “Tri fitoret radhazi kanë bërë që diferenca me Skënderbeun kryesues të shkojë nga 10 në 5 pikë, duke ditur që përpara është dhe sfida direkt, e cila do të luhet fundjavën e ardhshme në “Zeqir Ymeri” të Kukësit”, – tha ai. Për trajnerin Naxhi Shensoj skuadra ka nisur të reagojë, pas një vere të lodhshme dhe një gjendjeje jo të mirë psikologjike. Përpara është sfida me Vllazninë, një kundërshtar që fazën e parë jo vetëm i mundi veriorët në derbi, por pas asaj sfide erdhi dhe dënimi i fushës, duke bërë që Kukësi të luajë tre ndeshje larg tifozëve të vet. Megjithatë pavarësisht se historia flet për shkodranët Shensoi mendon se rekordet dhe mitet janë bërë për t’u thyer. Ndaj Vllaznisë pritet të mungojë Smajli, autori i golit të fitores me Lushnjën. Vllaznia–Kukësi do të zhvillohet të dielën në “Loro Boriçi” në orën 13:00.

 – Zoti Shensoj, Kukësi ka rigjetur me në fund veten me tri fitoret rresht ndaj Laçit, Tiranës e Lushnjës. Cila është atmosfera në skuadër?

– Atmosfera është shumë pozitive. Fitoret e kanë ngritur moralin e skuadrës. Po kalojmë një moment shumë pozitiv. Besoj se, më në fund kemi skuadrën që duhet.

– Ndeshja e radhës është me Vllazninë. Statistikat e Kukësit janë negative. Si e parashikoni takimin në “Loro Boriçi”, teksa Kukësi e ka humbur thellë ndeshjen e parë në “Zeqir Ymeri”?

– Jam i bindur se, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, shumë e fortë, kjo dhe për faktin se Vllaznia javën e kaluar humbi me Flamurtarin me rezultat bindës. Sigurisht, shkodranët duan të kompensojnë humbjen, por ne si skuadër jemi në formë të mirë dhe do të luajmë për fitore.

– Ju zëvendësuat ish-trajneri Armando Cungu, ndërkohë që skuadra nuk kishte më profilin agresiv dhe rezultativ të edicionit të kaluar, kur dhe doli nënkampione e vendit. Me cilat problematika u përballët?

– Kur erdha para gjashtë ndeshjesh gjeta një skuadër më shumë probleme” dëmtime të shumta, por dhe një lodhje fiziologjike, kjo e shoqëruar edhe me euforinë e suksesit të jashtëzakonshëm në Europë. Problematikat u reflektuan edhe në rezultatet jo të mira të skuadrës, por tani, gati pas një muaj e gjysëm që kam në drejtim të skuadrës ia dolëm t’i eliminojmë të gjitha problemet, kjo reflektoi edhe në tri fitoret radhazi.

– Kukësi bëri histori në Ligën e Europës, si e vetmja skuadër shqiptare që kalon tre ture. A e shikoni sërish në Europe për sezonin e ri?

– Para gashtë ndeshjesh, kur unë mora drejtimin e skuadrës, Kukësi kishte 10 pikë me pak se Skënderbeu, por tani diferenca është vetëm 5 pikë. Gjithsesi, janë edhe katër ndeshje deri në fund të këtij viti dhe mandej do planifikojmë dhe analizojmë gjërat për sezonin pranveror

– Objektivi i presidentit Gjici në fillim të sezonit ishte titulli, a besoni në fitimin e trofeut?

– Komppeticioni është shumë interesant dhe konkurrues në Superligën e Shqipërisë. Besoj se, në këtë edicion do të ketë shumë surpriza tjera, kështu që për Kukësin është real  objektivi për të fituar titullin kampion, ashtu sikundër është dhe obektivi i caktuar në fillim të edicionit.

– Tifozeria e Kukësit njihet si një nga më sportdashëset. Cili është mesazhi juaj për të?

– Ka qenë një mbështetje e madhe për skuadrën. I falënderoj të gjithë tifozët e Kukësit, të cilët kanë qenë një mbështetje e madhe, sidomos në javët e para të mia. Dua t’u them të bëjnë edhe  pak durim se ditët e mira për Kukësin janë para.

NDESHJET E KUKËSIT

Me ish-trajnerin A.Cungu

Java 1 Lushnja-Kukësi      1-0

Java 2 Kukësi-Vllaznia     0-3

Java 3 Skënderbeu-Kukësi   1-3

Java 4 Kukësi-Teuta      0-0

Java 5 Kastrioti-Kukësi    0-1

Java 6 Kukësi-Partizani    0-1

Bilanci: 6 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 7 pikë

Me trajnerin N.Shensoi

Java 7 Bylis-Kukësi        1-1

Java 8 Kukësi-Besa         1-1

Java 9 Flamurtari-Kukësi   2-1

Java 10 Laçi-Kukësi        1-2

Java 11 Kukësi-Tirana      2-1

Java 12 Kukësi-Lushnja     1-0

Bilanci: 6 ndeshje; 3 fitore, 2 barazim, 1 humbje; 11 pikë

  7 pikë

Grumbulloi ish-trajneri Armando Cungu gjatë gjashtë ndeshjeve të tij, duke regjistruar dy fitore, një barazim e tri humbje

 11 pikë

ka grumbulluar trajneri Naxhi Shensoji gjatë gjashtë javëve te tij te Kukësi, duke fituar tri ndeshje dhe humbur vetëm 1

KATEGORIA E SUPERIORE

JAVA XIII

 

Të shtunën, 30 nëntor

Kastrioti-Bylis 13:30

Lushnja-Tirana  13:30

Teuta-Besa      17:00

Të dielën, 1 dhjetor

Partizani-Laçi  13:30

Skënderbeu-Flamurtari 13:30

Vllaznia-Kukësi 13:00

RENDITJA

1    Skënderbeu      12   +8   23

2    Teuta           12   +2   20

3    Partizani       12   +2   20

4    Laçi            12   +0   19

5    Kukësi          12   +0   18

6    Flamurtari      12   +3   17

7    Vllaznia        12   +3   17

8    Lushnja         12   -2   15

9    Bylis           12   +2   15

10   Besa            12   -4   12

11   Kastrioti       12   -5   12

12   Tirana          12   -9   10

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Pas Hysajt, trajneri i Kombëtares po ndjek Rahinasin e Romës, Elezajn e Juventusit. “Shkojnë në Euro 2016”

 De Biazi: “Ja tre talentet që po ndjek!”

 Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, zbuloi për mediat italiane emrat e tre lojtarëve që ai po investon dhe pi i ndjek prej disa kohësh, me synimin për t’i veshur kuqezinj. “Marr sinjalizime të vazhdueshme në lidhje me lojtarët që mund të bëjnë pjesë në Kombëtaren time (shqiptare). Grupi është i mirë, ka disa talente që e kanë barë tashmë diferencën e tyre. Nuk është rastësi që, në Itali një sektor moshash i fortë si ai i Empolit , ka vendosur të investojë tek (mbrojtësi Elseid) Hysj. Dhe nuk është një rastësi që në një djalosh i vitlindjes 1996 (17 vjeç) si Romeo Rahinas është duke e promovuar me të rinjtë e Romës, ndërkohë që të njëjtën gjë po bën edhe Entonio Elezaj me Juventusin”, – tha De Biazi për portalin sportiv italian “Calciomercato.com”. “E ndoqa me shumë interesim ndeshjet “play-off” të Islandës, pasi nuk bëhet fjalë për një përrallë, por një projekt si i yni, ndoshta me mundësi më të mira ekonomike, por skuadra u rrit dhe i pati të gjithë mundësitë për të shkuar në Botëror”, – shtoi ish-trajneri i Torinos dhe Udinezes. Duke folur për punën e tij si trajneri dhe bilancin e tij, De Biazi shtoi: “Nëse mendoj për cilësinë teknike të kampionatit shqiptar në momentin e mbërritjes sime dhe për organizimin aktual të futbollit të bazës në vend, të ballafaquar me prestigjin ndërkombëtar, edhe pse nuk arritëm të ishim në Botërorin e ardhshëm të Brazilit, bilanci im si trajneri kombëtareje është pozitiv. Sigurisht, ndjej akoma keqardhje për disa raste të hedhura poshtë gjatë ndeshjeve në grup, por tani kur mendoj për Shqipërinë, nuk ekziston më ideja që është një kundërshtar i lehtë për t’u mundur. Jam shumë i lumtur që, shumë lojtarë të Kombëtares janë rikuperuar në këtë kuptim. Federata (shqiptare) më ka ndihmuar shumë, mbështetur dhe besoj se do të investojë akoma më shumë. Më pëlqen që shumë njerëz e bënë të tyre sloganin “Unë besoj!” gjatë periudhës sonë magjike. Kjo në sport do të thotë shumë”.

 “Shkojmë në Euro 2016”

 De Biazi foli edhe për objektivin e tij në Euro 2016. “Realiteti në Shqipëri është i veçantë. Kampionati i Kategorisë Superiore nuk prodhon shumë për Kombëtaren. Një pjesë e të rinjve janë marrë nga federata të tjera. Kombëtarja ka humbur shumë lojtarë, mendoj për Shaqirin dhe për Behramin. Tani do të provojmë më të gjitha forcat për t’u kualifikuar në Euro 2016, nuk do te jëtë e lehtë, por do të punojmë të bëjmë të pamundurën. Ka talente të mira, por duhet të punojnë nga pikëpamja taktike”.

  Disiplina gjobit Milen

 Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit gjobiti me 20 mijë lekë e trajnerit të Kastriotit, Kristaq Mile, për mosrespektim të rregullave të vendosur nga FSHF për pjesëmarrjen e detyrueshme në konferencën për shtyp. Trajneri Mile pas humbjes me Partizanin në “Qemal Stafa” nuk denjoi të fliste për mediat.

  Cana: “E mbyll në Francë”

 Lorik Cana e lë të hapur mundësinë e rikthimit në Francë, tek Olimpiku i Marsejës. Mbrojtësi i Lacios, edhe pse po kalon një periudhë mjaft pozitive në Serinë A, ku po aktivizohet titullar, mendon ta mbyllë karrierën me Marsejën. Lorik Cana ka luajtur për Marsejën në vitet 2005-2009, me të cilën ka fituar një Kupën të Francës.

Berisha, titullar ndaj Legias

 Portieri Etrit Berisha do të luajë sot ndeshjen e dytë në Ligën Europës, kur Lacio të luajë sot në Varshavë përballë Legias. Për të do të jetë takimi i dytë radhazi si titullar në Evropë, pasi luajti tri javë më parë kundër Apollon Limasol të Qipros, ku bëri edhe një pritje që shpëtoi fitoren 2-1.