Naim Qarri: Fitojmë me Flamurtarin dhe dalim nga ngërçi i rezultateve pozitive

638
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i skuadrës së Kamzës, vendin e pestë në gjysmën e parë të sezonit e quan sukses
Skuadra e Kamzës në 15 javë renditet në gjashtë skuadrat e para, këto ishin synimet tuaja?
Mendoj se jemi në logjikën e synimeve tona, pasi ne jemi një skuadër që debutojmë këtë sezon në Kategorinë Superiore, dhe renditja në gjashtë vendet e para është vërtet sukses. Të jem i sinqertë, ne nuk kemi hyrë në këtë kampionat për mbijetesë, ndaj renditemi nga kreu.

Keni pasur ulje e ngritje të dukshme, tregon kjo se ende nuk është stabilizuar skuadra?
Mendoj se nga ana e trajnerit Ndreu është bërë punë e mirë në formatimin e skuadrës, duke i përshtatur të gjithë futbollistët që ka në dispozicion, brenda vlerave të tyre. Në këtë këndvështrim, mendoj se kanë qenë rezultatet, të cilët nuk kanë pasur vazhdueshmëri.

Muajin dhjetor e nisët me fitore në Durrës, mendoni se do ta mbyllni kështu edhe të premten ndaj Flamurtarit?
Me Flamurtarit duhet patjetër fitorja, sepse janë dy humbje resht me Luftëtarin e Vllazninë, të cilat na kanë bërë disi të plogësht. Jo se skuadra nuk ka besim e forca në vetvete për ta kaluar këtë ngërç, por ndoshta syri i keq duket ndikoi në këtë stepje të rezultateve pozitive.

Gjithsesi, në transferta duket se jeni më të suksesshëm me 3 fitore e 2 barazime, po këta tregues janë sukses?
Natyrisht që po, sepse sikundër janë përforcuar skuadrat e Kategorisë Superiore në këtë sezon, vështirësia e ndeshjeve është e madhe edhe kur je në fushën tënde, mendo në transfertë. Por, Kamza i ka transferta të suksesshme, pasi ka fituar në fusha të vështira, si me Partizanin apo Teutën.

Çfarë mendoni ju se nuk ka shkuar mirë për Kamzën në dy ndeshjet e fundit me dy humbje resht?
Më duhet të ritheksoj edhe një herë faktin, se Kamza është skuadër debutuese në këtë sezon, dhe oshilacionet janë të pashmangshme, pasi ende përshtatja në këtë kategori nuk ka ardhur e plotë. Por, të tilla ngërçe kanë kaluar edhe Skënderbeu, Kukësi e Partizani, ndaj ne besojmë se do të dalim në rezultatet pozitive.

Gjithsesi, me këtë ecuri që ka Kamza në gjysmën e parë të këtij sezoni, e mendoni që të synoni një vend në renditje që të luajë në Evropë?
Ne jemi me këmbë në tokë dhe realistë për gjithçka që po kalojmë, dhe ato që synojmë në këtë sezon, jo vetëm në Superiore, por edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, besojmë se do ti arrijmë. Ndërsa Evropa është një synim “Big” për ne në këtë sezon, nuk mendohet i paarritshëm.

Për Kamzën, cili do të mbetet synimi final në Kategorinë Superiore 2017-2018?
Për ne, do të ishte e udhës që të kërkojmë ta ruajmë këtë gjendje të mirë, e për këtë do të punojmë fuqimisht. Unë i kam dhënë dhe do të jap mbështetje të madhe skuadrës, por nuk harroj edhe përkushtimin e Kryetarit Xhelal Mziu në këto arritje. Ndaj nuk do ishte synim i largët që ne të renditemi në gjashtë skuadrat e para në fund të sezonit.

Kampionati mbyllet të premten e 22 dhjetorit dhe nis në fillimin e muajit shkurt 2018, do të ndikojë kjo pauzë në gjendjen e skuadrës suaj?
Pauza nuk do të jetë shumë e gjatë pa përgatitje, sepse dihet që në muajin janar zhvillohet edhe një fazë e shkurtër përgatitore, e harmonizuar kjo edhe me merkato. Kësisoj, nuk ka pse të ndikojë në gjendjen fizike të skuadrës, edhe për faktin se do të luhen ndeshje miqësore në këtë periudhë.

Ju keni menduar të hyni në merkaton dimërore të këtij sezoni në vazhdim?
Ne kemi një skuadër të kompletuar në të gjitha repartet, por nuk do të ishte keq edhe ndonjë përforcim i veçantë. Për këtë ne kemi filluar të mendojmë, dhe gjatë janarit do të sjellim në skuadër një ose dy përforcime të fuqishme.
Kamza është skuadër debutuese në këtë sezon, dhe oshilacionet janë të pashmangshme, pasi ende përshtatja në këtë kategori nuk ka ardhur e plotë. Por, të tilla ngërçe kanë kaluar edhe Skënderbeu, Kukësi e Partizani, ndaj ne besojmë se do të dalim në rezultatet pozitive 
Kamza në 15 javë
Java 1/ 09.09.2017 
Kukësi-Kamza 1-0
Java 2/ 18.09.2017 
Kamza-Skënderbeu 1-1
Java 3/ 23.09.2017 
Lushnja-Kamza 0-0
Java 4/ 01.10.2017 
Kamza-Teuta 1-1
Java 5/ 12.10.2017 
Luftëtari-Kamza 1-2
Java 6/ 16.10.2017 
Kamza-Vllaznia 1-0
Java 7/ 22.10.2017 
Flamurtari-Kamza 1-0
Java 8/ 30.10.2017 
Laçi-Kamza 0-1
Java 9/ 04.11.2017
Kamza-Partizani 1-0
Java 10/ 16.11.2017 
Kamza-Kukësi 2-2
Java 11/ 19.11.2017
Skënderbeu-Kamza 1-1
Java 12/ 26.11.2017 
Kamza-Lushnja 2-1
Java 13/ 02.12.2017 
Teuta-Kamza 0-1
Java 14/ 10.12.2017
Kamza-Luftëtari 0-1
Java 15/ 16.12.2017 
Vllaznia-Kamza 3-2
BILANCI
F 6, B 5, H 4, Golat 15:13
23 pikë
Kaq ka grumbulluar Kamza në 15 ndeshjet e luajtura të Kategorisë Superiore, duke arritur 6 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje
16 ndeshje
Në gjysmën e parë të sezonit 2017-2018, luhen 16 ndeshje të Kategorisë Superiore, me Skënderbeun në krye e Lushnjen në fund
Ndeshjet-Java e 16-të
Datë 22 dhjetor 2017
Partizani-Vllaznia 13:00
Kamza-Flamurtari 13:00
Laçi-Lushnja 13:00
Kukësi-Luftëtari 13:00
Skënderbeu-Teuta 13:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 15 34
2. Kukësi 15 25
3. Flamurtari 15 25
4. Laçi 15 24
5. Kamza 15 23
6. Partizani 15 21
7. Luftëtari 15 16
8. Teuta 15 15
9. Vllaznia 15 15
10. Lushnja 15 8
Sigal