Myrtezan Didati: Rekordmeni absolut i stilit të lirë, as biografia nuk e ndau nga pasioni

1027
Nga Agron MEMA
INTERVISTA/ Ja si vjen sot një Mjeshtër Sporti, një nga notarët më të shquar të Butrintit dhe të Shqipërisë, karriera e tij si sportist e trajner
BRENDA E JASHTË PISHINËS
Nëse Myrtezan Didatin do ta kërkojë dikush që nuk e njeh për fytyrë, do ta ketë vështirë ta njohë. Një Mjeshtër Sporti që sot mund ta gjesh me pincën e elektricistit në brez, të rinjtë, por edhe ata banorë që kanë populluar Sarandën në vitet e tranzicionit, nuk u shkon mendja se kanë të bëjnë me një rekordmen të notit në të gjitha distancat e stilit të lirë. Ky është ish-notari Myrtezan Didati, që me rezultatet e vendosura, mbetet një nga “ikonat” e notit, jo vetëm të Sarandës, por gjithë Shqipërisë. Myrtezani ka lindur në qytetin e Sarandës në vitin 1953 dhe ka ushtruar sportin e notit në periudhën 1966-1980. Krahas garimit me Butrintin (1966-1971 dhe 1974-1980), ai ka qenë i federuar dhe aktivizuar edhe si notar i Partizanit (1972-1973). Myrtezani është grumbulluar edhe me ekipin kombëtar të notit, por për arsye biografie nuk e lanë të shkonte në Kinë. Sot e gjen sa tek profesioni i elektricistit e tek ai i trajnerit të notit, ku si trajner i ekipit të të rriturve, Myrtezani ka që nga viti 1985, përveçse 1982-1983 ka qenë edhe trajner i ekipit të të rejave të Butrintit.
Kur filloi Myrtezan Didati të ushtrohet në sportin e notit?
Fillesat e mia janë në vitin 1965, muaji shtator, por duke filluar stërvitjen e rregullt në vitin 1966 në moshën 13 vjeçare me trajner Eqerem Hasani. Ishte ai që spikati talentin tim dhe aftësitë e mia sportive. Më pas, që nga viti 1966 notova në disa gara, deri në vitin 1980, pra, gati 15 vjet, ku në periudhën 1971-1972 kam qenë edhe rekordmen i tre garave 400, 800 dhe 1500 m stil i lirë, dhe më pas, po në këtë stil garova edhe në 100, 200 dhe 4000 m.

Në këtë karrierë, cilat janë rekordet që keni thyer dhe notarët që keni pasur idhull? 
Rekordet janë në 400, 800 dhe 1500 m stil i lirë, por edhe në stafetat me kolegët e ekipit të Butrintit e Partizanit. Ndërkohë që, notarët që kam sot për zemër apo idhull, mendoj se janë shumë dhe kam vlerësime për ta. I kujtoj si “ikona” të notit në Sarandë Agim Sulon, Idriz Muçon, Lime Koten, Spiro Angjelin. Ne jemi 5 rekordmenët në kohën që unë kam notuar. 

Për gjithçka që keni dhënë në këtë sport, sa jeni vlerësuar?
Nëse është fjala për tituj sportivë, unë sot jam Mjeshtër Sporti dhe Nderi i Notit Shqiptar. Janë dy vlerësime, të cilët më bëjnë të ndjehem krenar për çka kam arritur.

Në karrierën tuaj, cili ka qenë momenti kur jeni ndjerë më i lumtur dhe cili ka qenë momenti më i vështirë? 
Si momentin më të mirë veçoj, kur u bëra rekordmen për herë të parë, ndërsa si më i vështirë, kur nuk u grumbullova me ekipin kombëtar për të shkuar në Kinë. Më pengoi politika e atëhershme. Në atë kohë unë kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Komisari im në repartin e ndërlidhjes më la të shkoja tek ekipi kombëtar në Kinë dhe më tha, që vetëm na kujto.

Dhe ju besoj se e kujtuat?
Por, atë vit, në muajin shtator e takoj në Lushnjë në një stërvitje ushtarake, ku më thotë se, a më kujtove. Unë iu përgjigja: “Jo, punë biografie”. Me çudi më pyeti, se kush më kishte dërguar ushtar në repartin e tij, por unë i dhashë përgjigjen e kohës: “Do t’i shërbej atdheut ku të ketë nevojë”. Nuk kam takuar ndonjë udhëheqës, nuk përjashtoj Jashar Menzelxhiun si njeri masovik, që diçka evoluoi në jetën e qytetit, e sidomos në atë sportive. 

Po sot, si ju duket gjendja e notit në Sarandë, dhe në gjithë Shqipërinë? 
Nëse do t’i krahasojmë me kushtet tona kur stërviteshim në det, nuk them se nuk ka notarë të talentuar. Ka shumë, madje me rezultate më të mira se sa tonat. Një nga notarët tanë sot që stërvitet në Gjermani, ka thyer rekordin më të vjetër të Ilir Imerit. Kështu që Saranda ka notarë me rezultate më të mira se tonat, edhe pse stërviten në të njëjtat kushte si dhe ne, në katër muajt e verës. 

Nëse notarët notojnë në det, po vet noti ku “noton” sot? 
Problem është se, Saranda e ka të domosdoshme pishinën 25 m, e cila në radhë të parë do të na zgjatë kohën e stërvitshmërisë, për të qenë në kushte të barabarta me Tiranën e Durrësin. Sepse, duke qenë me tre muaj stërvitje, ne nuk dimë se çfarë duhet bërë më parë, dhe më pas. Është kohë e shkurtër dhe jemi të detyruar që t’i sjellim gradualisht në formë notarët, me qëllim që rezultati të na vijë nga zhvillimi i tyre fiziik, jo nga stërvitja me kohë shumë të shkurtër. 

Po marrëdhëniet me pushtetin lokal, si i keni sot? 
Të gjitha marrëdhëniet e mia i kam me shefin e klubit, ndërsa marrëdhëniet me bashkinë, i di ai. Notarët kanë shkuar në të gjitha aktivitetet, janë sponsorizuar nga klubi, ndërsa sa i përket veshmbathjes dhe pishinës, jam i detyruar që ta them, se në Sarandë nuk ka biznese të fuqishme ta bëjnë një gjë të tillë, dhe shteti duhet të vërë dorë. Sepse pishina është ajo që të jep të ardhura më të fuqishme se çdo gjë tjetër, ku po shohim në Tiranë e kudo, me pishina të ndërtuara nga biznese të fuqishme, si “Te Stela”, etj. Shpresojmë që të mbarojë projekti i kompleksit.
Sot pasdite, e shtunë 18 nëntor 2017, në qytetin e Sarandës organizohet veprimtaria e promovimit të librit të studiuesit Xhorxhi Vasili, mbi notin e Sarandës. Në këtë aktivitet do të marrë pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, zoti Agim Çiraku. 
REKORDET NË STILIN E LIRË
Myrtezani është një nga notarët më të suksesshëm të viteve 1960-1970. Rezultatet më të larta i pati me ekipin e Butrintit dhe Partizanit. Në ekipin e Butrintit u përfshi nga trajneri Eqerem Hasani, që zbuloi tek Myrtezani një notar me të ardhme, dhe intuita nuk e zhgënjeu. Më pas, u stërvit nga trajnerët e mirënjohur të Sarandës, Esat Mamaca, Spiro Koça e Petrit Caslli. Noton në stilin krol në të gjitha distancat, nga 100-1500 m, dhe me Butrintin shpallet kampion si ekip, ndërsa si individ fiton titullin e kampionit për disa vite rresht. Në aktivitete dhe gara të ndryshme thyen disa rekorde kombëtare. Në vitin 1971: në garën 800 m stil i lirë, me kohën 10.41.1; në garën 400 m stil i lirë, me kohën 5.09.31; dhe në garën 1500 m stil i lirë, me kohën 20.46.1.
LARGIMI SI NOTAR, MË PAS TRAJNER
Në vitin 1980 largohet si notar, por qëndron pranë notit. Më 1985 kalon si zëvendës trajner i ekipit të të rriturve, së bashku me trajnerin e tij Spiro Koça. Në vitin 2001 klubi sportiv “Butrinti” e cakton trajner të ekipit të notit për të rritur, detyrë që e kryen aktualisht edhe sot. Myrtezani është një trajner me vizion dhe praktikë të pasur, kërkues dhe studiues, zbulues talentesh. Merr pjesë rregullisht në aktivitetet e ndryshme që kryejnë veteranët e notit. Hobi i tij është leximi dhe peshkimi. Më 1985, i jepet titulli “Mjeshtër Sporti”. 
Sigal