Muzaka u prish festën vlonjatëve, akuza e Duros për anulim goli të rregullt

552
Nga Agron KAJA
FLAMURTARI-SKËNDERBEU 1-1/ Mbyllet sfida e kryesueseve me tension në stadium, tifozët godasin gjyqtarin anësor, loja ndërpritet për disa momente
Prag ndeshja dje në Vlorë, na solli një atmosferë festive-sportive, e cila prej vitesh kishte humbur, duke munguar në stadiumet tona të futbollit. Klubi i Flamurtarit kishte menduar ta niste me festë barazimin e djeshëm me Skënderbeun, për të na dhënë më pas një ndeshje ku vetëm golat e bënë diferencën. Por, Skënderbeun nuk po e mund asnjë skuadër në këtë sezon, i cili ia ka dalë të marrë një pikë dhe në fushën e Flamurtarit, madje në ekstremin e mbylljes së ndeshjes. Një barazim me shumë vlerë për korçarët, të cilët e ruajnë distancën me ndjekësit, ku me Kukësin e vendit të dytë është 7 pikë larg. Edhe Flamurtari nuk lëvizi në renditje, duke u “stampuar” në vendin e tretë, por duhet kujtuar se ata patën pretendime për golin e anuluar, teksa gjyqtari sinjalizoi një prekje të topit me dorë. Gjithsesi, goli i Bicajt në pjesën e parë nuk u mjaftoi vendasve për të t’u kthyer te fitorja në shtëpinë e tyre. Në intervistën pas ndeshjes, trajneri Daja u shpreh se barazimi ishte rezultati më i drejtë i ndeshjes me Flamurtarin, dhe gjithashtu tha, se pavarësisht dëmtimeve, lojtarët e rinj që futen në fushë duhet të mbajnë ritmin e titullarëve, dhe skuadra nuk duhet të reagojë pjesën e dytë, por ta nisë nga fillimi me përqendrim maksimal. “Barazimi ishte rezultati më i drejtë. Ne e filluam jo mirë pjesën e parë, në kundërshtim me lojërat që kemi bërë, sepse nuk ishim të qetë në administrimin e lojës. Mungesat e Jashanicës e Lilajt bënë të vetën, ndërsa Muzaka nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë. Në pjesën e dytë e rregulluam mentalitetin, por nuk jam i kënaqur nga pjesa e parë, e kështu reaguam vonë në lojën tonë. Lojtarët e rinj që futen në formacion, duhet të mbajnë ritmin e titullarëve”, kështu deklaroi pas ndeshjes trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja. Ndërsa homologu i tij, Shpëtim Duro, deklaroi se skuadra e tij ndihet e vjedhur. Nëse sipas tij, arbitrimi do të ishte korrekt, Flamurtari duhet të kishte marrë më shumë nga sfida me Skënderbeun. “Unë e komplimentoj skuadrën, sepse kishim përballë Skënderbeun kryesues në Superiore. Ne meritonim patjetër fitoren, dhe në qoftë se goli i dytë ka qenë i rregullt, them se e kemi fituar takimin. Është gol i rregullt, as që nuk diskutohet”, deklaroi tekniku i Flamurtarit, i cili “shigjetoi” në distancë gjykimin. “Kështu, ne nuk besoj se mund të marrim penallti deri në fund të kampionatit, sepse po na anulohen gola të rregullt me dy skuadrat më të forta të kampionatit, dhe as penallti nuk na japin. Në qoftë se gjykimi do ishte korrekt, them se duhet të kishim marrë më shumë, dhe kjo nuk është sjellje e mirë, pse jo, edhe për tifozët që na ndjekin”. 

Përpos analizës së ndeshjes, me barazimin ndaj Flamurtarit dje, Skënderbeu e përforcoi pozitën në kreun e renditjes, pasi ka kaluar një nga ndeshjet më të vështira në transfertë për fazën e dytë.
Flamurtari kishte menduar ta niste me festë barazimin e djeshëm me Skënderbeun, për të na dhënë më pas një ndeshje ku vetëm golat e bënë diferencën. Por, Skënderbeun nuk po e mund asnjë skuadër në këtë sezon, i cili ia ka dalë të marrë një pikë dhe në fushën vlonjate, madje në ekstremin e mbylljes së ndeshjes
DY TË VEÇANTA
Goditet asistenti, tifozët vlonjatë “zevzekë” pa arsye!
Në minutën e 84-të, kur ndeshja ishte ende në epërsinë e Flamurtari, tifozët vlonjatë e gjejnë një “kleçkë” që të thyejnë ecurinë e mirë të mbarëvajtjes së kësaj ndeshjeje. Ata kanë goditur asistentin, dhe kështu loja është ndërprerë për pak çaste, por duhet kujtuar se ky veprim nuk i ka shërbyer aspak faljes që iu bë nga FSHF-ja, njëherësh edhe pritjes së ndonjë dënimi të ri. Përpos këtij rasti, edhe ata kanë “firmën” e tyre në gjithçka të mirë që përcolli kjo sfidë.
Përgjigja e “bukur” e Muzakës: Golat më japin forcë
Gjergji Muzaka është autori i golit të barazimit për Skënderbeun, dje në sfidën me Flamurtarin, por tiranasi bën të veçantë me deklaratën e tij pas ndeshjes, teksa thumbon zërat që i sugjerojnë largimin nga futbolli. “Këto kohët e fundit, e kam dëgjuar shpesh shprehjen, se duhet të largohem, se jam vjetruar. Por, sa herë që unë kam shënuar, këtë pyetje më kanë bërë. Ma përmendin shpesh, dhe kjo më jep më shumë forcë për të dhënë më të mirën”, theksoi mesfushori i Skënderbeut.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 10-të
Të mërkurën, 15 nëntor 2017
Luftëtari-Teuta 2-3
Shënues: Bregu 46’ / Latif 33′, 
Dediç 55’, 70’ (p)
Dje, 16 nëntor 2017 
Laçi-Partizani 1-0
Shënues: Rexhinaldo 46’ 
Kamza-Kukësi 2-2
Shënues: Plaku 38’, 53’/ 
Kale 29’, Rrumbullaku 74’
Flamurtari.-Skënderbeu 1-1
Shënues: Bicaj 38’/ Muzaka 88’
E mërkurë, 22 nëntor 2017
Vllaznia-Lushnja 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 10 26
2. Kukësi 10 19
3. Flamurtari 10 17
4. Kamza 10 16 
5. Laçi 10 14
6. Partizani 10 11
7. Teuta 10 11 
8. Luftëtari 10 8
9. Vllaznia 9 6
10. Lushnja 9 5
Sigal