Musolini bekon Italinë, “axurët” rrëmbejnë trofeun

492
Sigal

Itali 1934/ Italianët fitojnë edicionin i dytë. Finale dramatike, shkëlqen Xhuzepe Meaca

Kampionati i dytë Botëror luhet në Itali, nga 27 maj deri më 10 qershor 1934. Tradita ruhet. Ekipi organizator fiton edhe titullin, ashtu siç bëri Uruguai në vitin 1934. Në formatin e organizimit ka ndryshime. Ekipet duhet t’i nënshtrohet rregullit të kualifikimit. Marrin pjesë 32 ekipe në fazën kualifikuese, ndërkohë që në finale marrin pjesë 16 ekipe, me ndeshjet që u zhvilluan në tetë qytete. Italia u zgjodh organizatore, gjatë një takimi në Stokholm të Suedisë, më 9 tetor 1932. Viti 1934. Kriza dhe vitet e depresionit të madh po lihen pas, ndërkohë në Gjermani vjen në fuqi Hitleri. Dhe në këtë gjendje të nderë italianët organizojnë botërorin e dytë të futbollit. Idhulli i tyre është Meaca. Po trajneri Vitorio Poco mbështet edhe te pjekuria e Guaitës, këmbëngulja e Skiavos, fantazia e Orsit, nën regjinë e Ferrarit në mesfushë. Kjo është bërthama e skundrës “axura” me ambicie për të fituar këtë botëror. Kundërshtarët janë më se të respektueshëm; Austria, Hungaria, Çekosllovakia, Zvicra, Spanja dhe natyrisht Argjentina e Brazili. Por mungon Uruguai. I fyer nga mungesa e skuadrave të njohura evropiane të katër viteve më parë, nuk merr pjesë. Të zotët e shtëpisë shkatërruan diletantët e SHBA-ve me rezultatin 7-0,hyjnë të mbushur me frymëzim në takimin me Spanjën. Në portën e stuhive të kuqe, siç quhen spanjollët, është portieri i magjishëm Zamora, për të cilit hipnotizohet edhe një sulmues i pamëshirshëm si Maeca. Mirëpo italianëve u has sharra në gozhdë dhe mezi e mbyllin me një barazim takimin e parë (1 – 1), me gjithë shtesën e lojës. 11 lojtarë nga të dyja skuadrat, për shkak dëmtimesh, nuk marrin pjesë në takimin e dytë. Midis tyre Zamora i dëmtuar. Dhe, italianët e kanë më të lehtë, ndonëse spanjollët ankohen se gjyqtari zviceran nuk u ka dhënë një 11-metërsh. Më pas Federata Zvicerane e Futbollit e pezullon këtë arbitër, po ndërkohë Italia ka kaluar në turin e dytë. Edhe me Austrinë italianët i kanë punët pisk. Austriakët kanë eliminuar Hungarinë dhe futen plot optimizëm në fushë. Përfaqësojnë skuadrën e madhe dabuiane, të quajtur Vundertim (skuadra çudi), të drejtuar nga trajneri i famshëm Ugo Meisli. Po këtë radhë Italia e Meacës fiton pa lënë pikëpyetje. Vjen pastaj takimi final me Çekosllovakinë në Romë, në stadiumin Kombëtar të Partisë Kombëtare Fashiste, me një kapacitet prej 50 mijë vendesh, i ndërtuar në vitin 1911 dhe i shkatërruar në vitin 1953. Në finale të botërorit 1934 merr pjesë dhe Musolini.  Presidenti i FIFA-s, Zhyl Rime ka deklaruar se, në këtë finale ndodhet pranë tij, Duçja, i cili nuk ka haber nga futbolli, e mbetet si i ngrirë gjatë takimit. Po kur Skiavio shënon golin e fitores, fytyra e tij spërndritet. Është një takim i këndshëm, i bukur edhe në aspektin teknik e taktik. Italianët kanë epërsi, po golin, ama e shënojnë çekët me anë të Pucit. Mbeten 21 minuta lojë. Pasi kalon disa çaste nervozizmi, skuadra italiane galvanizohet e Monti, me Ferrarin merren vesh midis tyre e vendimin që e marrin e realizon Orsi me një goditje të rreptë. Përsëri shtesë loje si e spanjollët. E pastaj goli historik i Anxhelo Skiavos, pas topit të dhënë, nga Guaita. Atëherë Skiavo bie i alivanosur për tokë i mbuluar nga puthjet dhe përqafimet e shokëve. Italianët janë Kampionë të Botës pas 120 minutash lojë. Çekosllovaki Oldrih Nejedli u shpall golashënuesi më i mirë i Kampionatit Botëror, duke realizuar 5 gola. Gjatë karrierës së tij me Kombëtaren çekosllovake ai shënoi 29 gola në 44 ndeshje.

Xhuzepe Meaca, simboli “axur”

I shfaqur në radhët e Ambroziona Inter në fillim të kampionatit të vitit 1927 dhe e mbyll pas 20 vjetësh, në gusht të vitit 1947. Në botërorin italian është 24 vjeç. Shndërrohet në regjisorin e skuadrës. Si i tillë paraqitet edhe në Botërorin e Francës të zhvilluar 4 vjet më pas, më 1938, kur përsëri ndihmon Italinë të fitojë për të dytën herë titullin kampion.

Rezultatet

Itali–SHBA               7-1

Spanjë-Brazil             3-1

Austri-Francë            3-3

Zvicër-Holandë         3-2

Suedi–Argjentinë             3–2

Gjermani–Belgjikë    5–2

Çekosllovaki–Rumani      2–1

Hungari–Egjipt         4–2

Çerekfinalet

Itali–Spanjë        1–1

Çekosllovaki–Zvicër 3–2

Austri–Hungari         2–1

Gjermani–Suedi         2–1

Itali–Spanjë        1–0 (ndeshja e dytë)

Gjysmëfinalet

Itali–Austri         1–0

Çekosllovaki–Gjermani   3–1

Për vendin e 3-të

Gjermani–Austri        3–2

Finale

10/05/1934

Itali – Çekosllovaki 2 – 1

Shënues: Puç (Ç) 7’, Orsi (I) 81’, Skiavo (I) 95’

Gjyqtar: Eklind (Suedi)

Italia: Konti, Manxelio, Alemandi, Ferrari, Monti, Bertolini, Guaita, Meaca, Skiavio, Ferrari, Orsi

Çekosllovakia: Planiçka, Zinesek, Ctiroki, Kostalek, Kambel, Kercli, Junek, Svodoba, Sobotka, Nejedli, Puç

Përbërja simbolike e botërorit 1934

Zamora (Spanjë), Monzelio (Itali), Monti (Itali), Kuinkokes (Spanjë), Vagner (Austri), Bertolini (Itali), Nejedli (Çekosllovaki), Guaita (Itali), Meaca (Itali), Skiavio (Itali), Orsi(Itali)

  YJET

 Planiçka – Nuk është më shumë se 1.73 m. mbahet si një ndër portierët më të mirë në Evropë. Mahnit në botërorin e 1934-ës me pritjet e tij. Katër vjet më pas e gjejmë përsëri në radhët e ekipit kombëtar çekosllovak. E mbyll karrierën pasi ka luajtur 75 ndeshje me kombëtaren.

 Kombi – Bëhet kampion bote krejt rastësisht. Trajneri Vitorio Poco e grumbullon Kombin vetëm se portieri titullar pëson një dëmtim vetëm disa ditë para botërorit. Në ekipin kombëtar regjistron 47 ndeshje (28 fitore, 9 humbje, 10 barazime dhe 65 gola të pësuar).

 Sindelari – 31 vjeçar, me trup të zhdërvjelltë, ndonëse jo të madh. Zhvillon me përfaqësuesen austriake 43 takime (1926 – 1938), cilësohet futbollisti më i mirë i Botërorit 1934 dhe mbiquhet “Moxarti i futbollit”. Është futbollisti më i famshëm i Austrisë të të gjitha kohërave.

 Skiavio – Nisi të luante futboll më 1922 në radhët e Bolonjës, kur nuk ishte veçse 15 vjeç. Dhe e mbyll jetën sportive përsëri me Bolonjën. Gjatë kësaj periudhe ftoi 4 tituj kampionësh (1925, 1929, 1936, 1937). Kur nuk kishte mbushur 18 vjeç zhvillon takimin e parë me skuadrën Kombëtare.

 Ish-Kampioni i Botës u dërgon një letër prekëse tifozëve të Barcelonës

  Viktor Valdes: “Lamtumirë të gjithëve”

 Një letër shumë prekëse. Ka provokuar komente pa fund në rrjetet sociale, letra e lamtumirës që portieri Viktor Valdesi u ka adresuar të gjithë tifozëve të Barcelonës në përfundim të eksperiencës shumë vjeçare me fanellën numër 1 të katalanasve. “Ka ardhur koha t’ju them lamtumirë të gjithëve. Për fat të keq nuk mund t’ju them lamtumirë duke luajtur siç do të doja, por kështu është jeta në disa raste dhe ky vit për mua ka qenë pak mizor në këtë aspekt”. Me 535 ndeshje me fanellën e Barcelonës, por me tituj të shumtë, të shoqëruar me suksese, gëzime, të papritura e trishtime në karrierën e 32-vjeçarit. “Faleminderit Louis Van Gaal për kurajon që tregove duke rrezikuar me një talent që vetëm ti mund ta shikoje. Ai nisi ndërtimin e kësaj Barçe historike dhe jam i privilegjuar që kam qënë pjesë e saj”.

Falënderimet vazhdojnë në vijim për Frenk Rijkardin, të cilit Valdes i shpreh mirënjohje për besimin e dhënë. Guardiolën e falënderon se i hapi dyert në një stil loje të panjohur, ndërsa në fund një dedikim edhe për të ndjerin Tito Vilanova. “Të falënderoj Tito kudo që ndodhesh, sepse na mësove jo vetëm si të fitojmë si skuadër, por na mësove për forcën dhe karakterin që duhen për t’u përballur me jetën”. Në fund mirënjohje për të gjithë kolegët e këdo në ambientin e blaugranave dhe ashtu siç nis letra, ashtu përfundon, me një mesazh drejtuar fansave të tij besnikë. “Ju falënderoj me mijëra herë dhe ju kërkoj të mos hiqni kurrë dorë nga mbështetja që më keni dhënë. Përgjithmonë, Força Barça. Viktor Valdes Arribas”, – mbyllet letra e portierit të Barcelonës.

 Trajneri i Brazilit rrezikon 17 vjet burg

 Telashe për trajnerin e kombëtares së Brazilit, Luis Felipe Skolari. Sipas gazetës “Folha de Sao Paulo”, 65-vjeçari po hetohet nga autoritetet portugeze pasi dyshohet për evazion fiskal me vlerë 7 milionë Euro. Hetimet janë bazuar në vitet 2003-2008, kur Skolari ishte ulur në krye të stolit të kombëtares portugeze dhe në rast se ai rezulton fajtor, rrezikon deri në 17 vjet heqje lirie. Lajmin për mediat braziliane e konfirmoi Departamenti i Hetimeve në Lisbonë që thekson se trajneri brazilian ka fshehur të ardhurat, duke i shkaktuar një dëm të madh monetar arkës së shtetit. Paratë mendohet se janë depozituar në disa banka të ndryshme në Brazil dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.