Murat TABORRI: Aldo Bumçi “pedalon” kundër Federatës së Çiklizmit

474
Sigal

Rrumpallë në Ministrinë e Sporteve, sekretari jep autorizim për vulë në kundërshtim me ligjin

Aldo Bumçi duket se po “pedalon” brenda Federatës Shqiptare të Çiklizmit, për të krijuar një konfuzion të plotë. Por zelli ministror për të ecur kundër rrymës, i ka detyruar krerët e kësaj ministrie që të bëjnë “gomë”, duke bllokuar ecurinë normale të kësaj federate. Në fakt, misioni antisportiv, i ministrit që është shkolluar për shkenca sociale dhe politike, duket se deri tani është kryer me sukses të plotë, sepse shumica e federatave ndodhen në gjendje “nokdauni”. Asnjë ministër tjetër, deri tani, nuk ka arritur të shkatërrojë me kaq sukses arritjet sportive, sa ministri aktual, i cili mund të konsiderohet i pafajshëm, vetëm nëse ai nuk ka arritur akoma të kuptojë se çfarë dëmi i ka sjellë, zhvillimeve tona sportive. Pa u zgjatur, mjafton të përmendim këtu, se Federata e Notit po mbytet në detin e halleve të përditshme, Federata e Gjimnastikës, shkon çdo ditë me vrap dhe në mënyrë gjimnastikore, për të takuar Bumçin, por atje, në vend të ministrit, gjen përgjigjen, se ai ka shkuar për fillimet e fushatës. Po kështu, në Federatën e Mundjes, duket sikur pjesa e shëndoshë e kësaj federate, po bën ndeshje “xhuto”, me mediokritetin institucional, vetëm e vetëm për të garantuar kushte minimale dhe të domosdoshme për këtë sport. Ndërsa, në sportin e futbollit, traumat janë të dukshme, sepse çdo javë shtohen akuzat e Federatës Ndërkombëtare për shitjen e ndeshjeve, apo trukimin e rezultateve nëpër tavolina. Në këtë mënyrë, pranë fushës së blertë të futbollit, Bumçi do të mbahet mend si një talent për të shënuar autogola, në portën ministrore. Ndërsa, komedia më e madhe aktualisht, po ndodh me Federatën e Çiklizmit, Këtu, 10 klubet sportive dhe 2 shoqatat e gjyqtarëve, kanë zgjedhur kreun e federatës, por ministria nuk është dakord. 10 klubet sportive dhe 2 shoqatat tona,përkatësisht ajo e gjyqtarëve dhe veteranëve kanë denoncuar shkeljet e bëra nga kjo ministri, ndaj Federatës së Çiklizmit. Deri tani, këto dy shoqata kanë dërguar në adresë të Bumçit, dy letra të rëndësishme, por janë duke pritur përgjigjen, e cila me siguri mund t’u mbërrijë pas     zgjedhjeve parlamentare. Por çfarë ka ndodhur në fakt me këtë Federatë? Këtë e sqaron më mirë se kushdo letra e këtyre dy shoqatave. Në këto letra thuhet: “Ne ju, kemi dërguar dosjen e plotë të zgjedhjeve të 27 dhjetorit, të shoqëruar me procesverbalet e firmosura dhe të vulosura, gjithashtu edhe miratimin nga 10 klube e dy shoqata të anëtarësuara në Federatë. Marrim shkas t’ju drejtohemi juve, pas urdhrit të sekretarit të Përgjithshëm të MTKRS-së, z.Murat Mehmeti, që i jep autorizim z.Besnik Musai të bëjë një vulë, për Federatën tonë, në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e FSHÇ-së”. Më tej, në letër thuhet se: “Ky individ është përjashtuar nga asambleja e 27 dhjetorit dhe nga Tirana. Për dijeni, z.Bumçi, sekretari i Përgjithshëm po del hapur kundër 10 klubeve e dy shoqatave, ndaj kërkojmë të çoni më lart, dinjitetin e çiklizmit, që me sa po shikojmë, ju nuk jeni në dijeni se çfarë po ndodh me sportin shqiptar”.