Muharrem Ahmeti, kampioni “heshtur” i ciklizmit

1539
Nga Moisi DALIPI 
PROFIL/ Një nga çiklistët më të mëdhenj të kohës, sot vjen me madhështinë e titujve e trofeve të fituara ndër vite
Nga vetë natyra e tij, Muharrem Ahmeti, ose ndryshe “Rrema” siç e thërrasin në Vlorë, është një tip i qetë e fjalëpakë, i cili të bën për vete që bisedën e parë. Në bisedat për sportin, në veçanti për çiklizmin, ai të flet më shumë për shokët, skuadrën, garat e fituesit, dhe kur vjen radha për të thënë diçka më shumë për sukseset e tij, hesht për një çast dhe sikur e mbyll bisedën më fjalët: “Edhe unë si shumë shokë të tjerë e kam dashuruar fort çiklizmin, kam zhvilluar gara, por kam dalë edhe fitues….”. Mjafton kaq për të kuptuar se biografia e tij sportive ka në vetvete vlera të një kampioni të heshtur, që në kornizën e profilit të vet, është një shembull që motivon e frymëzon çdo sportist që dashuron, punon dhe garon për çiklizmin.

Biçikleta, dashuria e parë
Kur ende nuk kishte mbushur 10 vjeç, djaloshi lagjes “Çole” bie në kontaktin e parë me biçikletën. Në një prej ditëve, si krejt pa dashur, së bashku me djalin e komshiut gjejnë diku një biçikletë të vjetër, e më pas fillojnë xhirot me orë të tëra, duke mos ditur se tek kjo biçikletë, për Muharrem Ahmetin do lindte dashuria e parë për sportin e çiklizmit. Vitet e fëmijërisë do rridhnin në ritualin e tyre, dhe kur ishte 15 vjeç, Muharremi merr pjesë në një garë me biçikleta midis shkollave të qytetit të Vlorës. Ndryshe nga më parë, për këtë garë një kushëriri tij i kishte falur biçikletën e vet. Për tërë natën siç tregon Muharremi ai ka ndenjur me merakun si do të dilte në këtë garë , duke ëndërruar jo vetëm të ishte fitues i saj , por dhe të merrte një ftesë për të qenë pjesë e skuadrës të Flamurtarit. Fati e solli që kështu ndodhi. Në garën Vlorë-Mifol-Vlorë, djaloshi Muharrem Ahmeti shpallet fitues i vendit parë, por vetëm një fletë lavdërimi për “kampionin” e kësaj gare. Ditët kalonin dhe ai priste që merrte ftesën për të qenë pjesë e ekipi të Flamurtarit. Dikush kishte “harruar” këtë talent të ardhshëm të çiklizmit shqiptar. Në një prej ditëve, vetë i drejtohet inspektorit të sportit në rrethin e Vlorës në ato vite, Leandro Kruta. Urdhri ishte i qartë: Muharrem Ahmetit do i jepej një biçikletë çiklizmi, uniforma dhe drejt tek ekipi që drejtohej nga ish-trajneri Zagoll Leskaj. Stërvitje e fortë, vullnet në maksimum, dhe gara e parë zyrtare me ekipin e të rinjve kur ishte 16 vjeç. Dhe Muharrem Ahmeti spikati mes më të mirëve, duke u bërë pas një viti pjesë e ekipit parë të Flamurtarit. Përsëri stërvitje, punë me intensitet dhe dëshirë e madhe për të qenë kampion. Dashamir Rama, Agim Tafilica, Agron Huqi, Lutfi Zino dhe Sali Hima, këta do të ishin kundërshtarët e tij në çdo garë dhe rreth çiklistik. Trajnerit të madh Bilal Agalliu, që në ato vite drejtonte Partizanin, nuk do t’i shpëtonte ky talent që rritej dhe ky mjeshtër i garave malore. Me fanellën e Flamurtarit në shumë gara, Muharrem Ahmeti ishte kundërshtari parë për kampionët e Partizanit, dhe kjo ishte arsyeja që në janar 1969, kur ishte vetëm 19 vjeç, ai bëhet pjesë e skuadrës së Partizanit. Trajneri Agalliu i beson shumë, duke e bërë kapiten të skuadrës, dhe shpërblimi vjen shpejt, pikërisht në Rrethin Çiklistik të vitit 1970, ku Muharremi shpallet fitues i tij dhe kampion i vendit. Është vetëm 20 vjeç dhe ardhmja është përpara, dhe po atë vit “Rrema” bëhet fitues i Anketës Sportive “10 sportistët më të mirë të vitit 1970”. Tre vitet që qëndroi tek Partizani, ai u formua më së miri si çiklist i nivelit të lartë, ku në shumë gara ishte fitues i padiskutueshëm. Por, në kujtesën e tij ishte fiksuar dëshira për t’u kthyer në Vlorë, ku i lindi dashuria e parë për këtë sport.

Rikthimi në Vlorë dhe sukseset 
Edhe pse trajneri Bilal Agalliu bëri gjithçka për ta mbajtur tek Partizani, në mendjen e Muharrem Ahmetit ishte vetëm Vlora dhe Flamurtari. Sapo u kthye në qytetin e tij në janar të vitit 1972, ai nisi stërvitjen e fortë me synimin për të fituar titullin kampion me skuadrën e qytetit të tij. Dhe në fakt kështu ndodhi, sepse në maj të 1972, në një rivalitet të fortë me kundërshtarët e ekipeve të tjera, Maharrem Ahmeti bëhet fitues i Rrethit Çiklistik dhe Kampion Kombëtar i vitit 1972. Sa shumë e ka përjetuar kampioni momentin e shpalljes kampion për herë të dytë, për më tepër me fanellën e Flamurtarit! Po atë vit, në muajin dhjetor 1972, përsëritet suksesi si fitues i Anketës Sportive “10 sportistët më të mirë të vitit”. Flamurtari i atyre viteve me Muharrem Ahmetin e të tjerë, kishte filluar të rivalizonte si ekip edhe me Partizanin, Dinamon, Tiranën, Vllazninë e Lokomotivën. Më pas, tek ekipi Flamurtarit do të afrohej edhe vëllai Muharremit, 17 vjeçari Sami Ahmeti, që në çdo garë do bëhej një ndihmesë e madhe për kampionin. Në pranverën e vitit 1973, Muharrem Ahmeti, si pjesë e ekipit tonë kombëtar, do merrte pjesë në një turne miqësor në Kinë. Në vitin 1975, për rezultate të larta në sportin e çiklizmit, Muharrem Ahmeti i jepet titulli “Mjeshtër Sporti”. Në maj të vitit 1979, ekipi kombëtar i çiklizmit do merrte pjesë në Kampionatin Botëror që zhvillohej në Holandë. Si pjesë e skuadrës, Muharremi kujton faktin e shumë peripecive që kanë kaluar së bashku me shokët, në një udhëtim të gjatë për të mbërritur deri në destinacion, se sa rezultatet e arritura si ekip dhe individë. 
“Xhelozia” që i ndërpreu karrierën
Ishte maj i vitit 1982, dhe Muharrem Ahmeti së bashku me skuadrën merrte pjesë në garat e shpejtësisë Gjirokastër-Kakavijë-Gjirokastër, në kuadrin e Rrethit Çiklistik. Në mbrëmje, në hotel mbërrin një telegram që ai të kthehej sa më shpejt në Vlorë. Shqetësimi ishte i madh, jo vetëm tek ai, por edhe tek i vëllai dhe shumë shokë të ekipeve pjesëmarrësve. Bashkëshortja Lumturi Resuli, ish-basketbolliste e Studentit dhe e Flamurtarit në vitet 1967-1980, dhe i biri ende 5 vjeç, Helidoni, që në vitet 1990-2000 ka qenë atlet tek Flamurtari, i telefonuan përse duhej të kthehej në Vlorë. “Trajneri i sportit ” (ky ishte pseudonimi S. Z), kishte raportuar në polici se në shtëpinë e Muharrem Ahmetit kishte bazë materiale të biçikletave, por në kontrollin e policisë në shtëpi, u gjetën dy disqe të vjetra dhe një koperton tubular, të cilat ishin zëvendësuar me të reja disa ditë më parë. Kaq duhej që skenari të funksiononte dhe Muharremi Ahmeti së bashku me të vëllain, Samiun, të arrestoheshin me akuzën “vjedhje e pasurisë socialiste”. Përndjekjet vazhduan edhe ndaj familjes së tij. Në sallën e gjyqit Muharrem Ahmeti nuk pranoi asgjë dhe i bindi të gjithë se kjo ishte një lojë e atyre që ishin bërë xhelozë për sukseset e tij në sport.
Gjithsesi, një përvojë kjo që arkivon në karrierën e tij pjesëmarrjen në një Kampionat Botëror të Çiklizmit. Rezultatet, vlerësimet e dëshira për punën, sollën dhe vlerësimin që vitin 1980, Muharrem Ahmetit t’i besohet detyra e trajnerit të skuadrës së Flamurtarit. Stërvitej me skuadrën, garonte me skuadrën dhe motivonte çdo element premtues që dashuronte sportin e çiklizmit. Ky ishte Muharrem Ahmeti, kampioni i sportit të dyrrotakëve.
Nderimi për kontributin ndër vite
Në muajin maj 2017 në Vlorë, në bulevardin Vlorë-Skelë, u zhvillua gara çiklistike “Muharrem Ahmeti”. Mbi 50 çiklistë nga e gjithë Shqipëria pedalojnë fort në respekt të këtij kampioni, Vlora duartroket aktivitetin, dhe kampioni i heshtur përlotet. Familja e tij që është kthyer për këtë ditë të veçantë nga emigracioni, ndihet e vlerësuar, ndërsa Klubi Shumësportësh “Partizani”, me anë të përfaqësuesit Abedin Guzja, veç “Medaljes së Meritës”, i ka dhuruar kampionit dhe kupën origjinale të fituar me Partizanin në vitin 1970. Medalja “Mirënjohje e Lartë” nga Bashkia Vlorë, Federata e Çiklizmit dhe Shoqata Patriotike “Çamëria”, mbuluan gjoksin kuqezi të këtij kampioni. Mes emocioneve e nostalgjisë Muharrem Ahmeti flet. “Ju faleminderit të gjithëve! Sot jam përsëri çiklist dhe trajner i Flamurtarit tim të dashur”, ky ishte togfjalëshi i kampionit. 
Skeda 
Muharrem Ahmeti 
Datëlindja: 28 dhjetor 1950
Vendlindja: Vlorë
Sporti që ka ushtruar: Çiklizmi 
Karriera si çiklist: Flamurtari dhe Partizani në vitet 1966-1982
Fituar, tituj kampion: Në 1970 tek Partizani, dhe 1972 tek Flamurtari
Vlerësime: Fitues i Anketave Sportive në vitet 1970 dhe 1972; “Mjeshtër Sporti” 1975; “Medalje e Meritës” nga klubi Partizani në maj 2017; Medalja e “Mirënjohje e Lartë” nga Bashkia Vlorë; Federata e Çiklizmit dhe Shoqata Patriotike “Çamëria”, maj 2017. 
Rezultatet, vlerësimet e dëshira për punën, sollën dhe vlerësimin që vitin 1980, Muharrem Ahmetit t’i besohet detyra e trajnerit të skuadrës së Flamurtarit. Stërvitej me skuadrën, garonte me skuadrën dhe motivonte çdo element premtues që dashuronte sportin e çiklizmit. Ky ishte Muharrem Ahmeti, kampioni i sportit të dyrrotakëve.
Sigal