Moisi Dalipi:Kombëtarja ,autokritika jonë,ishte fitorja me zemër

103

Shqipëria “autokritika” jonë,  ishte fitorja me zemër

Vetëm kështu mund ta vlerësosh fitoren  me rezultatin 4-2   e marrë nga skuadra jonë kuqezi në përballjen e radhës  me Islandën, për grupin eliminator të Euro-2020, të zhvilluar në mbrëmjen e  10 shtatorit  2019 ne stadiumin  mitik “Elbasan –Arena”. Dhe e cilësojmë kështu  këtë stadium për faktin, se që nga 8 Tetori 2014  kur është përuruar është  bërë “shtëpia kuqezi” e skuadrës sonë kombëtare. Një stadium që për këto pesë vjet ka pritur  pjesën më të madhe të ndeshjeve, duke ruajtur momentet e gëzimit për fitoren dhe ato të mërzisë për humbjet e pësuara. Dhe të martën në mbrëmje ky stadium dhe qyteti që e mban atë si pjesën më krenare të ishin pikë referimi për të gjithë shqiptarët. Kujt iu dha rasti të ishte  atë prag mbrëmje në Elbasan e ka parë  qartë, se i tërë qyteti gjallërohet vetëm kur zhvillohen ndeshjet e kombëtares. Dhe ashtu është, me të  vërtetë. Kur  duhen dhe 3-4 orë të fillojë ndeshja rrugët e qytetit, veçanërisht  bulevardi “Aqif Pasha”  bëhet pikë referimi. Dyqanet dhe shitësit ambulantë  këto ditë të ndeshjeve i kanë disi të veçanta për aktivitetin e tyre. Tifozët e parë kuqezi që kanë mbërritur janë nga Kosova,   nga Ulqini, nga Struga  dhe Tetova. Lokalet e qytetit veçanërisht baret kanë punë ndryshe, ndaj  shikojnë  se të mos u mungojë asgjë.  Duke filluar që këngët patriotike, fanellat dhe shallet kuqezi kanë pushtuar trotuaret. Emrat e futbollistëve në çdo fanellë  duket  se janë preferenca personale. Një grup  tifozësh  nga Elbasani  për  “sfidë”, por ndoshta dhe për të protestuar sipas mënyrës së tyre mospraninë e Armando  Sadikut  në dy ndeshjet e fundit  në ekipin kombëtar kanë parakaluar  në rrugët e qytetit me fanellat me numrin 10  dhe nënshkrimin Sadiku. Kur duhej më pak se dy orë të fillojë ndeshja të dyja skuadrat kanë mbërritur në stadium. Ndërkohë policia ka nën kontroll gjithçka, por bëhet e bezdisshme me kontrollet dhe verifikimet e tepërta ndaj njerëzve të medias. Dhe stadiumi ka filluar të popullohet me tifozë, ata të ardhurit nga Tirana janë më të  shumtë në numër. Grupimi  “Tifozët  Kuqezi” janë pak të reduktuar   në numër, por ka ardhur dhe delegacioni me  “Plisat” nga Prishtina. “E justifikuar numri jo lartë  i tifozëve kosovarë edhe për arsyen  se pjesa më  e madhe e tyre kanë udhëtuar  për në Angli, në “St. Mary Stadium” të Sauthhemtonit, ku “Tre Luanët” anglezë  presin befasinë e grupit tyre, Kosovën e djemve dardanë. Pak minuta përpara ndeshjes mbërrin dhe Presidenti Republikës  z  Meta, që ashtu si  tre  ditë  më parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, do ishte fatsjellës në atë fitore historike   2-1 të Kosovës ndaj Çekisë. Por  në seancën  e fundit të përgatitjes  të  kësaj  ndeshjeje  në rezidencën e saj  në “Tropikal” të Durrësit,  ekipin e ka vizituar dhe  i ka dhënë forcë morale dhe  kryeministri Rama. Gjithsesi pak kush e kishte menduar se  do mblidheshin në stadium  rreth  10 mijë tifozë, kur  ekipi ynë   tre  ditës më parë kishte  pësuar  një humbje te thellë  4-1  përball Francës. Por    dhe Islanda nuk  është pak e vlerësuar dhe kuotuar në  grupin tonë eliminator, ku  me 12 pikët  e katër fitore dhe një humbje mban vendin e tretë. Dhe është  thuajse   ajo Islandë  e finaleve të Euro  -2016  kur  shkonte  deri në çerek finale pasi  kishte mundur më parë Anglinë  me rezultatin  2-1. Dhe  është po ajo  “hirushja evropiane” që finalet e botërorit Rusia -2018  merr pjesë për herë të parë, por që barazon  1-1  që në  ndeshjen e parë në grup përball  nën/kampionëve në fuqi Argjentinës. Për  Shqipërinë është e vlerësuar, sepse në  gjashtë ndeshjet e zhvilluara  ka fituar katër dhe ka humbur dy të tilla. Për më tepër që fitoren e fundit skuadra islandeze  e kishte më 8  Qershor  2019 , në atë ndeshje  të parë premier për trajnerin  Reja në krye të skuadrës kuqezi. Me të  gjitha këto  detaje dhe “leksione” trajneri italian Reja e  ka përgatitur    vetëm për ta fituar këtë   ndeshje, Ka filluar  lojën me  5 titullarë në stol nga ndeshja e  kaluar me Francën. Dhe  skeda e plotë  e ndeshjes është kjo:

E martë, 10 shtator, ora 20.45  në stadiumin “Elbasan –Arena”

Shqipëria  4

Islanda      2

Golat  shënuar nga: Dermaku 32`, Hysaj 52`, Roshi 79`, Cikalleshi 83`./G.Sigurdsson 47`, K.Sigthorsson78`.

Shqipëria: Th. Strakosha, Ismajli, Dermaku, Gjimshiti (Veseli 66`), Hysaj (Abrashi 72`),     Lenjani,  (Roshi 62),   Gjasula, Bare, Memushaj, Manaj, Cikalleshi.Trajner :E.Reja.

Islanda:Halldorson, Hermanson, Amason, Sigurdsson, Skulason,     Sigurjonson, Gunnarson, Hallfredson (Sigothsson 56`), Bjarmason, (Mungnoson 71`), G.Sigurdson, Bodvarson. (Kjartasson 84`) Trajner: E.Hamren

Gjyqtarë: I. Kruzliak,T. Somolani, M. Strbo (Sllovaki)

KV: Cikalleshi, Strakosha/ Arnason

Shikues: 9850

Dhe ndeshja ka filluar, ku skuadra jonë është hedhur në sulm në kërkim të golit të parë. Sulmuesi Rej Manaj kërkon të bëjë gjithçka vetë, por pa suksesin e duhur. Ndërkohë krejt papritmas në stadium mbillet entuziazmi. Kosova ka shënuar golin e parë në përballjen me Anglinë. Te gjithë kanë të drejtë të gëzohen kur flitet për një skuadër, e cila sa vjen e bëhet e fortë, më simpatike, siç është Kosova. Por i bukur është vetëm ky moment, sepse fundi pjesës së parë jep shifrat 5-1 për Anglinë, kurse gjithë ndeshja fikson rezultatin 5-3 për “Tre Luanët “ e Anglisë. Fitorja është e Anglisë, por rekordi u takon Dardanëve. Anglia prej vitit 2012 nuk pësonte tre gola në një ndeshje, dhe qe nga 2007 Kosova është skuadra e parë që u shënon tre gola anglezëve ne fushën e tyre. Gjithsesi të humbësh një ndeshje me një kundërshtar si Anglia pas 15 rezultateve pozitive rresht, por dhe të humbasësh përballë Anglisë mbas 2 vjetëve aktivitete ndërkombëtare kjo nuk përbën ndëshkim për ekipin simpatik të Kosovës por një sukses gjithnjë në rritje.

Duke u kthyer tek ndeshja e skuadrës sonë kombëtare me Islandën skema e trajnerit Reja me një 3-5-2 të famshëm duket se ka funksionuar më së miri, ku përpara portierit Strakosha janë vendosur Gjimshiti Dermaku dhe Ismajli, kurse në të dyja linjat e krahëve Hysaj dhe Lenjani mbështesin manovrën sulmuese. Gjasula me detyra të një mesfushori mbrojtës, me Memushajn si usta, që nis manovrën sulmuese dhe të riun Kejdi Bare mesfusha është më kompakte. Në sulm Cikalleshi dhe Manaj një dyshe simpatike që siç duket ka ndërmend të kenë jetëgjatësinë e ekipit tonë përfaqësues. Islandezet kujdesen më shumë për mbrojtjen dhe mesfushën. Duket qartë që miqtë janë të kënaqur dhe me një barazim nga mënyra se si luajnë në fushën e lojës, ku kundërsulmi dhe gjuajtjet e befasishme janë më të preferuarat për ta. Goli i parë i parë me autor Dermakun ishte një mrekulli për nga mënyra e interpretimit të një skeme, ku Bare dhe Memushaj kanë qëndisur bukur atë shërbim për mbrojtësin shtatlartë Dermaku që me golin e tij të parë me fanellën kuqezi ka mbjellë entuziazëm në stadium. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin Shqipëri 1-0 Islandë. Fillimi pjesës së dytë na ka befasuar të gjithëve kur islandezët me anë të sulmuesit Sigurdsson ka barazuar rezultatin 1-1, pasi dhe mbrojtja jonë ia ka lehtësuar jo pak kryerjen e detyrës sulmuesit islandez. Ishte minuta e 47’ kur ndodhi barazimi i parë, sepse pas 6 minutash dhe, më saktë, në minutën e 52’ kapiteni Hysaj do ta kalojë përsëri në avantazh Shqipërinë me atë gol të bukur, të realizuar që është i pari në karrierën e tij në 49 ndeshjet që ka luajtur me ekipin kombëtar. Familja Hysaj entuziazmohet diku në tribunën qendrore për këtë gol të shënuar nga djali i tyre. Por në shënimin e këtij goli ka pjesën e tij dhe mesfushori Bare për krosin e dhënë dhe sulmuesi Manaj që me atë finte të bukur artistike kreu një shërbesë goli për t’u pasur zili. Përsëri na barazojnë islandezët në rezultatin 2-2, kur i sapo futur në fushë Sighortsson ka shënuar pas një tjetër gabimi të mbrojtësve tanë. Vetëm kaq, sepse pastaj në fushën e lojës gjithçka flet vetëm për përfaqësuesen shqiptare. Dyshja fierake Bare –Roshi funksionon mirë. Këtu nis e vjen edhe goli tretë i shënuar nga skuadra jonë ku Roshi që vuajti aq shume nga eksperimenti Reja në ndeshjen me Francën, sot ka shfaqur tërë talentin e tij me atë gjuajtje. Shqipëri 3-2 Islanda, por minutat e mbetura kanë dhe momentin e tyre për te regjistruar golin e katërt nga Cikalleshi, të shënuar në minutën e 83’, ku shpërthimi në qendër i Roshit, krosimi i saktë i Memushajt dhe gjuajta plot kredo e sulmuesit kavajas e ka fiksuar rezultatin në 4-2 për Shqipërinë. Dhe festa ka nisur në shkallet e stadiumit dhe fushën e lojës. I pari qe ka zbritur dhe ka përqafuar një nga një të gjithë futbollistet dhe trajnerin Reja është zëvendës presidenti i FSHF Lutfi Nuri. Gëzimi ligjshëm për këtë fitore, e cila është dhe “autokritika” më e mirë e një fitoreje të arritur me zemër nga skuadra jonë. Është edhe fitore historike, sepse është e para e fituar me këtë rezultat për skuadrën tonë në historinë e pjesëmarrjeve në ndeshjet eliminatore për evropian e botëror në grupe. Por duke kërkuar një rezultat të tillë të thellë të fituar në ndeshjet miqësore në memorie historike të ekipit tonë kombëtar janë fitoret 6-1 ndaj Qipros në Tiranë, më 12 gusht 2009, ajo 5-0 ndaj Malit të Zi, më 22 shtator 1946 në Shkodër dhe fitorja në Antalia ndaj Turqisë me rezultatin 4-1, më 21 janar 1998. Kështu pra, Shqipëria me këtë fitore është e katërta në grup me 9 pikë me bilancin: Tre fitore, tre humbje. Kjo është fitorja e dytë e trajnerit Reja në drejtim, ndërkohë që më parë ka humbur po dy ndeshje, ato ndaj Francës dhe Islandës. Por është dhe fitorja e tretë në përballjet me Islandën ka katër ndeshje të humbura. Por mbi të gjitha është me shumë vlera, sepse është “autokritika” dhe një fitore me zemër. Të gjithë do jemi në pritje në ndeshjes radhës, atë të 11 tetorit 2019 në Stamboll, Turqi –Shqipëri. Dhe deri atë ditë për ekipin tonë kombëtar do jetë periudhë reflektimi dhe jo pushimi. Këto ndeshjet e fundit me Francën dhe Islandën na bindën fortë të gjithëve për këtë gjë.