Moisi Dalipi: Për ikonën e familjes sportive elbasanase, Mihal Gjika

1203
Sigal

Nga  Moisi  DALIPI

Mihal Gjika,  pinjolli familjes sportive nga  Elbasani

Kur ndodhesh në qytetin e Elbasanit dhe kërkon të mësosh diçka më shumë për  sportin dhe në veçanti për futbollin e këtij qyteti,  përpara të del në mënyrë të detyrueshme familja e nderuar  sportive Gjika. Të gjashtë djemtë që kanë  pasur  familjarët e  nderuar  Miri dhe Dhoksi Gjika,   dhe pikërisht Llazari, Jovani,   Mihali,  Dhimitri, Petriti dhe Spiro  janë marrë me sportin e futbollit  në periudha të ndryshme  në  qytetin e tyre. Kështu  Llazari dhe  Jovani janë  aktivizuar në vitet  1952 -1954 ekipet “Spartak” dhe “Puna” të Elbasanit,  kurse  Mihali (Lakja ),  vëllezërit binjakë Dhimitri dhe Petriti si dhe Spiro me “Labinotin”. Por jo vetëm kaq. Motra e tyre Lumnija, është  nga të parat vajza  elbasanase që është marrë me  basketboll. E pra, familja Gjika  është një “katedër” më vete  në sportin e Elbasanit. Kjo ishte dhe  një nga mënyrat që me kontributin tyre  në sport,  ata të fitojmë respektin dhe zemrat  e qytetit tyre. Kur i studion me kujdes vlerat e tyre,  e kemi pak të vështirë të veçojmë  Mihalin si pinjollin e kësaj familje  sportive. Dhe këtë siklet  na  e largon  vetë Mihal Gjika  që na thotë  plotë çiltërsi se: “Familja jonë  ka pasur   nëntë fëmijë,  gjashtë  djem  dhe tre motra.  Të gjithë (sepse  sot jemi shtatë vëllezër dhe motra ) kemi pasur dhe kemi  të përbashkët harmonin,  mirësinë dhe mirëkuptimin dhe asnjëherë  nuk jemi  të qejfmbetur me njëri tjetrin”. Gjithsesi Mihalin (Laken) e veçuam  sot si një pinjoll të kësaj familje sportive dhe me arsyen  se  karriera e tij është më e  pasur dhe me  më shumë vlera. Ai e nisi dashurinë për lojën e futbollit,  aty në rrugicat e lagjes tij “Shënkoll” (kryqëzimi Cërrikut),   atje ku banon dhe sot. I pëlqente të  luante si sulmues,  duke tërhequr pas vetes në  ndeshjet e  lagjeve dhe vëllezërit më  të  vegjël Dhimitrin,  Petritin dhe Spiron. Kur ishte  vetëm 13 vjeç në vitin 1960,  ish-trajneri elbasanas Skënder Qorri do bëjë pjesë të skuadrës të pionierëve në  spartakiadën  e zhvilluar në Durrës. Mihali spikat për  lojën e bukur dhe temperamentin  e lartë në fushën e lojës. Në vitin 1961  ish-trajnerët e njohur Shefqet Lamçja  dhe Fadil Kovaçi do ta  bëjnë  pjesë të ekipit të rinjve të Labinotit,  ku në harkun e dy viteve  rritet shumë nga vlerat sportive. Dhe do jetë sezoni 1964-1965,  kur ish-trajnerët e Labinotit të njohurit Sabri Peqini  dhe Agron Striga  do ta  marrin në moshën-18 vjeçare   tek ekipi parë. Përshtatet shpejt si mbrojtës i krahut të djathtë,  duke treguar forcë dhe karakter të jashtëzakonshëm në skuadër. Një fakt i tillë  bënë që trajnerët Zyber Konçi, Refik Resmja dhe Skënder Jareci  që drejtonin në ato vite ekipin kombëtar “Shpresa”  t’i japin shansin e madh të marrë pjesë në  një  turne miqësor në Kinë. Djaloshi elbasanas Mihal Gjika  që kishte vetëm  dy sezone që ishte pjesë  e bashkisë të futbollistëve të njohur të “Labinotit” të atyre viteve si Enver Ibërshimi,  Frederik Jorgaqin, Pëllumb Himçin, Roland Calën. Novruz Duçkën,  Hyqmet Kratin, Tit Bragun, Bashkim Rudin e të tjerë,  do  vihej në “shënjestër” të  drejtuesve  të ekipeve të njohura të kryeqytetit si Partizani dhe Dinamo. Partizani i  atij viti të 1966-s që drejtohej nga Kolec Kraja ka shfrytëzuar mirë moshën për shërbimin ushtarak duke ia “rrëmbyer” Elbasanit për tre vjet  djalin energjik,  mbrojtësin e fuqishëm, që ishte mjeshtër i  markimit të sulmuesve  Mihal Gjikën. Tek Partizani ai do gjejë portierin Mikel Janku  dhe me radhë,  Lin Shllakun,  Todo Vason,  Ramazan Ragamin,  Sabah Bizin, Mexhit Haxhiun, Tomorr Shehun,  Panajot Panon  e shumë të tjerë,  të cilët i dhanë emër,  suksese  e  trofe Partizanit   dhe në arenën ballkanike dhe atë evropiane. Si  shok dhe  mik të mirë Lakja do  mbante vetëm vlonjatin Mexhit Haxhiu që  e këshillonte shpesh  se:  “Duhej të stërvitej tre herë në ditë në orare të ndryshme. Gjithçka duhej ta fillonte në mëngjes herët në veprime me topin…”   Dhe Mihali që me atë  pamje disi të  ashpër  që të   afronte në fushë,  krejt ndryshe në marrëdhëniet me njerëzit,  ku shprehte vetëm mirësi, ju përkushtua fort stërvitjes,   duke kthyer shumë shpejt një mbrojtës i fortë dhe i kalibrit. Dyluftimet me sulmues të tillë si Çeço e Çiraku, Hyka e Dibra, Skuro e Xhambazi,  Kalluci e Çurri,  Karriqi dhe Pagria  ishin të forta dhe tepër  interesante. Partizani në kornizën e viteve 1966-1969  ishte nën/kampion,  sepse Dinamo dhe “17 Nëntori”  në finish  të garës shpalleshin kampion. Por në  1968  Partizani  shpallet fitues i Kupës të Shqipërisë, pasi ka fituar në finale me rezultatin  4-1  ndaj Vllaznisë. Në këtë ndeshje të zhvilluar në Tiranë,  mbrojtësi Mihal Gjika është cilësuar nga më të mirët në fushë. Në po këtë vit në një ndeshje kampionati Labinoti- Partizani,  ku ushtarakët fituan  2-0  në fushën e lojës kanë qenë të tre vëllezërit Gjika.  Mihali për Partizanin,  kurse  dy vëllezërit binjak Dhimitri dhe Petriti për  Labinotin. Një rast disi unikal  ky dhe në futbollin botëror,  por familja Gjika të tillë e ka shkuar historinë e saj. Në tre vitet që qëndroi tek Partizani,  por dhe më pas   mbrojtësi  elbasanas  është aktivizuar  tek kjo skuadër  dhe në ndeshje  ndërkombëtare  si Torinon–Itali në 1968  dhe Beroe-Zagora kur kanë fituar  në 1970 dhe Kupën Ballkanike.  Në  dhjetor 1969  Mihal Gjika  kthehet në Elbasan. Asnjë ditë pushim, por drejt dhe tek skuadra e tij e  dashur “Labinoti”. Trajneri Fadil Kovaçi  i jep fanellën numër pesë dhe vendos në qendër të mbrojtjes  ku në krahët e saj luanin  dy vëllezërit e tij  Dhimitri dhe Petriti. Një trio e bukur kjo  e vëllezërve Gjika,  ku së bashku me  Frederik Jorgaqin  përbënin  mbrojtjen solide  elbasanase të atyre viteve. Në vitin 1970  Mihal Gjika bën pjesë në ekipin kombëtar “Shpresa” dhe në ndeshjen e zhvilluar në Bursa të Turqisë,  ku rezultati është fiksuar 0-0,   mban  dhe shiritin e kapitenit. Marrëdhëniet shumë të mira që kishte në ato vite,  por që i mban dhe sot me ish-futbollistin e Partizanit,  sulmuesin Vladimir Balluku ishin një “garanci” për t’u ruajtur nga ndonjë gërvishtje në biografi. Pas aktivizimit në dy ndeshjen me ekipin kombëtar  Olimpik kundër Rumanisë  vjen dhe arshiva e pasur me ekipin kombëtar.  Në vitet 1971-1973  Mihal Gjika  zhvillon  plot 10 ndeshje me ekipin kombëtar. Kështu  janë  dy ndeshje me ish-R.F.GJ,  po  nga dy  ndeshje me Rumaninë dhe ish-RDGJ dhe nga një  ndeshje me Poloninë, Turqinë,  Finlandën dhe Kinën. Në këto ndeshje  me shumë nostalgji Mihali veçon  dyluftimet me rumunin Dobrinin, finlandezin Toivola, turkun Metin,  gjermanëve Gerd Myler dhe Grabovski. Por  në ndeshjen  e 3 nëntorit 1973  të zhvilluar në Tiranë,  ku Shqipëria  humbiste 1-4 ndaj ish RDGJ, mbrojtësi  Mihal Gjika është autori golit të barazimit të përkohshëm në minutën e 16` të ndeshjes. Këto paraqitje kanë lënë mbresa edhe tek  drejtuesit e ekipeve  të huaja, ku më parë  në 1968 në Torino dhe  në 1971  klubi gjerman Karlsruhes ka kërkuar  shërbimet e këtij mbrojtësi. Por  për kushtet  e vendit tonë këto mbetën dëshira të paplotësuara. Pas kësaj vjen  dhe një  ndeshje miqësore  ndaj Kinës, më 7 nëntor 1973,  duke mbyllur kështu  në mënyrën më mirë të mundshme pjesëmarrjet e tij me fanellën kuqezi të ekipit kombëtar.  Ndërkohë tek “Labinoti” bëhet dhe kapiten skuadre ku në  16 mars  1975  fiton Kupën  e Republikës  në ato dy ndeshje të bukura finale kundër  “Lokomotivës”- së Durrësit. Në të dyja ndeshjet, fitore  nga 1-0  në 9 mars në Durrës dhe 18 mars në  Elbasan, ku autor të golave kanë qenë Namik Hysi dhe   Stavri  Mitrollari. Të forta,  por të paharruara  do mbeten dyluftimet në fushën e lojës midis  Mihal Gjikës dhe Maksut Leshtenit.  Një sukses ky  për të gjithë skuadrën me vëllezërit Gjika, Lleshin, Hysin, Himçin, Calën,  Mitrollarin dhe të tjerë,  por  në veçanti për trajnerët Agron Striga dhe Frederik Jorgaqi. Por  pak më shumë se një vit më vonë, krejt papritur  në prill të vitit 1976,  kur ishte vetëm 29 vjeç,  në ditën e  ndeshjes  miqësore ndërkombëtare Labinoti –As –Tërgu Muresh,  për Mihal Gjikën ka ardhur urdhri nga ish-“Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë”  për ta larguar nga futbolli. Dhe për ta kurorëzuar këtë urdhër të tyre  është inskenuar  gjoja një sjellje jo “sportive”  ndaj kundërshtarit disa  ndeshje më parë. Gjithçka një sajesë që nuk kishte  shumë të vërtetë  brenda saj. Dhe Mihal Gjika pa asnjë ceremoni për dorëzimin  e  fanellës,  pa asnjë vlerësim moral  largohet nga futbolli i tij i dashur, të cilit i dha aq shumë nga vitet e jetës tij,  por që dhe sot  i mungojnë ato që shpesh  i quajmë vlerësime kontributi në sport. Gjithsesi, Mihal Gjika  ka merituar dhe meriton dashurinë dhe respektin e të gjithë opinionit sportiv shqiptar.

 

SKEDA E MIHAL GJIKA

Lindur: Në Elbasan,  më 13.11.1947

Karriera  në sport:

Në  vitet 1965 -1966  dhe 1969-1976 “Labinoti” Elbasan

Në  vitet 1966-1969  Partizani.

Roli në skuadër: Mbrojtës

Ndeshje ndërkombëtare:  22 ndeshje gjithsej,  ku 10 janë me ekipin kombëtar, 2 janë ekipin kombëtar  olimpik,  3 me ekipin kombëtar  “Shpresa”   2  me ekipin e Partizanit dhe  5 me ekipin e Labinotit.

Trofe të fituara :Në 1968 Kupë Republike me Partizanit,  më  1975 Kupë Republike me “Labinotin”  si dhe  kupat  e shtypit në  1972 dhe 1974.

Vlerësime:

“Medalja e Meritës”–Partizani dhe

  1. “Legjenda  e Futbollit Shqiptar” –  F.SH.F.