Moisi DALIPI/ “Fermani” i Turqisë:” Hipni këtu dhe shikoni Stambollin!”

529
Sigal

 

Turqi -Shqipëri 1-0 !Ky ishte fundi dramatik i kësaj ndeshje , kur duheshin vetëm katër minuta shtesë loje , që të vinte vërshëllima përfundimtare e bilbilit “mëkatar” e gjyqtarit 39-vjeçar rumunit Ovidiu Hotegan. Dhe jemi ndëshkuar ose e thënë më qartë është thyer qëndresa plotë sakrificë e skuadrës tonë kuqezi në stadiumin “Sukru Saracoglu” të Stambollit në minutën e 90` të ndeshjes pas një ” gyzel peshqesh”, siç shkruan dhe shtypi sportiv turk, që portieri ynë Strakosha u bëri sulmuesve Tosun dhe Jilmaz. Dhe goli që ka për autor sulmuesin turk të klubit anglez të Evertonit, Cenk Tosun është i 17-ti për të në 47 ndeshje me përfaqësuesen e Turqisë. Ai deri në moshën 21-vjeçare është aktivizuar me ekipet U-17 , U-19 dhe U-21 të Gjermanisë dhe pak më vonë kuptoi se vetëm me skuadrën e origjinës tij Turqinë mund të konfirmohej titullar i pazëvendësueshëm në fushën e lojës. Këtë gjë ai e kuptojë më së miri dhe në mbrëmjen e ditës premte, kur i shënonte Shqipërisë atë gol që u festua me nderimin ushtarak nga ai dhe shokët e skuadrës së tij. Me një mënyrë të jashtëzakonshme festuan dhe shpërthyen në entuziazmin e tyre dhe rreth 45 mijë tifozët turq. Dhe ndoshta me të drejtë ka ndodhur kështu nga ana e tyre, sepse me këtë fitore me vlerën e tre pikëve Turqia ruajti vendin e parë në grup me 18 pikë, aq sa ka dhe Franca që, edhe pse ka një golaverazh më të mirë, me humbjen e pësuar në Stamboll, më 8 qershor me rezultatin 2-0 i duhet ta respektojë në klasifikim Turqinë e vendit parë. Gjithsesi ndeshja e ditës së sotme Francë -Turqi pritet që të jetë më shumë një aleancë fluide midis të dy skuadrave për të qenë, ata dhe vetëm ata, dy finalistet e grupit tonë për në Euro-2020. Kështu, edhe pse matematika të lejon pak hapësirë për të menduar ndryshe për Islandën, për Shqipërinë gjithçka është një shpresë e shuar për të përsëritur atë sukses të bujshëm të pjesëmarrjen në finalet e evropianit Francë- 2016. Pra, e thënë më qartë “fermani” i Turqisë për ëndrrën dhe shpresën shqiptare pas kësaj ndeshje ishte “Hipni këtu dhe shikoni Stambollin!”. Gjithsesi, duhet pranuar se Turqia e mori “haberin” e suksesit vetëm atëherë kur pak kush besonte se ai aksion pa shumë pretendime i minutës së 90` të ndeshjes do ruante brenda vetës atë gol për Turqinë që do thoshte fitore, kurse për Shqipërinë tregoi që në këtë ndeshje një mobilizim deri në limitet e sakrificës fjalën e pavlerë humbje. Por në futboll ndodh dhe kështu, kur ndëshkimi të vjen kur nuk e mendon mirë atë dhe fal si pa dashje shumë raste goli. Por në futboll ndodh pikërisht edhe kështu, që skuadra edhe kur humbet një ndeshje merr si shpërblim nga të pranishmit në stadium shumë duartrokitje. Dhe kështu vërtetë i ka ndodhur Shqipërisë dhe ekipit të saj kuqezi pas kësaj ndeshjeje në Stamboll ku mori shumë entuziazëm dhe përshëndetje nga të gjithë. Gjithçka ka qenë e merituar, gjithçka është një moral më shumë për të ardhmen e kësaj skuadre të riformatuar me shumë kujdes nga trajneri italian, 74-vjetari Eduardo Reja. Por duhet pranuar se në historinë e saj 75- vjeçare skuadra jonë kuqezi nuk ka për herë të parë që pëson golin e humbjes në minutat e fundit të ndeshjes. Të paktën që nga viti 1949 -2019, pra në 70 vjet janë plot 45 raste të tilla, ashtu siç ka ndodhur në disa raste qe dhe ekipi ynë ka shënuar gol në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes. Por kjo ndeshje e 11 tetorit 2019, përngjasin shumë me atë Turqi -Shqipëri të Izmir më 27 tetor 1982 , po për kualifikuese për evropian, kur turqit fitonin 1-0 me atë gol të shënuar në minutën e 86` nga sulmuesi Arif. Por le të kthehemi tek ndeshja e fundit, që ka këtë skedë të saj:

TURQI 1 – SHQIPËRI 0

Shënues : Cenk Tosun 90` .

E premte, 11 tetor 2019 ora 20.25, në stadiumin “Sukru Saracoglu” të Stambollit

TURQIA: Gunok, Çelik, Demiral, Emre, (Kaveci 67`), Tufan,(Jaziki79`), Tosun, Çalhanoglu, Umit, Tekdemir, Jilmaz, Ajhan (Sojuncu 46`).Tr: Senol Gynesh.

SHQIPËRIA: Strakosha, Gjimshiti, Dermaku, Ismajli, Veseli, Bare, Gjasula, Lenjani, (Roshi 57`), Memushaj, (Abrashi 72`), Cikalleshi, (Balaj 84`). Manaj . Tr: Edi Reja

Gjyqtarë: O. Hategan, O. Sovre, S, George (Rumani)

Spektatorë: 47.500

Pa hyrë në analizat dhe komentet teknike, që më mirë se askush tjetër i ka bërë pas ndeshjes trajneri Reja me skuadrën, ku ka pasur të pranishëm autokritikën dhe lotët e dëshpërimit të portierit Thoma Strakosha, habinë edhe me vetveten të sulmuesit Rej Manaj që në tre raste nuk gjeti golin, optimizmin dhe moralin për të ardhmen të kapiten Memushaj, konfirmimin për më shumë rritje të Dermakut, Ismajlit, Veselit, Gjasulës dhe Bares, ndërthurjen e moshës me përvojën të Lenjanit, Abrashit, Roshit, Balajt dhe Cikalleshit. Vetëm duke e kuptuar kështu skuadrën tonë, jetojmë diçka me atë mbrëmje futbolli ku asnjë nga skuadra nuk e besonte deri në fund se do të dilnin pa pikë nga ajo ndeshje. Por dhe vetëm trajneri Reja, që me sa duket ka sjell diçka ndryshe tek kjo skuadër, nuk do ta pranonte se humbja ishte një dramë me vete, edhe pse në këtë ndeshje shënoi bilancin e tre humbjeve dhe të fitore në krye të skuadrës. Por duke i parë të 12 ndeshjet Turqi –Shqipëri të zhvilluara deri tani si një analizë rezulton kjo paraqitje e plotë:

Përballjet direkt

 

13 dhjetor 1970

Turqi-Shqipëri 2-1 -kualifikuese

14 nëntor 1971

Shqipëri – Turqi 3-0 – kualifikuese

27 tetor 1982

Turqi-Shqipëri 1-0- kualifikuese

11 maj 1983

Shqipëri – Turqi 1-1 – kualifikuese

27 mars 1985

Shqipëri – Turqi 0-0 -miqësore

21 janar 1998

Turqi- Shqipëri 1-4- miqësore

25 prill 2001

Turqi-Shqipëri 0-2-miqësore

26 mars 2005

Turqi- Shqipëri 2-0 -kualifikuese

12 tetor 2005

Shqipëri – Turqi 0-1 – kualifikuese

13 nëntor 2017

Turqi- Shqipëri 2-3 – miqësore

27 mars 2019 

Shqipëri – Turqi 0-2 – kualifikuese

11 tetor 2019

Turqi – Shqipëri 1-0 – kualifikuese

Kështu në 12 ndeshje bilanci ndeshjeve është negativ me 4 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje, por ai i golave të shënuar 14 -13 rezulton pozitiv me +1 gol më shumë të shënuar. Dhe sot në ora 20.45, në Kishnjev të Moldavisë skuadra shqiptare do të jetë përsëri në fushë për të luajtur futboll,dhe pse jo për të fituar me një skuadër si ajo moldave ku në katër ndeshjet e zhvilluara deri tani janë regjistruar tre fitore dhe një barazim. Por me këtë skuadër ka diçka të veçantë dhe domethënëse, sepse në 7 qershor 1995 me atë fitore në fushën e tyre 2-3 , me golat e Kushtës në 7, Bellait 25` dhe Vatës 71`, Shqipëria siglonte fitoren e parë jashtë fushe në një kualifikuese për evropian. Kuptohet që trajneri Reja do t’iu japë minuta loje Kumbullës, Qoses, Trashit, Seferit, Memollës dhe shumë të rinjve për të treguar se Shqipëria e tij po riformatohet me djem të rinj e të talentuar. Kjo është një arsye më shumë për të ndodhur vetëm kështu, sepse “fermani” Turqisë: “Hipni këtu dhe shikoni Stambollin!”, kërkon të thotë se tashmë ka humbur shpresa për të qenë në sofrën e 24 më të mirëve në finalet e Euro -2020.