Moisi Dalipi: Familja e madhe Nuriu, të dashuruar me sportin

1672
Sigal

Familja  e madhe Nuriu,  të gjithë të dashuruar me sportin

Nga Moisi DALIPI

Duke qëmtuar me kujdes shënimet , faktet dhe realitetin e familjeve sportive në Shqipëri , jo krejt padashur ideja dhe mendimet janë ndalur tek familja Nuriu  në kryeqytet. Një familja e madhe  me origjinë çame, e vendosur me banim   në Tiranë që nga viti 1945  dhe pas viteve  1954 , diku në rrugën e Kavajës. sot  më sakët pran tregut çam. Shitësit ambulantë që vazhdojnë të tregtojnë këtu të thonë, se  vendi   ku ata  punojnë çdo ditë e  ka marrë  emrin “tregu çam”, sepse të parët që kanë dalë dhe kanë tregtuar  mallra të ndryshme  pas viteve 1991 kanë qenë vëllezërit çam Nuriu. Gjithsesi, qëllimi ynë  në këtë rast ishte vetëm  evidentimi fakteve rreth kontributit të familjes Nuriu në vite dhe dekada në sport. Një prej shitësve të artikujve sportivë në këtë treg, Kadri Pengili e thotë qartë: “Rrallë do gjeni familje të tillë të përkushtuar  pas sportit. Nga familja Nuriu janë të paktën 16 pjesëtarë që janë marrë me sport si mundje, atletikë, gjimnastikë  e futboll dhe që kanë mbështetur me donacione financiare sportin dhe zhvillimin e tij”. Dhe duke kërkuar t’i jap të drejtë këtij fakti mendimi më lëvizi tek mundësi njohur, 13 herë kampion kombëtar në peshat 52 -56 kg, “Mjeshtri Madh”, Kadri Nuriu. Por Kadriu ka qenë vetëm “pionieri”i  parë i kësaj familjeje të dashuruar  fort me sportin e mundjes, sepse pas tij do jenë plot 15 të tjerë, të cilët që nga viti  1968  dhe deri më sot do t’i përkushtohen sporteve të ndryshme. Për të shuar kureshtjen e lexuesve le të listojmë emrat e tyre  që janë:

  1. Kadri Nuriu – mundje klasike Studenti, Partizani dhe Tirana
  2. Besim Nuriu -president i mundjes K.S. Dinamo në vitet 2000-2004
  3. Namik Nuri – mundje klasike + atletikë, Tirana
  4. Avni Nuriu -mundje klasike, Tirana
  5. Saimir Nuriu – mundje klasike, Tirana
  6. Ramazan Nuriu – mundje klasike, Tirana
  7. Denis Nuriu – mundje klasike, Tirana dhe Dinamo
  8. Eued Nuriu – mundje klasike Tirana
  9. Rafo Nuriu – atletikë Tirana
  10. Alma Nuriu – gjimnastikë Tirana
  11. Lutfi Nuriu – atletikë Tirana, president Tirana dhe  që nga  2002 zëvendëspresident i F.SH.F- së
  12. Marlind Nuriu – futboll Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu
  13. Rej Nuriu – futbollist Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu
  14. Adri Nuriu – futbollist me ekipet e moshave te Tirana
  15. Fatjon Muhameti – (nipi) futbollist dhe trajner i moshave te Tirana

16 . Eris Reçi – (nipi) futbollist me ekipet e moshave te Tirana

E  pra,  një listë e gjatë kjo e kësaj familjeje të nderuar sportive, Nuriu të cilën gjithkush sa herë që bie fjala për  sportin, në vite dhe dekada në Tiranë i veçojnë ata  me  shumë respekt dhe mirënjohje.

“ Ekipi” mundjes – Nuriu, gjysmë shekulli në tapet

 

Dhe le fillojmë  me  mundësin e kalibrit, të viteve 1968-1988 Kadri Nuriun. Në fillim  iu përkushtua alpinizmit, por trupi tij  i fortë dhe i lidhur do të ishte një element i mirë   për mundjen klasike. Kur ishte vetëm 14 vjeç trajnerët e Studentit  në ato vite, Ridvan Agushi dhe Ylli Agolli e bënë pjesë të ekipit tyre. Por vetëm  disa vite, sa u konfirmua si mundës i mirë dhe kampion në peshat 52 dhe 57 kg, sepse shumë  shpejt do gjente ekipin e tij të dashur Tiranën. Ky sport burrëror do njihte në tapetet e garave dhe ndeshjeve një mundës me shumë perspektivë. Këtu Kadriu do të provojë  shpalljen kampion  në peshën e tij. Ekipi kampion në fuqi, Partizani  e ndiqte me vëmendje këtë talent të mundjes shqiptare. Dhe në vitet 1975-1977 shfrytëzon rastin dhe bën pjesë të tij për vitet e shërbimit ushtarak. Tek kjo skuadër Kadriu Nuriu gjeti mundësit e njohur Stefan Gjinalin, Abedin Lamen dhe Bashkim Likën. Punon fort dhe arrin suksese në çdo ndeshje, ku mund të veçohen ato me Luan Musarajn dhe Arben Strokën. Por në kujtesën e 13 herë kampionit Kadri Nuriu ka mbetur një ndeshje e vitit 1973, kur vetë  ishte pjesë e Studentit  dhe  përballë kishte djalin e xhaxhait vet Namik Nuriun e Tiranës. Një ndeshje e jashtëzakonshme, e fituar me pikë nga Kadriu, por në atë ndeshje mundësi Tiranës Namik Nuriu thyen dorën dhe largohet nga sporti mundjes, duke iu përkushtuar më pas për shumë vite atletikës. Por  në vitin 1976 kampioni Kadri Nuriu do marrë pjesë në kampionatin botëror të mundjes që zhvillohej në Oslo-Norvegji. Fiton  bukur  në ndeshjen e parë ndaj  një mundësi të fortë  polak, por shorti ndeshjes dytë e vendos përballë një kampioni rus. Për arsye politike që tashmë dihen kampioni ynë Kadri Nuriu tërhiqet nga  gara  duke shuar kështu një  ëndërr, dhe pse jo për të kapur vend nderi në këtë kampionat të nivelit botëror. Vitet ecnin dhe  ky mundës vetëm rritej në cilësinë sportive. Si pjesë e ekipit kombëtar  është i pranishëm  në shumë  aktivitete. Forma e mirë sportive vlerësohet nga  sportdashësit  dhe specialistët, duke e shpallur dy herë fitues të anketës sportive: “Dhjetë sportistët më të  mirë”.  Në veçoritë teknike  që i kanë dhënë sukses në  plotë 13 herë kampion kombëtar të karrierën e tij njëzet-vjeçare, kanë qenë suplekset, kapjet çekiç   apo polaket, siç  quhen ato në  gjuhën e mundjes klasike. Dhe  në moshën 34  vjeçare  në vitin 1988, një rast i rrallë ky  për një mundës Kadri Nuriu  mbyll karrierën e tij sportive me titujt  “Mjeshtër Sporti ” dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Kur Kadriu ishte në vitet e fundit të karrierës sportive, në skenë  për sportin e mundjes dalin  tre  djem  të fuqishëm  të familjes Nuriu  dhe pikërisht; Avniu, Saimiri dhe Ramazani. Të tre  në pesha të ndryshme  me ekipin e Tiranës dhe që të tre të suksesshëm  në vitet 1986-1990. Por jo vetëm kaq. Në vitet 1998-2004    në tapetin e mundjes është i pranishëm  tre herë kampioni kombëtar peshës 62 kilogram,  pjesëtari ekipit kombëtar Denis Nuriu. Më parë  si pjesë e  ekipit “Studenti” dhe më vonë  me “Dinamon”,  djaloshi i fuqishëm Denis Nuriu do ishte absolut në çdo dyluftim, duke  qenë   një vazhdues i denjë  në këtë sport   i babait tij  Kadri Nuriu. Në vitet 2000-2004  si president-donator i ekipit të mundjes të ekipit  të “Dinamos” do jetë një tjetër pjesëtar i kësaj familjeje të madhe sportive, Besim Nuriu. Ai së bashku me trajnerin e pasionuar Besnik Shehu do krijojnë në ato vite, një ekip me mundës të kalibrit dhe më të mirin në vendin tonë.Por tradita e tyre e suksesshme vazhdon edhe sot në sportin e mundjes.   Euend Nuri vetëm 19  vjeç, tek ekipi Tiranës   pasi ka  koleksionuar  si  kampion  në peshën 89 kg me ekipit e të rinjve  synon hapur  të jetë i tillë  dhe me të rriturit. Specialistët e vlerësojnë si mundës  me të ardhme  dhe me perspektivë. Kështu pra,   tetë pjesëtarë të familjes Nuriu kanë më  shumë se  50 vjet në  tapet. Tradita vazhdon,  sukseset i ndjekin nga pas.

Kadri Nuriu

Lindur: Në Tiranë, më 06.12.1954

Lloji i sportit: Mundje klasike, pesha 52 kg dhe 57 kg

Karriera në sport: Në vitet  1968 -1988 me ekipet “Studenti”, “Partizani” dhe “Tirana”

Sukseset në sport: 13  vite kampion kombëtar  dhe dy herë fitues  i anketave  sportive 1978 dhe 1993

Vlerësimet: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti” dhe në vitin  2014 “Mjeshtër i Madh “ nga Presidenti Republikës .

 

Atletika dhe gjimnastika ka personazhet e saj

Fakti që pranë shtëpive të fisit Nuriu, ka qenë shkolla  sportive “Çlirimi”, sot me emrin “Dora D’Istria” ka bërë që pjesëtarë të familjeve të tyre  të ushtrohen dhe  me lloje të ndryshme sporti. Një mundësi e mirë kjo, që krahas shkollës ushtrimi sportit ka qenë dhe pjesë e jetës tyre. Dhe e veçanta qëndron, se të gjithë kanë pjesë  me ekipet e ish-klubit “17 Nëntori”, sot Tirana. Kështu  nga kjo shkollë sportive  është përgatitur si atlet  Lufti Nuriu, sot zëvendëspresident i F.SH.F-së. Por karrierën më të gjatë në këtë lloj sporti e ka  Namik Nuri, i cili pasi u largua  nga mundja  në vitin 1973,  për 10 vjet rresht  ka qenë  pjesë  e ekipit të  atletikës në garat  e thellësisë, ku spikat për  talentin dhe suksesin në shumë aktivitete. Por pjesë e ekipit të atletikës të femrave  të Tiranës në vitet 1985-1990 ka qenë dhe Rafo Nuriu, një  sportiste model me atë vrapim elegant, që në çdo garë do  të prekte suksesin. Në  sportin   e gjimnastikës  në vitet 1980-1988 do  shkëlqejë  fort Alma Nuriu, që në  një farë mënyre konfirmon  më së miri bindjen, se sporti është gjithëpërfshirës në familjen Nuriu.

Futbolli  , “dashuria”  e vjetër që  vazhdon  dhe sot  

Kur vjen  radha për folur për dashurinë dhe përkushtimin tek sporti futbollit e kësaj familjeje çdokush do të mendojë  menjëherë për kontributin   e “pinjollit” të kësaj  familje Lutfi Nuriu, si  zëvendëspresident i F.SH.F.-së. Natyrshëm që Lutfiu ka pjesën e tij si  tifoz i vjetër dhe i thekur i ekipit të Tiranës, si anëtar i kryesisë së saj në vitet 1991 -1998, si President  klubit të futbollit “Tirana”  1998-1999, ku  ekipi fitoi titullin kampion dhe Kupën e Republikës  dhe që nga viti  2002 e në vazhdim, për të pestin mandat radhazi si zv. president i F.SH.F.-së. Por jo vetëm kaq. Në vitet 2002-2008  ishte pjesë e kryesisë së klubit futbollit “Tirana” ka qenë dhe vëllai i tij, Avni Nuri       që me mbështetjen financiare që ka dhënë ka pjesë në sukseset e skuadrës bardheblu. Por pjesë e futbollit janë  dhe pesë anëtarë  ose nipër të   familjes Nuriu. Kështu Marlind Nuriu 22  vjeç  pas një karriere disa vjeçare tek ekipet e moshave të Tiranës, është aktivizuar me ekipin e parë bardheblu si mbrojtës. Ka qenë pjesë e ekipit kombëtar U-21  në   gjashtë ndeshje. Një sezon është aktivizuar tek Dinamo dhe tani për këtë sezon  është pjesë e Skënderbeut.  Reji Nuriu  21 vjeç, mesfushor  shumë punëtor dhe i fuqishëm. Ka qenë pjesë e ekipeve të moshave dhe ekipit parë  të Tiranës. Është aktivizuar në sezonin 2018-2019 tek Dinamo dhe tani është pjesë e Skënderbeut. Adri  Nuriu, sulmues  dhe golashënues, pjesë e skuadrave të moshave  të Tiranës. Por pjesë e “skuadrilijes” së futbollit të familjes Nuriu janë dhe  nipërit  e tyre; Fatjon Muhameti ish-futbollist i Tiranës, trajner futbolli që sezonin e kaluar shpalli kampion kombëtar U-17 e Tiranës dhe nipi tjetër Eris Reçi, vetëm 15 vjeç  pjesë e U-15  të Tiranës dhe  ekipit kombëtar. Kështu,  kjo familje e madhe sportive vazhdon traditën  dhe përkushtimin e saj  në sport, duke e konsideruar atë  si një “detyrë” jo vetëm për jetën, por dhe si një mundësi për të ndihmuar sado pak zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Njerëz dhe familje të tilla rrallë i gjen. Ata së bashku si familje e duan dhe ndihmojnë sportin, ndaj respekti i ndjek gjithmonë  nga pas kudo që janë.

 

Lufti Nuriu: Sa  të jem  gjallë do t’i shërbej sportit

Titulli  i kësaj interviste është përgjigjja që ka  thënë  në pyetjen e bërë më së fundi  i njohuri Lutfi Nuriu. I çiltër dhe i sinqertë, larg “marketingut” personal, ai flet për lidhjet e tij të hershme me  sportin dhe përkushtimin që ka për t’i shërbyer atij.

-Lutfi,   kur kanë filluar lidhjet tuaja me sportin?

Shumë   shpejt, që moshën e fëmijërisë kur kemi nisur të bënim me djemtë e lagjes  tifozllëk për ekipit tonë të dashur  ish-“17 Nëntorin” ose sot  Tiranën. Por një arsye tjetër ka qenë dhe fakti që në lagjen  tonë ka qenë një shkollë sportive, ku unë  kam ushtruar për pak kohë  sportin e atletikës.

-Sa ka ndikuar fakti që në ato vite   pjesëtarë të familjes Nuriu janë marrë me sport”

Një arsye më shumë kjo,  për të  formuar tek  unë dhe fëmijët tanë dashurinë për sportin dhe mendësinë për t’i shërbyer atij në çdo kohë.

-Mund të na tregoni diçka si pjesë e stafit drejtues të klubit Tirana pas viteve 1990?

Gjithçka  fillon në vitin 1991  si anëtar i kryesisë klubit me president Metush Seferin. Natyrisht që  në ato vite kam ndihmuar brenda mundësive të mia  ekipet e ndryshme të futbollit të klubit Tirana. Me largimin e të nderuarit Metush Seferi, në sezonin 1998-1999  më është besuar detyra  e presidentit të klubit.

-Në atë sezon Tirana fiton dhe Titullin Kampion dhe Kupën e Shqipërisë?

Po është e vërtetë kështu ka ndodhur, ndaj  gjej rastin të falënderoj  të gjithë futbollistët e asaj skuadre, trajnerin Millan Baçi me tifozët e zjarrtë të Tiranës  dhe të gjithë  bashkëpunëtorët e  atij suksesi.

-Pas jush vjen  president  i klubit egjiptiani  El-Sajed?

Kështu  ka ndodhur. Për mendimin tim, të gjithë ata që kontribuojnë për sportin  mbeten njerëz të nderuar. I tillë ishte dhe El-Sajedi. Gjithsesi, ne si familje më parë unë dhe më vonë  im vëlla Avniu  për shumë vite  kemi qenë pjesë e kryesisë të klubit, duke mbështetur skuadrën  dhe nga ana financiare.

-Që  nga viti  2002 e deri sot, që do thotë, pesë mandate radhazi jeni zgjedhur zëvendëspresident i F.SH.F – së, si e gjykoni këtë vlerësim?

Nuk e kisha menduar që në  mandatin e parë  e në vazhdim  do merrja këtë vlerësim. Dua t’i falënderoj fort ata që  kanë besuar dhe vazhdojnë të  besojnë në kontributin tim në shërbim të futbollit tonë.

-Si janë  marrëdhëniet tuaja me presidentin Duka  dhe anëtarët e  tjerë të Komitetit Ekzekutiv të F.SH.F-së?

Me thënë të drejtën, me Armand Dukën jam njohur në vitin  2002, në zgjedhjet e mandatit të parë. Kemi  vazhduar bashkë  e ja ku jemi sot në mandatin e pestë. Respektojmë mendimin dhe veprimin e njëri – tjetrit, me motivimin për t’i shërbyer sa më mirë futbollit kombëtar. E njëjta gjë  është në marrëdhëniet e mia dhe  anëtarët  e Komitetit Ekzekutiv.

-Cili është suksesi që do veçonit  dhe vlerësoni më shumë në punën  tuaj?

Mbështetja dhe ndryshimi i infrastrukturës sportive me tre stadiume të përfunduara Elbasan, Shkodër dhe Tiranë  si dhe një tjetër  në proces në Kukës. Po kështu do thosha mbështetja që ju japim klubeve për rikonstruksionin e  fushave të futbollit. Ka dhe pozitivitete të tjera në drejtim të ngritjes të  ekipeve zinxhir dhe atyre të femrave,  por dhe  mbështetjes të ekipeve kombëtare. Fakti që ekipi ynë kombëtar mori pjesë në finalet e Francë – 2016 është konkretizim i kësaj pune .

-Cilin  do veçonit nga trajnerët që kanë  drejtuar  në këto vite  Ekipin tonë  Kombëtar?

Të gjithë që kanë  punuar i kanë shërbyer futbollit tonë. E kam pak të vështirë, por dua ta them që Oto Bariç ishte trajneri zgjuar. De Biasi  ishte një trajner që dinte të motivonte skuadrën, kurse Reja është me shumë përvojë dhe i merr maksimumin skuadrës.

-Kur do shikojmë Lutfi Nurin larg sportit?

Kjo nuk do ndodhë asnjëherë. Sa të jem gjallë do t’i  shërbej dhe  mbështes  fort sportin edhe kur të mos jem pjesë e strukturave të tij. Tek sporti gjej gjithçka, e ndjej atë si pjesë të jetës sime, ndaj e respektoj dhe punoj për zhvillimin  dhe rritjen e tij.

LUTFI  NURIU

Lindur: Në Tiranë, më 18 gusht 1960

Arsimi: I lartë, vitet  1981-1985  në Institutin Bujqësor-Kamëz

Profesioni: Biznesmen

Vitet në  shërbim  të sportit: Në 1991- 1998  dhe 1999-2002 anëtar kryesie në klubin e futbollit Tirana

Në vitet 1998- 1999 President  i klubit Tirana

Në vitet 2002  e në vazhdim  për pesë mandate  rresht  është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të F.SH.F-së dhe zëvendëspresident i saj

Vlerësime: Mban  që nga viti 1999 titullin “Qytetar Nderi i  Tiranës”