Mlladen Milinkoviç: Janë katër ndeshjet e para, në vazhdimësi do të shikoni Kukësin “kampion”

760
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri serb i Kampionëve të Kategorisë Superiore, skuadra që drejton i synon të dy trofetë e sezonit
Duke qenë në sezonin e dytë në futbollin shqiptar, mendoni se jeni përshtatur me të?
Përshtatje unë kuptoj skuadrën aktuale, Kukësin, e cila realisht që është skuadër më e madhe se sa Luftëtari që drejtova në sezonin e kaluar. Duke qenë se këtu shumë gjëra ndryshojnë, mund të them se kam gjetur mbështetje në punë, por ndoshta do më duhet edhe pak kohë që të them se jam plotësisht i përshtatur.

Po me Shqipërinë, sa jeni njohur gjatë kësaj periudhe?
Tu them të drejtën, unë Shqipërinë më shumë po e njoh kur udhëtoj me skuadrën. Gjirokastrën, Tiranën dhe Kukësin i njoh më shumë, të tria më duken qytete interesante, por Tirana si kryeqytet bën të veçantën. Ne stërvitjen e zhvillojmë në Tiranë, dhe në Kukës shkojmë një ditë para çdo ndeshje, por edhe ato orë aty më kanë dhënë mundësinë të njihem me një qytet të bukur, dhe me njerëz të mirë.

Në 4 javët e para të Kategorisë Superiore, me Kukësin keni marrë 7 pikë, ishte kjo në pritshmërinë tuaj?
Ne kemi kërkuar më të mirën me skuadrën në këto katër ndeshje, ku kalendari na ka vënë përballë me skuadrat më të forta, Skënderbeun dhe Partizanin. Nuk jemi aty ku prisnim, ndoshta nga që kemi pasur edhe disa mungesa në këto ndeshje, kryesisht nga dëmtimet dhe mospërshtatja sa duhet e lojtarëve që kanë ardhur gjatë merkatos.

Në këto katër javë, ku mendoni se Kukësi i ka mangësitë më evidente?
Unë nuk mund të them se kemi mangësi që na kanë penguar. Përkundrazi, me skuadrën që ka ndërtuar Presidenti Safet Gjici, je komod të punosh. Duke qenë disa lojtarë jashtë forme, ndonjë i dëmtuar apo i skualifikuar, nuk kemi marrë atë që mendonim. Gjithsesi, ndryshimi do të jetë shumë i shpejtë, dhe pozitiv.

Si ndikon kjo ndërprerje dy javore për skuadrën tuaj?
Ndërprerje të tilla i shërbejnë çdo skuadre, sidomos për ato që nuk kanë pasur ritmin e duhur në katër ndeshjet e para. Por, duke qenë se ne kemi dy lojtarë në Kombëtare dhe dy të tjerë jo në formën e duhur fizike, kjo hapësirë pa ndeshje në Superiore, mendojmë se na shërben për mirë. 

Kjo hapësirë mbyllet më 12 tetor, kur ju udhëtoni në Lushnje, si e keni përgatitur këtë sfidë?
Natyrisht që Lushnjen e kam studiuar, dhe e vlerësojmë jo si një debutuese. Do të luajmë në në fushën e tyre, një transfertë e vështirë, dhe në këtë minifazë që po zhvillojmë, përgatitjet janë të orientuar edhe për këtë sfidë. Të gjitha ndeshjet janë të vlerësuara në maksimum nga ana jonë, por asnjëherë të mbivlerësuara.

Mendoni se renditja aktuale i ka formatuar skuadrat në pozicionet që kanë?
Jo, mendoj se është shumë shpejt për të thënë se cila skuadër do të jetë në komandën e kreut, në mesin e tabelës apo në fundin e saj. Janë vetëm katër ndeshjet e para, dhe nuk mendoj se ndonjëra nga 10 skuadrat ka treguar tërësisht vlerat e saj. në vazhdimësi do të shikoni Kukësin “kampion”.

Sezoni ka nisur edhe në Kampionat, por edhe Kupë, ju i synoni këto dy trofe?
Natyrisht që po. Kukësi është skuadra kampione në fuqi, dhe kështu ndjehemi aktualisht, pavarësisht se ndodhemi në vendin e dytë në katër javë të Superiores. Sa ka nisur ky sezon, në të cilin synimet tona janë edhe për titullin kampion, por edhe për Kupën e Shqipërisë. Do të jetë rrugë e vështirë, por për këtë jemi të përgatitur.
Është shumë shpejt për të thënë se cila skuadër do të jetë në komandën e kreut, në mesin e tabelës apo në fundin e saj. Janë vetëm katër ndeshjet e para dhe nuk mendoj se ndonjëra nga 10 skuadrat ka treguar tërësisht vlerat e saj. Në vazhdimësi do të shikoni Kukësin “kampion”
2 skuadra
Kaq ekipe ka drejtuar serbi Mlladen Milinkoviç në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar
7 pikë
Në katër ndeshjet e para të Kategorisë Superiore, Kukësi me Milinkoviç ka 2F, 1B dhe 1H
NDESHJET E KUKËSIT
Java e 1-rë/ 09.09.2017 
Kukësi-Kamza 1-0
Java e 2-të/ 18.09.2017 
Partizani-Kukësi 0-0
Java e 3-të/ 24.09.2017 
Kukësi-Laçi 3-0
Java e 4-t/ 02.10.2017 
Kukësi-Skënderbeu 1-2
Nd 4, F 2, B 1, H 1, G 5:2
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e pestë
Datë 12 tetor 2017 
Luftëtari-Kamza 14:00
Lushnja-Kukësi 14:00
Skënderbeu-Laçi 17:00
Vllaznia-Flamurtari 17:00
Teuta-Partizani 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 4 10
2.Kukësi 4 7
3.Flamurtari 4 7 
4.Teuta 4 7
5.Laçi 4 6
6.Luftëtari 4 5
7.Vllaznia 4 4
8.Kamza 4 3
9.Lushnja 4 2
10.Partizani 4 2
Sigal