Mjeshtri Uran Xhafa, futbollisti i dashuruar me mesfushën

1990
Nga Moisi DALIPI 
PROFIL/ Një nga mesfushorët më të dalluar te Flamurtari e Partizani, mbetet ende i “gjallë” për talentin e tij në këtë repart 
Djali energjik që trajnerët Ferko e Gjoka i besuan vendin kyç në formacion 
Kur lëviz kujtesën dhe moshën nga vendi, duke sjellë ndërmend futbollistët mesfushorë në vite të Flamurtarit, natyrshëm qëndron tek portreti Uran Xhafës. Një mesfushor i fuqishëm i krahut të djathtë, tepër i dashur për tifozerinë, që falë energjive që derdhte ne fushën e lojës mbeti në tërë karrierën e tij plot rendiment në shërbim të skuadrës. Në harkun e viteve 1968-1984, ku fiksohet karriera e tij si futbollist i Flamurtarit e Partizanit, gjen të sinkronizuar bukur episodet e një njeriu që dashuron fort futbollin në rolin e tij të preferuar të mesfushorit të krahut të djathtë. Fillimet me futbollin, Uran Xhafa i ka në lagjen e tij të fëmijërisë, në Skelë të Vlorës, ku në bregdet e rrugica do të niste dashuria me futbollin. Kur ende si kishte mbushur 16 vjeç, Urani behet pjesë e ekipit të rinjve të Flamurtarit, fillimisht si sulmues, dhe më vonë mesfushor i krahut djathtë. Këtu ai do spikaste për energjitë, gjuajtjet e forta që do vendosë në shërbim të skuadrës. Ish-trajneri të rinjve të Flamurtarit, Halit Hata, do t’i besonte në shumë ndeshje dhe shiritin e kapitenit. Në maj të viti 1968, Uran Xhafa së bashku me shokët e tij Cane Hameti, Pajtim Laze, Gudo Paço, Galip Camin etj, do fitonin të parin titull kampion për të rinjtë e Flamurtarit në atë finale dramatike përballë ish-17 Nëntorit të Tiranës. Dhe vjeshta e atij viti, me sezonin e ri futbollistik do ta gjejë Uran Xhafën tek ekipi parë i Flamurtarit. Trajnerët Musa Ferko e Sadedin Gjoka, i besojnë shumë shpejt këtij djaloshi një vend në formacionin e parë. “Stazhin” për të provuar aftësitë e tij, ky mesfushor i kishte treguar ne ekipin e të rinjve dhe atë të shpresave të Flamurtarit, ndërsa krahas futbollit, djaloshi nga skela kryente dhe punën si mekanik në Uzinën e Riparimeve Ushtarake në Pashaliman. Punë, stërvitje dhe ndeshje, kështu ishin ditët dhe javët e ngjeshura për të, tek të cilat do gjente kenaqësinë e viteve të rinisë. 

Me Flamurtarin, Partizanin e Kombëtaren, Uran Xhafa ishte protagonist
Në tre vitet e para tek Flamurtari, përkrah Haxhiut, vëllezërve Çurri, Nelajt, Saraçit, Troqes, Zekës, Xhaferrit, Gjokës, Dukës, Hametit , Shakajt etj, mesfushori Uran Xhafa do konfirmonte një formë sportive në rritje, e cila ra në sy të skuadrave elitare, si Partizani e Dinamo. Në verën e vitit 1971, kur ende si kishte mbushur 20 vjeç, ish-drejtuesit e Partizanit shfrytëzojnë mundësinë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për mesfushorin vlonjate, Uran Xhafa. Ish-trajneri Kolec Kraja, dhe më vonë Bejkush Birçe, do gjenin tek mesfushori Xhafa një futbollist të fortë fizikisht, që në çdo moment do ishte problem për mbrojtjen kundërshtare. Së bashku me Muhedinin, Seferin, Canin, Berishën, Ziun, Thakën, Ballukun, Brahon, Panon e, më vonë, me Muratin, ai do të kontribuonte që Partizani të ishte një rival i fortë për Dinamon,17 Nëntorin e Vllazninë. Por gjithsesi, vetëm nënkampion, sepse Dinamo e Iljaz Çeços dhe Vllaznia e Saba Bizit, nuk e falnin lehtë fitimin e titullit kampion. Në atë vit, Partizani bën një paraqitje të mirë në ndeshjet e Kupës së Republikës, ku siguron edhe pjesëmarrjen në Kupat Ballkanike. Kështu, në finalen e zhvilluar më 9 qershor 1973 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, skuadra e Partizanit në përballjen me Dinamon, ka zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme. Në atë finale të fituar nga Partizani me rezultatin 1-0, mesfushori Uran Xhafa ka qenë i papërmbajtshëm në krahun e djathtë, ku edhe pse nuk shënoi gol, ai ka shërbyer në shumë raste për shokët e skuadrës. Por pa kaluar një vit, më 10 mars 1974, Dinamo do hakmerret në finalen e radhës të Kupës së Republikës, duke fituar ndaj Partizanit, po me rezultatin 1-0. “Ka qenë një ndeshje shumë e bukur, por Partizani nuk kishte fat për shënuar”, kështu e kujton sot Uran Xhafa atë finale. Të tre vitet si pjesë e Partizanit, për Uran Xhafën kanë qenë të suksesshme, duke e pasuruar edhe më mirë portretin e tij si futbollist. Në këto vite, ai u bë i njohur aktivizimin me ekipin Kombëtar Shpresa, me ekipin Kombëtar A, pjesëmarrjen në Kupat Ballkanike dhe Kupat e Evropës, si pjesë e ekipit të Partizanit, Dinamos dhe Flamurtarit, si dhe pjesëmarrjen në turnetë ndërkombëtarë me skuadrën ushtarake kryeqytetase. Forma e mirë e tij do të mbahet mend edhe në ndeshjet me ekipin kombëtar kundër RDGJ-së, Rumanisë dhe RFGJ-së, ato me ekipin Kombëtar Shpresa kundër Turqisë, për Kupat e Evropës kundër Karl Zais Jenës dhe Aberdin të Sëlltikut, Skoci. Edhe në Kupën Ballanike kundër AEK-ut e Velezh të Mostar, në ndeshje miqësore ndërkombëtare, te Urani ka spikatur fort futbolli luajtur. Dhe janë plot 46 ndeshje ndërkombëtare që e pasurojnë biografinë e tij sportive, ku Uran Xhafa gjen më së miri vetveten si mesfushor i palodhur i krahut djathtë. Në verën e vitit 1974, pas përfundimit të viteve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Uran Xhafa kërkon rikthimin tek Flamurtari. Drejtuesit e Partizanit mendonin ndryshe, por vlonjati nuk tundohet nga asgjë, dhe vendos vetëm rikthimin në Vlorë, për t’u bërë pjesë e skuadrës të qytetit tij. Në atë ekip, Urani gjeti Haxhiun, Saraçin, Hametin, Radhimën, Çelën, Troqen, Zilen, Liçajn etj, të cilët mbanin gjallë traditën e futbollit vlonjat, duke qenë pjesë e më të mirëve në odën e futbollit shqiptar. Atëherë ishin 17 Nëntori, Dinamo, Partizani e Vllaznia që bënin rrotacionin në fitimin e trofeve, ndërsa Flamurtari me Besën, e skuadra të tjera, vetëm sa i ndjekin nga pas. 

Finalja e Kupës Flamurtari-Partizani 2-1, e mbylli karrierën 17 vjeçare
Nën urdhrat e trajnerëve Petrit Arapi e Bejkush Birçe, dhe më vonë Agron Sulo e Leonidha Çurri, mesfushori Uran Xhafa do të kontribuojë për ringritjen e Flamurtarit të madh të atyre viteve. Ai do është aty në atë skuadër që do presë Çipin, Rucin, Tahon, Lushajn, Ferkon, Berberin, Zijain, Gjondedën, Bubeqin, Kushtën e shumë të tjerë. Kampionati ka rivalitet të jashtëzakonshëm, por për Flamurtarin nuk ka trofe, sepse ai del vetëm nënkampion dhe finalist i kupës. Më së shumti, në atë periudhë skuadra vlonjate bëhet fituese e ish-kupave për ditën e shtypit. Kur karriera sportive e Uran Xhafës po i afrohej fundit, në moshën 33 vjeçare ai provon në disa ndeshje të kryejë në skuadër edhe rolin e qendërmbrojtësit. Dhe ishte fillimi vitit 1985, kur Flamurtari kishte siguruar daljen për herë të 6-të si finalist i Kupës së Shqipërisë, që Uran Xhafa vendos të “varë këpucët” e futbollit, por jo detyrën e tij ndaj Flamurtarit dhe futbollit. Ai luajti 291 ndeshje me 78 gola të shënuar, ku 46 ndeshje janë ndërkombëtare, ku Urani regjistroi në arkivin e tij personal 17 vjet futboll të luajtur në fushën e lojës. Pak ditë pas kësaj, pikërisht më 8 shkurt 1985, Flamurtari tij i dashur fiton trofeun e tij të parë në histori. Në ndeshjen finale të Kupës së Republikës, të zhvilluar në Elbasan kundër Partizanit, Flamurtari fitoi 2-1. “Ajo ka qenë një ditë e shënuar edhe për mua, sepse në muajt e fundit të karrierës sime e kam lënë futbollin e luajtur me Flamurtarin si finalist”, kështu e kujton me nostalgji Urani atë finale. Në harkun e viteve 1985-2014, Uran Xhafën e gjejmë me tutat e trajnerit të ekipeve të moshave të Flamurtarit, ku falë punës së tij, ai ka përgatitur breza të tërë me futbollistësh vlonjatë. Diku në sezonin 1998-1999, ai merr drejtimin e Flamurtarit si trajner, ku së bashku me Skënder Ibrahimin i janë ndodhur pranë skuadrës vlonjate në ditë të vështira. Dhe të gjitha këto e bëjnë krenar mesfushorin vlonjat Uran Xhafa, ku siç pohon edhe vetë ai: “Për gjithçka që i kam dhënë futbollit, vlerësimet i kam marrë prej tij”.
Djali Fjodori, “bëmë baba të të ngjaj”
Fjodor Xhafa është djali i ish-futbollistit të njohur vlonjat, Uran Xhafa. Ai debuton në futboll me forcën e pasionin rinor dhe në ndeshjet që ka luajtur, ka qenë një kopjo të atit në fushën e lojës, por me të vetmin ndryshim, sepse është aktivizuar si sulmues. Fjodori e ka nisur futbollin që në moshën 16 vjeçare te Flamurtari, ndërsa më pas është aktivizuar me Bylisin, Dinamon, Tiranën, .Elbasanin, dhe një sezon në vitin 2000 te skuadra belge Mons. Plot 416 ndeshje me 98 gola të shënuar, këto regjistrohen në biografinë sportive të Fjodor Xhafës, djali i të Madhit Uran Xhafa. Së fundmi, ai kryen detyrën e specialistit të futbollit pranë klubit Flamurtari, e përballë fakteve të tillë, më shumë se gjithçka, tingëllon bukur togfjalëshi: “Bëmë baba të të ngjaj”!
Uran Xhafa
Datëlindja: 28 gusht 1951
Vendlindja: Kaninë, Vlorë
Karriera si futbollist: Në vitet 1967-1985 Flamurtari dhe Partizani
Roli në skuadër: Mesfushor i krahut të djathtë
Numri në fanellë: 7
Ndeshje të zhvilluara: 291 (46 ndeshje ndërkombëtare)
Gola të shënuar: 78 gola (71 gola të shënuar me Flamurtarin, 7 gola të shënuar më Partizanin )
Trofe të fituara: Në vitin 1973, Kupën e Republikës me Partizanin
Vlerësimet: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Medalja Artë në Sport”, “Medalja e Meritës, Klubi Partizani”, “Pllakati, Legjenda e Futbollit”. “Mjeshtri i Madh-Presidenti” 
Sigal