Mishel Platini: “Futbolli shqiptar në duar të sigurta”

510
Sigal

Presidenti i UEFA-s takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e FSHF-së, Armand Duka

Katër orë intensive të Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, më Tiranë, që kulmuan me takimin e frytshëm me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Bisedime në nivel të lartë, por dhe premtime konkrete, duke filluar nga rikonstruksioni i plotë i stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan, por dhe fillimin e punimeve të impiantit të ri ndërkombëtar në kryeqytet, atje ku sot është mitiku “Qemal Stafa”. Kreu i qeverisë së futbollit europian mbërriti në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit në orën 09:10, ndërkohë që, një orë më pas Platini pati një takim zyrtar në FSHF me presidentin Armand Duka. Në takim ka marrë pjesë edhe sekretari i federatës, Ilir Shulku, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, si delegacioni i UEFA-s, në përbërje të cilit ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm, Xhani Infantino. Platini i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë të UEFA-s, kryesisht ekspertë në fushën e futbollit masiv dhe infrastrukturës, rreth orës 10:30, pati një takim zyrtar me kryeministrin Edi Rama dhe zv/ministrin e Sporteve. “Ne të UEFA-s jemi të lumtur me mënyrën se si ecën futbolli në Shqipëri, sidomos me dy personazhe (Rama-Duka) që e duan sportin… edhe basketbollin por kjo është temë tjetër”. Për Platininë kjo ishte hera e gjashtë që vinte në Shqipëri, pas atyre të në vitet 1990, 2004, 2006, 2008 dhe 2010.

RAMA

Kryeministri Rama informoi presidentin e UEFA-s, Mishel Platini se stadiumi “Qemal Stafa” nuk përmbush kushtet për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare dhe për këtë arsye, shtoi ai, në muajin shtator do të fillojnë punimet për të ndërtuar stadiumin e ri në Tiranë. “Është kënaqësi e dyfishtë, pasi fati ka dashur që për shkak të detyrës ta njoh Mishel Platini prej kohësh dhe ta konsideroj mik, është një mik që është vazhdimisht i vëmendshëm për mbarëvajtjen e futbollit në Shqipëri. Sot (dje) ne u takuam dhe diskutuam për përgatitjet për sezonin e ardhshëm të skuadrës kombëtare. E informova me kënaqësi se jemi të angazhuar dhe jemi të bindur se në shtator do t’i dhurojmë skuadrës tonë kombëtare, por edhe për pjesën tonë të kompeticionit, një stadium që do jetë në lartësinë e imazhit që duam për Shqipërinë në Elbasan. Në bashkëpunim me FSHF-në, qeveria do të financojë këtë operacion, ndërkohë folëm dhe për të ardhmen e stadiumit kombëtar që fatkeqësisht është jashtë standardeve sot për të mirëpritur një ndeshje ndërkombëtare. Ndamë po ashtu pikëpamjen e njëjtë se ajo çfarë s’duhet të harrojmë asnjëherë, është fakti se futbolli në radhë të parë është një sport i fëmijëve dhe të rinjve, mbi të gjitha një instrument i pazëvendësueshëm social”, – tha Rama gjatë konferencës së përbashkët për mediat.

PLATINI

President i UEFA-s garantoi Kryeministrin Rama për mbështetjen e UEFA- për stadiumin e ri. “Jemi të ndërgjegjshëm që futbolli është në duart të sigurta mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Duka, bëhet fjalë për dy persona që e duan futbollin dhe njihen prej kohësh. E di se çfarë kërkon të bëjë dhe atë që mund dhe nuk mund të bëjë, pasi nuk është shumë e lehtë të bësh gjëra të mira. Bëhet fjalë edhe për stadiumin e ri që do të kryhet kur të krijohen mundësitë financiare. Po bëhet stadium i ri në Elbasan, që është i rëndësishëm për kombëtaren, por dhe vizionin e përgjithshëm të futbollit në Shqipëri. Duke nisur nga shtatori të gjitha ndeshjet shqiptare do të përcillen në të gjithë botën për sistemin e ri të lojës. Një gjë tjetër që është bërë edhe me bekimin e UEFA-s është dhe marrëveshja mes Kryeministrit dhe Presidentit të FSHF-së për zhvillimin e sportit në shkolla. Kryeministri do të ndihmojë, por dhe ne do ndihmojmë përmes ekspertëve për të zhvilluar futbollin në Shqipëri. Pas kësaj janë çështjet tuaja për tu bërë kampionë të mëdhenj, për këtë s’mund të bëjmë gjë ne dhe që fëmijët duhet të argëtohen duke luajtur futboll, pse jo për të pasur një Mesi dhe këtu në Shqipëri”, u shpreh Platini.

  Reagimi i Ramës në “Facebook”

 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, postoi një koment të shkurtër edhe në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”. “Sot me Presidentin e UEFA-s Michel Platini, në një takim shumë miqësor ku u fol për stadiumin modern të Elbasanit që do të realizohet deri në shtator me financimin e Qeverisë Shqiptare; për perspektivën e stadiumit “Qemal Stafa”, rindërtimi nga themelet i të cilit është një objektiv strategjik afatmesëm; si edhe për përfshirjen e futbollit në shkolla përmes riçeljes së klasave sportive”.

 Platini mrekullohet nga muzeu i FSHF-së

 Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, në kuadrin e takimeve të tij zyrtare në Shqipëri, vizitoi zyrat e Federatës shqiptare të Futbollit, ku është pritur nga Presidenti i FSHF, Armand Duka. Fillimisht, Presidenti Platini, i cili shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm Xhani Infantino, dhe zyrtarë të lartë të UEFA-s takoi administratën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe vizitoi muzeun e futbollit shqiptar. Më pas, ai është pritur në zyrën e Presidentit të FSHF. Në këtë takim pune, Presidenti Platini ka diskutuar me Presidentin Duka në lidhje me ecurinë e futbollit shqiptar dhe kontributin qe ka dhënë dhe do të japë UEFA, në zhvillimin e tij. Presidenti Platini vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me FSHF, nëpërmjet projekteve të ndryshme të financuara nga UEFA dhe premtoi se edhe në të ardhmen asistenca e saj për futbollin shqiptar do të vazhdojë. Presidenti Armand Duka, nga ana e tij, falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që UEFA ka dhënë për futbollin shqiptar dhe në mënyrë të veçantë për kujdesin personal të Presidentit Mishel Platini, që marrëdhëniet mes dy institucioneve të futbollit, të jenë të shkëlqyera. Në këtë takime ishte i pranishëm edhe një përfaqësuesi e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Pas kësaj vizite, presidenti Mishel Platini dhe delegacioni që e shoqëronte u larguan nga vendi ynë.

  Batuta e Mishelit: “Kam ca probleme me… shqipen”

  Legjenda e futbollit francez dhe një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror dallohet për batutat dhe humorin e tij. Ai është i prirur të mësojë disa fjalë përshëndetëse nga gjuhën e vendit që ai viziton. Tri herë fituesi i “Topit të Artë” (1983, 1984 dhe 1985) nuk mungoi të lëshonte një batutë edhe në takimin me mediat, gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministri Rama. “Faleminderit, do të flas italisht, pas kam ca probleme me shqipen… Jam i kënaqur që, jam këtu me gjithë delegacionin e UEFA-s. Kuptojmë se, futbolli është në duar të mira mes kryeministrit dhe Presidentit Duka.” Edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së (12 nëntor 2008), Platini e mbylli fjalimin e tij duke thënë në shqip “Faleminderit”.

   Stadiumi i Elbasanit, imazh për Shqipërinë

 Pavarësisht vlerësimeve pozitive, Platini la të kuptohet se nuk ka marrë garanci për një mbështetje të madhe financiare nga ana e qeverisë për ndërtimin  stadiumit të ri që do të zëvendësojë “Qemal Stafën”. “E di atë që do të bëjë, e di edhe atë që mund të bëjë. Nuk është e lehtë të bësh gjëra të bukura. Folëm për stadiumin e ri sigurisht, pasi stadiumi i ri është diçka për të cilën kryeministri po mendon bashkë me Presidentin e Federatës dhe do të shohin se çfarë do të jetë më e lehtë për paratë. Po bëjnë stadiumin e ri të Elbasanit 40 km nga këtu, që është i rëndësishëm për ndeshjet e kombëtares por dhe imazhin e futbollit në Shqipëri pasi që nga shtatori të gjitha ndeshjet e Shqipërisë do të shihen në gjithë botën me sistemin e ri të eliminatoreve”, – tha Platini

 Specialistë dhe… topa

 Në takimin Rama-Platini u diskutua në radhë të parë për projektin e qeverisë për masivizimin e futbollit edhe në shkolla, projekt i cili sponsorizohet edhe nga UEFA. Kjo e fundit i ofron Shqipërisë bazë materiale (topa, uniforma etj), si dhe ka marrë përsipër që të trajnojë disa specialistë, që do merren specifikisht me klasat sportive. Mësohet se ky projekt fillimisht do të bëhet në disa shkolla të vendit dhe më pas do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Por, ky projekt duket se është vetëm “sebepi” i kësaj vizite dhe takimit me Kryeministrin Rama, pasi çështja më e prekshme dhe e rëndësishme është ajo që lidhet me stadiumin e ri, “Qemal Stafa”.