Mirel Josa: “Skënderbeu s’ka qenë në krizë!”

612
Sigal

 Skënderbeu triumfoi 2-0 në kryeqytet ndaj një Tirane, plotësisht në krizë. Vendosën dy episode

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, u shpreh se fitorja ndaj rekordmenëve të Shqipërisë në “Qemal Stafa” tregoi forcën e kampioneve në fuqi dhe se ajo ishte autokritika më e mirë e koçarëve pas humbjes me Kukësin në mesjavë. Skënderbeu fitoi 2-0 me Tiranën, falë kryeveprës nga goditja e lirë e kroatit Marko Radash (58’) dhe golit të zgjuar të Andi Ribajt (80’). Në fundjavë, Skënderbeu do të presë në shtëpi Lushjën, ndërsa Tirana do të luajë kundër Teutës, por në Kavajë.

 – Josa, erdhi fitorja e dytë të Skënderbeut në katër javët e para, kësaj radhe kundër Tiranës. A jeni më shumë i kënaqur me lojën apo me rezultatin e marrë?

– Mua më intereson rezultati i lojës. Skuadra luajti një futboll të disiplinuar. Kishim përballë një Tiranë që, u përpoq gjatë gjithë kohës të shfrytëzonte ndonjë gabim tonin, teksa mendoi më shumë për mbrojtjen. E patëm më shumë topin në qarkullim në këmbët tona. Gjithsesi, në pjesën e parë një rast pati Skënderbeu dhe një rast Tirana. Kështu, nuk do të thotë asgjë që të kesh topin në zotërim kur nuk shënon dhe të fitosh lojën.

– Çfarë udhëzime u dhatë lojtarëve në pjesën e dytë, kur edhe u vendos fitorja?

– Lojtarët hynë më të motivuar në pjesën e dytë, por për fat të mirë na lehtësoi edhe zhbllokimi i shpejtë i rezultatit me një gol nga goditja standarde e Marko Radashit. Ishte një goditje perfekte e tij. Nga ky moment, gjërat u bënë më të thjeshta për ne. Më pas erdhi edhe gabimi i Tiranës në shënimin e golit të dytë nga ana Ribajt.

– Çfarë ju pëlqeu më shumë nga skuadra juaj?

– Për menyrën sesi luajti dhe për egon që tregoi. Brenda shtatë ditëve kemi pasur ndeshje të vështira, javë që na ka sjellës shumë probleme, sidomos në ndeshjen e humbur me Kukësin. Skuadra ime nuk duhet të luaj futboll vetëm kur e ka topin ajo, por dhe kur e kanë kundërshtarët. Në humbjen me Kukësin na ndëshkoi humbja e ekuilibrave gjatë lojës. Tani na duhet të mendojmë për ndeshjen me Lushnjën.

– A ka ndonjë çështje “Pejiç” te Skënderbeu?

– Jo, nuk ka asnjë çështje “Pejiç”. Sipas rregullores, na lejohen të luajmë me vetëm katër lojtarë të huaj.

– Është kjo skuadër më e mirë, apo ajo e sezonit të kaluar?

– Skuadrën më të mirë kam këtë aktuale.

– A po rikthehet te ekipi aroma e të qenit kampion në fuqi?

– Nuk mund ta them këtë, kur janë luajtur vetëm katër javë. Preferoj të mendoj për ndeshjen pasardhëse, pra ndeshje pas ndeshjeje.

– A mendosi se kaloi krizën Skënderbeu?

– Nuk ka pasur krizë te Skënderbeu. Një humbje nuk do të thotë se je në krizë. Fituam tri pikë të vlefshme me Tiranën, por ato na japin vetëm një qetësi javore. Gjithsesi, Skënderbeu është mësuar të fitojë. Ne jemi shpallur kampion në tre sezonet e fundit, kështu që i gjithë fokusi është te ne. Tifozët tanë kërkojnë dhe presin gjithmonë fitore. Është një problem për çdo trajner te Skënderbeu, pir dhe për lojtarët.

– Si e parashikon trajneri Josa këtë kampionat, pasi skuadrat janë shumë të ngjeshura?

– Pa dyshim që, kampionati do të ketë shumë rivalitet deri në fund. Do të fitojë skuadra që do të ketë gjendje më të mirë fizike dhe do të fitojë më shumë në transfertë.

– Edhe pse kanë kaluar vetëm katër javë, a keni nevojë për ndonjë përforcim në merkaton e janarit?

– Është shumë shpejt për të folur për merkaton. Unë kam futbollistë shumë të mirë, edhe ata që janë në stol mund të kesh pa frikë si titullarë.

– Si një ish-trajneri i Tiranës, çfarë mendimi keni për të?

– Të them të drejtën, nuk mund të flas për ta, pasi është e drejta e trajnerit të saj. Ajo që mund të them, ka të bëjë me faktin se ka pasur probleme gjatë verës për t’u ndërtuar.

Nevil Dede: “Lojtarët tani e kuptuan fanellën e Tiranës”

 Tirana pësoi humbjen e dytë rresh me Skënderbeun, pas asaj me Vllazninë në mesjavë, me të njëjtin rezultat 2-0. Trajneri Nevil Dede, u shpreh jo pak i shqetësuar për gjendjen e Tiranës, pasi ka grumbulluar vetëm katër pikë në katër ndeshje. “E prisnim një Skënderbe shumë të motivuar dhe për të bërë gjithçka për të fituar ndeshjen, pasi dhe ata vinin pas një humbje ashtu si ne me Vllazninë. Gjithçka u vendos nga dy episode, por dhe ne patëm rastet tona për të shënuar. Mendoj se patëm më shumë dëshirë për të luajtur, më me karakter, në raport me atë që dhamë në Shkodër. Na duhet të stërvitemi më shumë për të marrë rezultate pozitive. Objektivat e Tiranës? Nuk vendosur asnjëherë, sidomos që tani jemi vetëm në fillim të kampionatit. Do të gënjenim veten, po të thoshim se dot ë dalim kampionë. Në do të punojmë fort që, të konturohemi sa më shpejt dhe të tregojmë Tiranën e vërtetë. Nëse do të jemi të përqendruar dhe do te kemi besim si skuadër, atëherë do të them se mund të bëjmë diçka të mirë. Realisht sot (dje), shumë lojtarë që kanë ardhur e kanë kuptuar se ku bëjnë pjesë dhe çfarë fanelle mbajnë veshur”, – tha Dede, pas humbjes me Skënderbeun.

Ngec Kukësi, humbet Flamurtari

 Kukësi ngec sërish. Pas fitores në transfertë me Skënderbeun, nënkampionët e vendit u frenuan 0-0 në Shkodër nga Teuta, duke mos mundur dot të marrin fitoren në fushën asnjanëse të “Loro Boriçit”. Teuta kryeson me tetë pikë, duke mos njohur ende humbje. Në takimet e tjera Flamurtari, pësoi një humbje të rëndë në fushën asnjanëse të Lushnjës përballë Kastriotit. Krutanët i ka nderuar i futuri në lojë në pjesën e dytë, Ferraj. Vlen të theksohet fakti se kuqezinjve u ka munguar për minuta të tëra kapiteni i tyre, Franc Veliu, i dëmtuar në pjesën e parë dhe i detyruar të dërgohet në spital me ambulancë. Kurbinasit e Stavri Nicës i janë falur golit të Veliajt në minutën e 70-të, për të marrë tri pikët në sfidën me Bylisin.

Kategoria Superiore

JAVA 4

Të shtunën

BESA-PARTIZANI       0-1

Mitraj 61’

LUSHNJA-VLLAZNIA           1-1

Çanka 21’ /  Tafili 13’

Dje

LAÇI-BYLIS           1-0

Veliaj 70’

FLAMURTARI-KASTRIOTI 0-1

Ferraj 75’

KUKËSI-TEUTA         0-0

TIRANA-SKËNDERBEU    0-2

Radas 58’, Ribaj 80’

RENDITJA

1    Teuta           4    +2   8

2    Vllaznia        4    +4   7

3    Partizani       4    +2   7

4    Lushnja         4    +1   7

5    Laçi            4    +1   7

6    Skënderbeu      4    +0   6

7    Kastrioti       4    -1   6

8    Bylis           4    -1   4

9    Kukësi          4    -2   4

10   Tirana          4    -3   4

11   Flamurtari*     4    +0   3

12   Besa Kavajë     4    -3   1

* Flamurtari -3 pikë

Kolona

Lacio e Lorik Canës dhe Etrit Berishës humbet derbin me Romën. Kaçe nuk luan me PAOK-un

 Shpërthen Frankfurti  i Kapllanit dhe Roshit

 FSV Frankfurti triumfoi 4-1 ndaj Ingolshtadtit të vendit të fundit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Bundesligës gjermane. Sulmuesi Edmond Kapllani e nisi si titullar, por nuk mundi të shkoi te goli. Në minutën e 78-të, trajneri Beno Mëhleman vendosi ta zëvendësojë pikërisht me mesfushorin shqiptar, Odise Roshi. Autorët e golave ishin Leki (21’ dhe 53’), Gërlic (42’) dhe Rukavitsia (87’). Dje, po në Bundesligën 2, Padeborni i Alban Mehës barazoi 2-2 në transfertë me Dinamon e Drezdenit. Të shtunën, Grojther Fyrthi i Mërgim Mavrajt shpërtheu në transfertë kundër Union Berlinit, duke fituar 4-2. Mbrotjësi i Kombëtares u rikthye në formacion pas dëmtimit në gju, që i mohoi aktivizimet në humbjet kundër Sllovenisë dhe Islandës. Pas tetë ndeshjeve, Grojther Fyrthi kryeson Bundesligën 2 me 17 pikë, tri më shumë se ndjekësit më të afërt, Këlni, Arminia Bielfeld dhe Union Berlin.

ITALI

Në Itali, Lacio e Lorik Canës humbi 2-0 në derbin me Romën, por skuadra e kapitenit të Shqipërisë e mbylli takimin me dhjetë lotarë: Dias 82’. Golat e Romës u shënuan nga Balzareti (63’) dhe Ljaliç (90’+4) me penallti. Cana luajti 90 minuta përgjithësisht të mira, ndërkohë që në stolin e Lacios ishte portieri i Kuqezinjve, Etrit Berisha, si dhe portieri tjetër, Thomas Strakosha. Një humbje e hidhur kjo me Romën, në një nga ndeshejt më të nxehta të kampionatit italian.

GREQI

Ashtu sikundër edhe pritej, mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e PAOK-ut të tij ndaj Platanias. Rikonfirmohet kështu dënimi i tij, për pezullimin nga aktivitet zyrtare me klubin grek, për shkak se “fantazisti” i Kuqezinjve publikoi një foto në rrjetin social “Facebook” i veshur me bluzën e UÇK-së. PAS Janina e Andi Lilës dhe Emiljano Vilës humbi 1-0 me Levadhiokosin në transfertë, për javën e 4-të të kampionatit grek. Lambropoulos shënoi golin e vetëm të takimit. Mbrojtësi Andi Lila luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që mesfushori Emiljano Vila u zëvendësua në minutën e 84-t.

UKRAINË

Në kampionatin ukrainas, Çornomoretsi i Elis Bakajt dhe Kristi Vangjelit fitoi 3-1 në shtëpi kundër Zorjas në javën e 10-të. Mesfushori Bakaj qëndroi në bankinë, ndërkohë që në 18-she mungonte Kristi Vangjeli. Bakaj ka luajtur në tri ndeshje, por gjithsej ai ka bërë 117 minuta lojë.

POLONI

Slas Vroklav i Sebino Plakut barazoi 1-1 në transfertë me Ruch Korzov, në kampionatin polak, pavarësisht se shënoi i pari. Sulmuesi shqiptar e nisi si titullar, por u zëvendësua në minutën e 72-të. Jagiellonia e Bekim Belajt fitoi 1-0 me Podbeskidzie (të enjten), duke kapur vendin e tretë me 14 pikë.

 Fiton Grasshopersi i Abrashit, kryeson kampionatin zviceran

 Grasshopersi i mesfushorit të ri të Kombëtares, Amir Abrashi fitoi 2-1 me Tunin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të kampionatit zviceran, duke marrë kështu vendin e parë me 17 pikë.  Abrashi ishte një ndër më të mirë në fushë për skuadrën e tij. Golat për Grasshopersin mbajnë firmat e Hajroviçit (43’, me penallti) dhe Vilotiçit (54’), Për Tunin, golin e vetëm e shënoi kosovari me pasaportë finlandeze, Berat Sadiku. Të shtunën, Lucerni i Jahmir Hykës fitoi 1-0 me Jang Bojsin, falë një goli me penallti të Rangelovit (84’). Mesfushori Hyka qëndroi në bankinë, ndërsa në lojë si zëvendësues hyri kosovari Haki Kryeziu në minutën e 77-të. Me atë fitore, Lucerni renditet për momentin në vendin e tretë.