Miqësorja me Italinë, De Biasin “Në këtë përballje jam shqiptar”

462
Sigal

Ndeshja me Italinë do të jetë e veçantë për Gianni De Biasin, që brenda dy vjet e gjysmë pune me përfaqësuesen, jo vetëm i ka ndryshuar fytyrë kuqezinjve por gjithashtu arriti dhe me mbështetjen e FSHF-së, të sigurojë një miqësore, me Italinë duke bërë realitet “ëndrrën” e shqiptarëve për të luajtur me fqinjët përtej Adriatikut në futboll. Vetëm se De Biasi këtë herë nuk do të qëndrojë në bankinën kuqezi si një italian, por si një shqiptar, siç e pranon edhe vetë ai.

“Tashmë është zyrtare, do të luhet në Gjenovë, vetëm në rast se nuk ka ndonjë ndryshim të minutës së fundit. E rëndësishme tanimë është që do të arrijmë të luajmë për herë të parë me Italinë, një gjë që ju ma kishit kërkuar që në fillim. Tani gjithcka është gati, madje edhe unë do të luaj, pasi jam shqiptar”, ka theksuar Giani De Biasi, duke e konfirmuar zhvillimin e miqësores së martës në Gjenovë, e cila ishte vënë në pikëpyetje për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe vërshimeve në këtë pjesë të Italisë.

Por a mund të konsiderohet kjo një ndeshje miqësore, për Shqipërinë apo dicka më tepër?

“Nuk është thjesht një ndeshje miqësore, pasi miqësoret nuk ekzistojnë. Dakort që nuk luhet për pikë, por luhet për prestigj dhe luhet gjithashtu për vazhdimësinë tonë. Ne do të synojmë dhe në këtë ndeshje që ekipi të arrijë ekuilibrat e duhur dhe unë nuk do të ndryshoj shumë krahasuar me ndeshjen kundër Francës në Rennes”.

Për De Biasin, përballja me Francën ishte padyshim ndeshja më e mirë e kombëtares që ai ka marrë drejtimin e kuqezinjve.

“Me Francën luajtëm mirë, ndoshta ishte ndeshja më e mirë që kur drejtoj kombëtaren. Në të gjitha aspektet, si nga mënyra sesi u pozicionuam në fushë e deri te përballimi i një kundërshtari të madh. Më vjen pak keq që nuk fituam, por në momentin e golit kaluam me tre mbrojtës qendre e Hysën e Agollin të hapur nga krahët, sepse parashikova lëvizjen që do të bënte Deschamp duke hedhur në fushë dy sulmues, njëri nga të cilët shumë i aftë nga krahët dhe mendova se me tre mbrojtës në qendër do të ishim më të mbuluar. Por gabuam, gabuam sepse në futboll dhe ndodh që të gabosh, janë gabime individuale që gjithsesi qëndrojnë gjatë një ndeshje por në aspektin taktik besoj se ishte zgjedhja më e mirë e mundshme”.

Por si e sheh De Biasi rritjen e përfaqësueses që ai drejton në këto dy vjet e gjysmë dhe si e priti deklaratën e Deschamp se Shqipëria nuk është më një kombëtare e vogël.

“Besoj se kombëtarja tashmë është stabilizuar. Sigurisht në bazë të asaj që mund të ndodhë gjatë një sezoni, përfshi edhe dëmtimet duhet të kemi 25 futbollistë në dispozicion dhe këta 25 futbollistë unë besoj se tashmë i kam me vete. Sa i përket deklaratës së Deschamp, unë mendoj se ne gjithsesi jemi një skuadër e vogël, por kjo s’do të thote se vetëm të mëdhatë duhet të fitojne. Ne na nevojitet të përmirësohemi dhe besoj se në keto dy vjet e gjysmë jemi përmiresuar shumë. Gjithsesi duhet të qendrojmë me këmbë në tokë, të mos mendojmë se kemi arritur maksimumin dhe të vleresojmë çdo ndeshje ashtu sic duhet, duke pasur mentalitetin e duhur. Në fakt të gjithë duhet të punojmë në lidhje me mentalitetin, dhe i gjithë ambienti që na rrethon duhet të na ndihmojë në këtë aspekt”./RTK