Miqësoret e rralla të Shqipërisë

557
Sigal

Nga sfidat me Kinën, Vietnamin, Kubën dhe Algjerinë, tek ato me Argjentinën, Meksikën, Katarin dhe Iranin

Kombëtarja shqiptare do të luajë të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës (“Stade de Geneve), një miqësore të rrallë, pikërisht kundër Kamerunit, një vendi afrikan. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ne ndeshemi një skuadër nga kontinenti i “zi”, pasi më parë jemi përballur dy herë me Algjerinë. Ka një sërë miqësoresh të rralla me vendet jo europiane, madje me një gjeografi që shtrihet në të pestë kontinentet: me Kinën në Azi, Bahreinin, Katarin dhe Iranin, në Lindjen e Mesme, Algjerinë në Afrikë, Meksikën në Shtetet e Bashkuara, Argjentinën në Amerikën e Jugut, por dhe me Kubën në Berat. Me Kinën, Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje, duke pasur një pasur bilanc negativ: 1 humbje, 1 barazim, por ato ndeshje mund të konsiderohen me një sfond të pastër ideologjik, për të mos thënë se kemi humbur me dëshirë, apo me porosi.  Legjenda e Vllaznisë dhe Partizanit, me një të kaluar futbollistike edhe te Lacio në Itali, Loro Boriçi, një nga trajnerët më jetëgjatë të Kombëtares (20 ndeshje në total), sfidën e parë të tij e zhvilloi në Pekin, pikërisht në miqësoren e 15 shtatorit 1957, Kinë-Shqipëri 3-2. Dy “gjeneralë’, Miço Ndini dhe Kolec Kraja, janë dhe autorët e golave për Shqipërinë. Sërish një miqësore me kinezët, por kësaj radhe në “Qemal Stafa”. Ishte koha e dashurisë së madhe me Kinën Popullore, një porosi e vetë Enver Hoxhës. Shqipëri-Kinë 1-1 (7 nëntor 1973), e zhvilluar pas Plenumit të 4-t të PPSH-së, i njohur si “famëkeqi”. Skuadra jonë drejtohet nga Ilia Shuke.  35-vjeçari Panajot Pano barazoi golin e realizuar më parë nga kinezi Van, pikërisht në ndeshjen e fundit të Panos me fanellën kuqezi (24 të tilla). Më 11 tetor të vitit 1964, Kombëtarja jonë barazoi 1-1 me Algjerinë, një ndeshje e zhvilluar në Tiranë. Trajner ishte Zyber Konçi, ndërsa golin për ekipin tonë e shënoi i madhi Mexhit Haxhiu. Dymbëdhjet vjet më pas, Shqipëria fitor 3-0 me Algjerinë, po në “Qemal Stafa”, me golat e Ilir Përnaskës (2) dhe Shyqyri Ballgjinit, por në bankinë ishte Loro Boriçi. Në atë kohë, Shqipëria me një vendim të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës i kishte pezulluar takimet zyrtare ndërkombëtare, por me Algjerinë, të konsideruar një vend mik, u lejua zhvillimi i miqësores, kjo për të zbutur disi dhe zëmrimin që ekzistonte në ambientet futbolldashëse. Kuba e largët e liderit komunist Fidel Kastro është mysafire në vendin tonë. Ndeshja zhvillohet në Berat, më 6 gusht 1998, pikërisht në përurimin e stadiumit të ri. Një ndeshje e mbyllur pa gola. Në bankinën kuqezi është trajneri Shyqyri Rreli. Nuk mungon në statistikat e Komëbëtares dhe një ndeshje me Vietnamin, madje me një fitore të thellë: 5-0, të regjistruar nga trajneri gjerman Hans-Petër Brigel, të zhvilluar në Norçia të Italisë, më 12 shkurt 2003 Golashënuesit e Shqipërisë janë: Florjan Myrtaj (2), Alban Bushi, Mehmet Dragusha, Altin Rraklli. Tejet e rallë është miqësorja me Argjentinën, më 20 qershor 2011, në Buenos Aires, kundër Lionel Mesit dhe Karlos Tevezit dhe të humbur 4-0. Në bankinë ishte kroati Josip Kuzhe. Dy miqësoret e tjera ekzotike janë ato kundër Katarit në Madrid (22 maj 2012, të fituar 2-1 me golat e realizuar nga Elis Bakaj dhe Erjon Bogdani, ndërsa tjetra është ajo kundër Iranit, të zhvilluar në Stamboll (27 maj 2012), të fituar 1-0 me golin e Emiljano Vilës. Në këto dy të fundit, trajner ishte italiani Xhani De Biazi.

GJEOGRAFIA E NDESHJEVE

Gjeografia e miqësoreve të Shqipërisë shtrihet në të pestë kontinentet: me Kinën në Azi, Bahreinin, Katarin dhe Iranin, në Lindjen e Mesme, Algjerinë në Afrikë, Meksikën në Shtetet e Bashkuara, Argjentinën në Amerikën e Jugut, por dhe me Kubën në Berat, madje kemi zhvilluar edhe miqësore të bujshme si ato me Anglinë (B) në Bërnli dhe Portugalinë.

DY REKORDE NË MIQËSORE

Në ndeshjet miqësore, Shqipëria ka vendosur edhe dy rekordet ekstreme të saj: humbjen më të thellë, 12-0 me Hungarinë (24 shtator të vitit 1950, Budapest), nën drejtimin e trajnerit Ludovik Jakova, si dhe fitoren më të bujshme, 6-1 kundër Qipros (12 gusht të vitit 2009, Tiranë), duke pasur në bankinë kroatin Josip Kuzhe.

XHANI DE BIAZI: “DO TË EKSPERIMENTOJMË NDAJ KAMERUNIT”

Shqipëria përballë Kamerunit, është një sfidë që intrigon jo pak e krijon kërshëri jo vetëm për peshën e kundërshtarit, një përfaqësuese e kualiteteve të mëdha, por dhe mbi synimet e trajnerit të kuqezinjve Xhani De Biazi. Kërshëri që trajneri italian e shuan me kortezinë e tij duke gjetur kohën në udhëtim e sipër drejt Gjenevës për një intervistë telefonike për “Sport News”, ku shtjellon së pari këndvështrimin e tij për miqësoren e prestigjit. “Për ne është një test i rëndësishëm dhe nga këndvështrimi i vlerësimit të lojtarëve që kemi grumbulluar për herë të parë. Gjithçka e bëjmë duke projektuar 6 ndeshjet që na mbeten para fundit të eliminatoreve. Për të mos u gjendur të papërgatitur dhe për ti bërë të ambientohen më mirë lojtarët që nuk janë grumbulluar më parë do të duhej një miqësore si kjo ku rezultati sigurisht është i rëndësishëm, por jo vendimtar, ndaj do të kërkojmë të bëjmë ndeshjen e duhur për të kuptuar dhe kualitetin e lojtarëve që kemi thirrur tani.” Pikërisht në këtë optikë, atë të emrave të rinj, lista e De Biazit për anti-Kamerunin ofron disa risi duke filluar nga Bala , Vajushi, por mbi të gjithë kuriozitet gjeneron Bruno Telushi, një futbollist që në Shqipëri e kemi parë shumë pak duke qenë se ka luajtur vetëm pak minuta me Flamurtarin, por mesfushori e ka fituar prej muajsh ftesën e trajnerit italian. “Është një lojtar që e pamë në grumbullimin e parë që bëmë vetëm me futbollistë të kampionatit shqiptar në janar, një lojtar që na pëlqeu. E fitoi aty këtë ftesë. E përsëris, është një miqësore që do na shërbejë dhe për të bërë ndonjë eksperiment. Të shohim nëse përshtypjet që kam pasur në janar do të konfirmohen.” Me shumë pak kohë në dispozicion për ta përgatitur këtë përballje, ku do të ketë mundësinë për kryerjen e vetëm dy seancave stërvitore me të zgjedhurit De Biazi dëshiron të shohë reagimin e kuqezinjve përballë një përfaqësuese të shkollës Afrikane, një nga ata kundërshtarë me të cilët Shqipëria nuk është mësuar të përballet, e që për më tepër ka në gjirin e tij emra sugjestionues si Samuel Eto. Pyetjes nëse ka një plan për të ndalur futbollistin më të paguar në botë, trajneri i përgjigjet me një batutë origjinale “E qëllojmë me snajper”, për të mos u humbur në intervistën e tij të plotë, ku flet dhe për arsyet e lënies jashtë të futbollistëve si Salihi e Bogdanit apo pritshmëritë nga Bala, Vajushi,e Vangjeli të cilin e ka për hëre të parë në dispozicion.

NDESHTJET

09.15.1957, Pekin

Kinë-Shqipëri 3-2

Trajner: Loro Boriçi

Shënues: Miço Ndini, Kolec Kraja

11.10.1964, Tiranë

Shqipëri-Algjeri 1-1

Trajner: Zyber Konçi

Shënues: Haxhiu

07.11.1973, Tiranë

Shqipëri-Kinë 1-1

Trajner: Ilia Shuke

Shënues: Panajot Pano

10.10.1976, Tiranë

Shqipëri-Algjeri 3-0

Trajner: Loro Boriçi

Shënues: Shyqyri Ballgjini, Ilir Përnaska (2)

06.08.1988, Berat

Shqipëri-Kubë 0-0

Trajner: Shyqyri Rreli

10.01.2002, Manama

Bahrain-Shqipëri 3-0

Trajner: Medin Zhega

13.03.2002, San Diego

Meksikë-Shqipëri 4-0

Trajner: Mirel Josa

12.02.2003, Norçia

Shqipëri-Vietnam 5-0

Trajner: Hans-Peter Brigel

Shënues: Florjan Myrtaj (2), Alban Bushi, Mehmet Dragusha, Altin Rraklli

20.06.2011, Buenos Aires

Argjentinë-Shqipëri 4-0

Trajner: Josip Kuzhe

22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri 1-2

Trajner: Xhani De Biazi

Shënues: Elis Bakaj, Erjon Bogdani

27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri 0-1

Trajner: Xhani De Biazi

Shënues: Emiljano Vila

Bilanci në 11 ndeshjet e zhvilluara: 4 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje

TRIUMFI NË SFIDËN E PARË

Në takimin e parë (në Shkodër), fitorja e Shqipërisë (5-0) u realizua jo vetëm falë golave të Jukës (2), Telitit (2) dhe Bizhuta (1), por dhe drejtimit në bankinë të trajnerit serb, Ljubisha Broçiç, trajneri i parë i huaj që ka drejtuar Kombëtaren tonë (ka fituar Kampionatin Ballkanik, në vitin 1946)

KATËR MIQËSORET E DE BIAZIT

Kombëtarja nën drejtimin e Xhani De Biazit ka zhvilluar katër miqësore: Gjeorgji-Shqipëri 2-1 (në Tbilisi), Katar-Shqipëri 1-2 (në Madrid), Iran-Shqipëri 0-1 (në Stamboll) dhe Shqipëri-Moldavi 0-0 (në Tiranë). De Biazi ka një bilanc pozitiv: dy fitore, një barazim dhe një humbje.