Minga dhe Kola, dy “binjakët” e golit, të papërsëritshëm në futbollin shqiptar

770
Nga Bedri ALIMEHMETI
Dossier/ 20 vite më parë, dy legjendarët e bardhebluve dhe të ekipit tonë Kombëtar, i dhanë lamtumirën e fundit futbollit të luajtur
“Ata ishin Minga e Kola”, dhe këtë e thonë të gjithë dashamirësit e lojës magjike të futbollit. “Ata ishin një binom i papërsëritshëm nëpër fushat e stadiumeve tona”. E theksojnë sa herë bie fjala për futbollin e madh ata burra tashmë të pjekur, të cilët në rininë e tyre patën fatin të shijojnë futbollin e paharruar të dyshes Minga-Kola. “Ata ishin binjakët e golit”, e ngrenë zërin në bisedat e tyre edhe sot çunat e “21-it”, djemtë e rrugës së “Kavajës”, çunat e “xhamllikut”, të polikumit, të rinjtë e rrugës “Durrësit”, të kafe “Florës” e të tjerë tifozë të zjarrtë të bardhebluve që s’reshtnin së thirruri nëpër shkallët e stadiumeve “Tirona-Tirona”. E përsërisin pambarimisht të rinjtë e sotëm, që në fëmijërinë e tyre mbanin në kanatiere e bluza numrat 10 e 11, me dëshirën e zjarrtë për t’u bërë futbollistë si Minga e Kola, dhe për të shënuar gola si ata. Se bëhet fjalë për një jetë sportive prej më shumë se dy dekadash, për dy yje bardheblu mbi “qilimin e gjelbër”. Në kronikat e kohës nuk reshtnin fjalët: “Krosim i Kolës e finalizim i Mingës, asisst i Benit dhe Agustini me kokë tund rrjetën e portës kundërshtare…..”. Pas kësaj, ngazëllimi i tifozërisë nëpër tribuna mbërrin gati në ekstazë, teksa bilanci është padyshim i admirueshëm. Beni në 387 ndeshje zyrtare kampionati me fanellën nr.10 bardheblu, Agustini në 440 ndeshje zyrtare kampionati me bardheblutë nr. 11, kanë shënuar respektivisht nga 136 e 132 gola. Kjo është e përbashkëta e parë e “binjakëve” të golit. 
GALERIA E PASUR E GOLAVE EDHE NË EVROPË
Galeria e golave të tyre, është e pasur edhe me të tjerë gola në ndeshjet për Kupat e Shqipërisë, në përballjet nëpër Kupat e Evropës si edhe në takimet e ekipit Kombëtar. Potencën e goditjeve të Kolës e Mingës e njohën edhe stadiumet e Sofjes, Bukureshtit, Helsinkit, Stambollit, Sarbroukenit, Belfastit, Mynihut, Goteborgut, Malmos, Vienës, Mielecit, Athinës etj. 

Më 15 shtator 1982 në “Qemal Stafa”, në turin e parë eliminator të Kupës së Kampioneve, luhej 17 Nëntori-Linfild i Belfastit. Në minutën e 70-të, falë një kombinacioni të shpejtë ku protagonist kryesor ishte padyshim Minga, Kola e përcjell topin në rrjetë. Dhe 1-0 për bardheblutë, që dy javë më pas, më 29 shtator zbresin në “Uindsor Park” të Belfastit me avantazhin e fitores në takimin e parë. Dhe në atë mbrëmje të paharruar është Minga ai që qetëson shokët në minutën e 37-të, ku pas një asisisti të Kolës, ka shënuar në portën e irlandezoveriorëve, të cilët edhe pse arrijnë të fitojnë 2-1, në turin tjetër kalojnë bardheblutë. Për herë të parë në historinë e futbollit tonë një skuadër shqiptare kalon në turin çerekfinal të Champions League. Dhe Tirana e sheh veten midis skuadrave më të forta të Evropës, si Liverpuli, Reali i Madridit, Ajaksi, Interi, Benfika etj. Por për fat të keq, bardheblutë nuk arrijnë të luajnë në turin tjetër, pasi shorti e vuri përballë Dinamos së Kievit, kampione e Bashkimit Sovjetik, shtet me të cilin vendi ynë i kishte shkëputur prej kohësh marrëdhëniet diplomatike.

Më 31 tetor 1984. Ishte minuta e 76-të në stadiumin “Stal” të Mielecit, Poloni, ku falë një kombinimi me Mingën, Kola e përcjell topin në rrjetën e portierit Kazimierski, dhe 2-1 për Shqipërinë. Polonia e Boniek, Smolarek, Smuda, Matishik, Xheganovskit etj, e sheh veten në disavantazh. Më parë në 23 minutë, Smolarek i kishte kaluar vendasit në avantazh, po, në minutën e 54-t, Omuri në një aksion individual i kishte barazuar shifrat, dhe 10 minuta para përfundimit, me anë të Palasz polakët arrijnë të shmangin disfatën. 

22 dhjetor 1984. Kur gjyqtari spanjoll Arminio, fërshëllen për të fundit herë duke sinjalizuar përfundimin e takimit Shqipëri-Belgjikë, që mbyllet me rezultatin 2-0 për kuqezinjtë, stadiumi “Qemal Stafa” shpërthen si vullkan. Kombëtarja jonë ka prekur një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj, ku tekniku Shyqyri Rreli me djemtë e tij e kanë bërë për herë të parë Shqipërinë pretendente për të shkuar në finalet e një Kampionati Botëror. Dhe në këtë fitore historike kanë firmën e tyre Minga e Kola. Pas golit të Josës në minutën e 69-të, dy minuta para përfundimit nëpërmjet një inkursioni të jashtëzakonshëm të Mingës, thuajse që nga mesfusha, i mbështetur nga Kola që përfundoi me një gjuajtje të fuqishme, duke e detyruar Pfaff ta nxjerrë topin nga rrjeta. Shifo, Kulemans, Degrot, Verkauterens etj, janë gjunjëzuar në “Qemal Stafa”. Autor i “nokautit” përfundimtar është Arben Minga.
GOLAT E TYRE ELIMINUAN SKUADRA TË MËDHA
Një e përbashkët tjetër e “binjakëve” të golit, madje më e rëndësishmja, sepse të dy kanë nënshkruar me “gjuhën” e golit, është ajo e eliminimit nga Kupa e Kupave të Evropës e super skuadrës rumune Dinamo e Bukureshtit, që drejtohej nga trajneri i njohur Mirçea Luçesku. Në përballjen e 16 shtatorit 1986 në “Qemal Stafa”, ka qenë Kola në minutën e 70-të që ka shënuar të vetmin gol të fitores minimale 1-0, dhe dy javë më vonë, më 1 tetor, ka qenë Minga me golin e tij në minutën e 2-të, që i ka hapur rrugën fitores së bardhebluve, e thelluar në minutat e fundit në 2-0 nga Josa. Rumunët kanë shkurtuar diferencën me anë të Kamatarut, por ishte vonë. Bardheblutë i kanë shtuar numrit të fitoreve në arenën evropiane edhe një sukses tjetër. Dinamo e Bukureshtit mbetet jashtë kompeticionit evropian, kurse trajneri i saj Luçesku shkarkohet. Tre vite më vonë, më 18 tetor 1989 në “Olimpic Stadion”, në ndeshjen e kthimit për Champions League me bavarezët e Bajern të Mynihut, falë një kombinacioni perfekt me Kolën, Minga ka barazuar shifrat 1-1, me një gol spektakolar, por më pas gjermanët thellojnë shifrat në 3-1.
Vetëm dy muaj më parë ka ardhur në jetë Arben Minga nga Agustin Kola, pikërisht më 16 mars 1959 ka lindur ai, dhe më 10 maj 1959 ka ardhur në jetë Agustini. Në atë kohë, familja e Ilo Mingës banonte pikërisht aty, te blloku “Mine Peza”, ku u kultivua talenti i Kolës
Mund të vijonim gjatë me të përbashkëtat e dyshes Minga-Kola, dhe jo vetëm për golat e shënuar nëpër takime ndërkombëtare, por edhe në fitore të rëndësishme në veprimtari kombëtare, si në kampionate e kupa. Por, ata edhe rrugën sportive e filluan të dy njëherësh

Rrugën sportive e filluan të dy njëherësh 
Të përbashkëtat e dyshes Minga-Kola, nuk i gjejmë vetë për golat e shënuar nëpër takime kombëtare e ndërkombëtare, por edhe për faktin se rrugën sportive e filluan të dy njëherësh. Fanellën e ekipit të parë bardheblu e veshën thuajse në të njëjtën kohë, edhe atë kuqezi fillimisht me Shpresa U-21 kur u shpallën kampione të Ballkanit më 1978 pas shpartallimit 7-1 që i bënë Rumanisë. Emigracionin e provuan në të njëjtin vit 1991, Beni në Rumani kurse Agustini në Greqi, dhe u kthyen në të njëjtin vit, 1994, për të fituar sërish tituj të tjerë kampionë me fanellën bardheblu, të cilën vetëm kur luajtën jashtë atdheut e “tradhtuan”. Por, edhe u larguan të dy së bashku, më 25 dhjetor 1997. “Binjakë” të paharruar, aktualisht të papërsëritshëm!
Ceremonia e lënies së futbollit, së bashku 20 vite më parë
Ceremonia e ndërprerjes së aktivitetit futbollistik për “binjakët e golit”, kurrsesi nuk mund të mendohej e realizuar veçmas njëri tjetrit. “Nuk mund të imagjinohej, – kujton Agustin Kola. Madje i përlotur për shokun e tij, Ben Minga që nuk e ka më pranë. “Nuk do të kishte kuptim dhe nuk do të na e falte kush. Bashkë e kemi filluar futbollin tek Tirana dhe bashkë do ta linim”. Dhe ashtu ka ndodhur. Kanë kaluar njëzet vite nga ajo mbrëmje e 25 dhjetorit 1997, e cila përkonte me festën e Krishtlindjeve. Ceremonia festive që u organizua dhe u drejtua nga i paharruari Mirjam Hakani në stadiumin “Qemal Stafa”, ku mijëra shikues përshëndetën në një super spektakël sportivo-artistik, idhujt e tyre “binjakët” e golit Minga e Kola.
Arben Minga
Datëlindja: 16 mars 1959/ Vendlindja: Tiranë
Arsimi: Universiteti i Tiranës, Merceolog
Roli në fushë: Sulmues/ Numri në fanellë: 10
Skuadrat me të cilat është aktivizuar: SK Tirana (1976-1991), FC Brashov (Rumani 1991-1992), Dacia Braila (Rumani 1992-1993), FC Giorgiu (Rumani 1993-1994), SK Tirana 1994-1995 dhe 1995-1996.
Trofe me Tiranën: Kampionate 6, në sezonet 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, 1994-1995, 1995-1996; Kupa të Shqipërisë 5, në 1977, 1983, 1984, 1986, 1996; Superkupa të Shqipërisë: 1 në 1994; Kampion i Ballkanit me Kombëtaren Shpresa U-21, viti 1978; Këpuca e Artë: 1984-1985.
Me ekipin Kombëtar: Luajtur në 28 ndeshje, 2 gola. Ndaj Belgjikës më 22 dhjetor 1986 në minutën e 88-të në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Belgjikë 2-0, ndaj Greqisë më 18 janar 1989 në minutën e 19-të’ në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Greqi 1-1.
Tituj personalë: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi Sportit Shqiptar”, “Nderi i qytetit të Tiranës”,”Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, në “Librin e Artë” të Klubit të Futbollit “Tirana”.
Përjetësimi: Një rrugë në njësinë administrative nr. 3 mban emrin “Arben Minga”
U nda nga jeta: më 30 janar 2007 në Windsor (Kanada)
Agustin Kola
Datëlindja: 10 maj 1959/ Vendlindja: Tiranë
Arsimi: Universiteti i Sporteve, specialiteti, Futboll
Roli në fushë: Sulmues/ Numri në fanellë 11
Skuadrat me të cilat është aktivizuar: SK Tirana (1976-1990), në kampionatin grek me ekipet: Egahia, Kalkiva të Athinës dhe me Janinën nga viti 1991-1995, SK Tirana 1994-1997.
Trofe me Tiranën: Kampionate 7, në sezonet 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997; Kupa të Shqipërisë 5, në 1977, 1983, 1984, 1986, 1996; 
Superkupa të Shqipërisë 1, në 1994; Kampion i Ballkanit me Kombëtaren Shpresa U-21, viti 1978; Këpuca e Artë: 2 herë 1987-1988 dhe 1988-1989.
Karriera si trajner: Me Tiranën kampion në sezonin 2008-2009
Me Kombëtaren: 22 ndeshje, 1 gol. Ndaj Polonisë më 31 tetor 1984 në 76′ në stadiumin “Stal” të Mielec në ndeshjen Poloni-Shqipëri 2-2.
Titujt personalë: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi Sportit Shqiptar”, “Nderi i qytetit të Tiranës”, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, në “Librin e Artë” të Klubit të Futbollit “Tirana”
Sigal