Milto Monka: Më shumë skuadra, më shumë kënaqësi për futbollin superior

652
Nga Agron KAJA
KËNDVËSHTRIM/ Për ndeshjet e javës së 36-të të Kategorisë Superiore, flet specialisti i futbollit beratas
Edhe në Berat, ndjeshmëria për ndeshjet e Kategorisë Superiore ka qenë e madhe, madje edhe nga ish-futbollistë të Tomorit që kanë luajtur në elitë vite të shkuara. Kështu ka ndodhur të shtunën me ish-futbollistin beratas të viteve 1970-1985, Milto Monka, i cili në emocionet e tij për gazetën “Telegraf”, deklaroi se, edhe pse përfaqësimi i Tomorit në kategori inferiore, nuk ja ka zbehur dëshirën për ta ndjekur Kategorinë Superiore. “Mbi të gjitha është pasioni, e më pas janë kushtet ato që më mundësojnë të jem pranë futbollit shqiptar elitar. Ndoshta skuadra e Tomorit na ka bërë pak më të tërhequr, por gjithsesi, si specialist futbolli unë ritmikisht kam qenë dhe jam në ndjekje të futbollit shqiptar. Ditën e shtunë kam qenë në mesin e disa ish-futbollistëve të Tomorit ndër vite, ku për Tiranën mund të them se e ktheu historinë së prapi”, kështu deklaroi fillimisht specialisti i futbollit beratas Milto Monka, i cili më pas, duke e krahasuar me periudhën në të cilën ai luajti si futbollist, ndryshimin e quan edhe si një detyrim për tu përshtatur standardeve të kohës. “Nuk ka krahasim ky futboll sot me atë që ne patëm fatin ta luanim vite më parë, por që secili ka bukurinë, të mirat e mangësitë e kohës. Duke qenë sot në një Kategori Superiore, duhej që niveli e cilësia të ishin më të lartë. Vërtet janë 10 skuadra në përbërje, por duke qenë se hyjnë e dalin disa që ja zbehin vlerat garës, ndoshta duhet parë një formulë me më shumë skuadra. Më shumë skuadra, do të kishte më shumë kënaqësi për futbollin superior”. Ndërkohë që ish-sulmuesi i Tomorit mendon se futbolli shqiptar do të ketë rritje në vazhdimësinë e viteve, duke theksuar se edhe futbolli duhet të shkojë në Evropë. “Mendoj se e ardhmja në futbollin tonë duhet të ketë rritje në nivel e cilësi. Sa më shumë i afrohemi Evropës si qytetarë, aq më shumë duhet që të rritet futbolli shqiptar. Tashmë duket se po konsolidohet një autoritet nga Kombëtarja, por që nivelet e tjera brenda Shqipërisë duhet të shikojnë gjithçka në syrin kritik, për përmirësimin real”, përfundoi në deklarimin e tij specialisti i futbollit beratas, Milto Monka.
Golashënuesit/ Pejiç, e treta “Këpuca e Artë”
Për sulmuesin kroat të Kukësit, Pero Pejiç, edicioni 2016-2017 ka qenë dyfish i fituar. Përveç Titullit Kampion që skuadra kuksiane fitoi, për herë të parë në historinë e saj, Pejiç shpallet golashënuesi më i mirë i kësaj Superioreje me 28 gola të shënuar. Diferenca me ndjekësin më të afërt, Kaleb Ekuban të Partizanit, ka qenë e ndjeshme me 11 gola më shumë, ndërkohë që me golashënuesin e sezonit të kaluar, Hamdi Salihin e Skënderbeut, Pejiç është para me 13 gola. Futbollisti kroat, ka luajtur me Dinamon, Tiranën, Flamurtarin, Skënderbeun e Kukësin, ndërkohë që në sezonin 2013-2014 ka dalë kryegolashënues me 20 gola, dhe në sezonin 2014-2015 me 31 gola. Kjo është hera e tretë që ai fiton trofeun “Këpuca e Artë” në Kategorinë Superiore.
GOLASHËNUESIT
28 gola: P. Pejiç (Kukësi)/ 17 gola: K. Ekuban (Partizani)
15 gola: H. Salihi (Skënderbeu)/ 11 gola: L. Latifi (Skënderbeu), T. Bushiç (Flamurtari)
9 gola: D. Bregu (Luftëtari), A. Taku (Tirana)
8 gola: Xh. Adeny (Slënderbeu), I. Batha (Partizani), I. Emini (Kukësi), Rexhinaldo (Luftëtari), D. Shkodra (Flamurtari)/ 6 gola: E. Bakaj, N. Shtubina (Vllaznia)
5 gola: A. Çyrbja (Teuta), S. Plaku (Korabi), B. Telushi (Flamurtari)

4 gola: D. Alvesh (Flamurtari), I. Edeh, Ndockyt M (Tirana), R. Hebaj (Vllaznia), B. Ramadani (Luftëtari), A. Ribaj (Teuta)/ 3 gola: K. Abazaj (Luftëtari), A. Torrasa (Partizani), B. Akuino, F. Jonuzi, E. Mensah (Laçi) M. Sise (Tirana), B. Jashanica, Gj. Muzaka (Skënderbeu), A. Tafili (Vllaznia), I. Galiç (Flamurtari), A. Magani (Teuta)/ 2 gola: J, Bardhi, G. Krasniqi (Partizani), E. Bojom, E. Lamçja (Luftëtari), E. Çinari, E. Gurishta (Vllaznia), T. Cmajcanin, N. Gripshi, G. Progni (Teuta), I. Edeh, E. Hoxhallari (Tirana), C. Elton, S. Guri , K. Lushtaku (Kukësi), E. Kaja (Korabi), B. Lulaj, R. Lushnkja, H. Qaqi (Laçi), B. Nimaga (Skënderbeu), A. Shehaj, F. Veliu (Flamurtari), Xh. Sukaj, L. Trashi (Partizani), E. Rroca (Luftëtari)
1 gol: Kanë shënuar 54 futbollistë
“Fanatics”-at, video ironizuese me Presidentin Refik Halili
Rënia në Kategorinë e Parë, nuk po përjetohet mirë nga grupimi “Tirona Fanatics”, të cilët, pas ultimatumit të ditës së shtunë ndaj presidentit të Tiranës, Refik Halili, kanë postuar dje një tjetër mesazh, këtë radhë me tone ironizuese ndaj tij. Në një video shfaqet pjesë nga një intervistë e Halilit i cili thotë “Unë klubin sot e shikoj biznes”. Pamjet filmike shoqërohen edhe me deklarata të legjendave bardheblu ndër vite, të cilët shprehin dashurinë e tyre për Tiranën, duke kujtuar se si ajo ishte një familje e madhe, ndërsa në sfond dëgjohet në përsëritje zëri i Halilit dhe fraza e tij.
Do largohet trajneri Josa nga Tirana?
Pas rënies së Tiranës në Kategorinë e Parë, trajneri Mirel Josa duket se është drejt largimit nga bankina bardheblu. Për të mos thënë që në mendjen e tij është i larguar, ndaj burime në klubin bardheblu konfirmojnë për gazetën “Telegraf”, se ai mundet që të largohet edhe para ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë që do të luhet më 31 maj kundër Skënderbeut. Kjo mund të ndodhë, nëse presidenti Refik Halili vendos që të marrë ndonjë vendim ekstrem, pasi edhe trajneri ka pjesën e tij të përgjegjësisë në këtë dështim, dhe largimi i tij është vetëm çështje kohe. Mirel Josa e mori drejtimin e Tiranës në fazën e dytë, dhe në 18 ndeshje grumbulloi 12 pikë, aq sa në fazën e dytë. 
Sigal