Mikel Janku: Te Partizani, lëvizja e trajnerit nuk është kura e vetme për përmirësim

640
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Partizanit dhe i Kombëtares, ja analiza që i bën skuadrës “mëmë” në 13 javët e Kategorisë Superiore
Pas largimit nga bankina e Partizanit të italianit Iuliano, me Starovën ka marrë 9 pikë, mendoni se ndryshimi ishte i domosdoshëm?
Ndryshimi në bankinën e Partizanit erdhi natyrshëm. Ky progres i skuadrës mund të vinte edhe me Iulianon, ndaj mendoj se nuk do të ishte korrekte që të veçonim emra për situatën që skuadra kaloi në fazën e parë. Me Starovën u veprua mirë, por ai duhet të jetë më i kujdesshëm në sjelljet e tij gjatë ndeshjeve dhe veprimi i tij tre ndeshje më parë ishte i padrejtë.

Tashmë ju e mendoni një Partizan në gjendjen e tij më të mirë të mundshme?
Partizani do të vijë në ngjitje graduale të formës së tij, dhe aktualisht nuk është më e mira që pritet nga kjo skuadër e madhe. Por, që të ketë më shumë progres, i duhet të ndryshojë mënyrën e lojës së tij. Këtu ka pasur mangësi në disa ndeshje, madje edhe me skuadra të quajtura të vogla.

Çfarë ka ndryshuar Partizani post-Iulianos?
Nuk mund të them ndonjë përmirësim të madh, për deri sa ka një sulmues të mirë paguar me 20 mijë euro në muaj, i cili pretendon se është i dëmtuar dhe nuk aktivizohet. Dhe pikërisht në sulm i ka mangësinë kryesore, edhe pse ndaj Lushnjes u shënuan 3 gola.

Ndoshta edhe për këtë fakt nga klubi është deklaruar për përforcime të fuqishme në muajin janar, ju jeni i këtij mendimi?
Me gjendjen që ka, te Partizani duhet një merkato, por do të uroja që të mos bëhet si ajo e stinës së verës. Kësaj skuadre i duhet një sulmues që ta tërheqë në finalizim, i cili deri në këto 13 javë të luajtura, ende nuk është shfaqur.

Po mesfusha, aktualisht është e mbipopulluar dhe pa kualitete?
Unë shoh se, te Partizani ka mesfushorë, por nuk ka organizatorë që ta marrin në dorë lojën e skuadrës. Ndaj edhe këtu do ti duhet që të ndërhyjë gjatë merkatos së janarit, sepse boshti duket jo i plotë, vetëm me Hoxhën të sigurt në portë.

Ju mendoni se, Partizani pas merkatos së janarit do të jetë më i qartë në rrugën e synimeve?
Duhet ta ketë në qendër të vëmendjes merkaton, sepse me plotësimet që i ka të nevojshme, do të ketë mundësinë që të arrijë një renditje më të mirë. Për titullin kampion nuk mendoj se bëhet fjalë, por për një vend në zonën e Evropës, besoj se do të jetë e mundur.

Nga Iuliano, te Preiti e Moxhi, mendoni se Partizani “italian” ishte një guxim i dështuar?
Partizani nuk duhet të përfundonte në atë nivel siç ishte disa javë më parë, niveli që dhanë ish-drejtuesit italianë që u larguan. Duhet që të shmangë trajnerët që emrin e madh e kanë si ish-futbollistë. Lëvizja e trajnerit, nuk mendoj se është kura e vetme për përmirësimin e situatës.

Të dielën Partizani pret Teutën në “Selman Stërmasi”, si e mendoni këtë takim?
Duhet doemos fitore. Besoj se gjatë kësaj jave, Starova e ka ndërtuar strategjinë e fitores, dhe deri të dielën ai ka mundësinë që të gjejë brenda skuadrës vlerat më të mira që do ti garantojnë suksesin në këtë sfidë.
Partizani do të vijë në ngjitje graduale të formës së tij, dhe aktualisht nuk është më e mira që pritet nga kjo skuadër e madhe. Por, që të ketë më shumë progres, i duhet të ndryshojë mënyrën e lojës së tij. Këtu ka pasur mangësi në disa ndeshje, madje edhe me skuadra të quajtura të vogla 

KATEGORIA SUPERIORE
Oraret e ndeshjeve të javës së 14-të, nuk “gjejnë veten”
Pas mbylljes së ndeshjes Luftëtari-Flamurtari 1-1, FSHF-ja publikoi datat dhe orët e ndeshjeve të javës së 14-të. Me dy ndeshje të shtunën dhe tre të tjerat të dielën, ishin të përcaktuara orët 14:00 dhe 17:00. Por, dje me anë të një njoftimi zyrtar, FSHF-ja i ka bërë zbritje me nga 1 orë të gjitha ndeshjeve. Kështu, Kukësi-Lushnja, Laçi-Skënderbeu dhe Kamza-Luftëtari do të luhen në ora 13:00, ndërsa ndeshjet Flamurtari-Vllaznia dhe Partizani-Teuta do të luhen në ora 16:00.
Ndeshjet-Java e 14-të
Të shtunën, 09.12.2017 
Kukësi-Lushnja 13:00
Flamurtari-Vllaznia 16:00
Të dielën, 10.12.2017 
Laçi-Skënderbeu 13:00
Kamza-Luftëtari 13:00
Partizani-Teuta 16:00 
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 13 31
2. Kamza 13 23
3. Kukësi 13 22
4. Flamurtari 13 22
5. Laçi 13 18
6. Partizani 13 18
7. Teuta 13 15
8. Vllaznia 13 12
9. Luftëtari 13 10
10. Lushnja 13 5
Sigal