Migen Memelli, një “sheik” shqiptar në Arabinë Saudite

843
Sigal

Dy herë fituesi i “Këpucës së Artë” të Superligës firmosi pak ditë më parë për Al-Faisalin

Migen Memelli nënshkroi para disa ditësh me Al-Faisalin, klubi nga Arabia Saudite, me të cilin sulmuesi pogradecar ka luajtur edhe në sezonin 2010-2011. Sulmuesi i fuqishëm është dy herë fituesi i “Këpucës së Artë” të Shqipërisë, si golashënuesi më i mirë i sezoneve 2008-2009 me Tiranën (me të cilin fitoi dhe titullin kampion) dhe 2012-2013 me Flamurtarin. I vlerësuar për grintën dhe rendimentin e tij në lojë, ai ishte i shumëkërkuar në merkaton shqiptare, por sulmuesi 33-vjeçar pranoi ofertën nga Arabia Saudite. Memelli, përveçse se ka luajtur me Al-Faisaly, ka veshur edhe fanellën e Al-Tauon në Arabinë Saudite. Ish-sulmuesi i Kombëtares ka luajtur edhe në Norvegji me Bran Bergen dhe në Suedi, me Gaisin. Memelli është autori i mbi 130 golave ka veshur edhe fanellën e Skënderbeut, Teutës, Elbasanit, Laçit dhe Flamurtarit është autor i golit më të shpejtë në kampionatet shqiptare, pas vetëm 8 sekondash lojë, në fitoren 2-1 të Tiranës në Vlorë (2009).

– Migen, sërish në Arabi Saudite dhe sërish te Al-Faisali. Përse nënshkruat aty?

– Për një futbollist profesionist, transferimi në klub tjetër, qoftë dhe ky i huaj është pjesë e jetës së tij futbollistike. Për mua është një rikthim në një vend dhe një futboll që e njoh mjaft mirë. Kam luajtur me Al-Faisalin në sezonin 2010-2011. E konsiderova si një shans të fundit për të luajtur edhe një herë tjetër jashtë Shqipërisë. Dhe them se nuk kam gabuar.

– Shënuat 15 gola në 24 ndeshje me Al-Faisalin, duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit…

– Po, është e vërtetë. Në sezonin tim të parë, në Arabinë Saudite, me Al-Faisalin, që në atë kohë drejtohej nga ish-trajneri i Dinamos sonë, kroat Zlatko Daliç, u shpalla golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit arabosaudit. Këtë vit kemi një trajner belg. Edhe në këtë sezon të ri, objektivi im është të shënoj të paktën 12 gola.

– Eksperienca me Al-Tauoon nuk ishte dhe aq pozitive sa me Al-Faisalin, apo jo?

– Me Al-Taauon pata një sezon më të vështirë, sidomos në fillim, pasi kalova një dëmtim. Pjesën tjetër bëra një edicion të mirë.

 – Si do ta vlerësonit futbollin e Arabisë Saudite?

– Futbolli në Arabinë Saudite po njeh rritje, pasi atje po shkojnë në vazhdimësi disa nga lojtarët më të njohur në Europë.

– Kampionati në Arabi nis të dielën. Cilat janë synimet e Al-Faisalit?

– Duke parë dhe përbërjen e skuadrës sonë, por dhe rivalët në kampionat, synimi është të jemi në mesin e artë të tabelës, pra midis tetë ekipeve të para. Ndeshja jonë e parë është në shtëpi, kundër Al-Ahli, që kampionatin e kaluar u rendit në vendin e pestë, ndërsa Al-Faisali në të 11-in nga 14 ekipe që ka Pro Liga arabe.

Tre shqiptarë tek Al-Faisaly, ju, Gilman Lika si dhe trajneri i portierëve, Arben Kasolli. Një “Shqipëri” e vogël në Arabi, apo jo?

– Po, këtu jemi tre shqiptarë: unë, Gilmani dhe Ben Kasolli. E konsideroj shumë pozitive këtë fakt. Kjo dhe për faktin se jemi vetëm katër lojtarë të huaj në skuadër përshirë dhe një brazilian dhe një jordanez. Përsa i përket Arben Kasollit, dihen vlerat e tij si trajner portierësh. Ai ka akademinë e tij në Holandë, në një nga vendet me futboll shumë të zhvilluar. Në klub e vlerësojnë shumë, edhe pse ka pak ditë që ka ardhur.

– Nëse për ju, Arabia Saudite është si shtëpia e dytë, për Gilmanin është hera e parë. A është ambientuar ai shpejt?

– Ashtu si për këdo, edhe për Gilmani, ambientimi ishte vetëm një çështje kohë. Gilmanin e vlerësoj si një lojtarët më të mirë në skuadër. Besoj se, do të lërë gjurmë të Al-Faisali.

– Arabia Saudite është kampionati i tretë i huaj për ju, pasi me parë keni luajtur edhe në Norvegji dhe Suedi.

– Me Bran Bergenin në Norvegji kam pasur një periudhë shumë të mirë. Fitova shumë në aspektin profesional në rang ndërkombëtar. Shënova gola të cilët më bënë me emër në mediave vendase, por dhe në Skandinavi. Ndoshta më ka ecur dhe fati, pasi shënova katër gola në Kupën UEFA, madje tre në një ndeshje të vetme. Më pas u transferova në Suedi te Gais, një ekip me emër në atë vend.  Në fakt, atje pata disa dëmtime radhazi që nuk më lejuan të jepja atë që dëshiroja dhe kisha mundësi.

Tre shqiptarë në një skuadër arabe

Ajo që e bën akoma dhe më interesant klubin nga Arabia Saudite, ka të bëjë me faktin se aty luan edhe mesfushori shkodran, Gilman Lika, ndërkohë që vetëm tri ditë më parë firmosi dhe trajneri i portierëve, Arben Kasolli, themeluesi i Akademisë “Goalkeeping Kasolli Acadamy”, në Holandë. Pra, tre shqiptarë në një klub arab, gjë që nuk ndodh shpesh.

Zmijani, shqiptari i pari në Arabi

Mbrojtësi i famshëm shkodran, Hysen Zmijani, është lojtari i parë shqiptar që ka luajtur në Arabinë Saudite. Zmijani ka qenë pjesë e Al-Nassr në sezonin 1994-1995.

Sukaj dhe Bulku te Sepahani i Iranit

Në Iran, me Sepahanin, luajnë dy lojtarë shqiptarë: mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku dhe sulmuesi Xhevair Sukaj. Sezonin e kaluar fituan Kupën e Iranit.

STATISTIKAT E MEMELLIT

10 skuadra në karrierë

Gjatë karrierës së tij, nga viti 2000, Migen Memelli ka veshur fanellën e 10 skuadrave: gjashtë në Shqipëri, dy në Arabinë Saudite dhe nga një në Suedi dhe Norvegji.

8 sekonda dhe… gol

Migen Memelli shënoi në sezonin 2008-2009 ndaj Flamurtarit edhe golin me të shpejtë të kampionatit kur realizoi pas vetëm 8 sekondash lojë në takimin e zhvilluar në Vlorë

5 gola në 90 minuta

Memelli mban një rekord origjinal në edicionin 2008-2009 të Kupës. Shënoi pesë gola në fitoren 5-0 të Tiranës kundër Lushnjës në 1/8 e finaleve: 36’, 63’, 67’, 82’ (11-m), 88’.

Dy “Këpuca të Arta”

Sulmuesi pogradecar e ka fituar dy herë “Këpucën e Artë”: me Tiranën në sezonin 2008-2009 me 22 gola dhe, me Flamurtarin në sezonin 2012-2013 me 19 gola.

Ndeshja e parë, goli i parë

Ekipi i parë është Skënderbeu, ndërsa ndeshja e parë ka qenë ajo kundër Flamurtarit, 12 vjet më parë (25 tetor 2000), e mbyllur 2-1 (java e 5-të) në Korçë dhe për fat ai shënoi golin e fitores.

Sampdoria i thotë “Jo” Ujkanit

E ardhmja e Samir Ujkanit vazhdon të mbetet mister, pavarësisht se portieri i Kombëtares shqiptare është pjesë e Palermos. Sipas të përditshmes sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, Sampdoria i ka thënë “Jo” interesimit për Samir Ujkanin. Kosovari shpenzoi pjesën e dytë të sezonit i huazuar te Kievo, por ai nuk u aktivizua asnjë minutë me verdheblutë, çka ka bërë që kreditet e tij të bien shumë. Edhe në pjesën e parë të sezonit te Palermo, edhe pse ishte titullar bëri shumë gafa, duke treguar pasiguri dhe u konsideruar fajtor në edicionin e dobët të siçilianëve, tashmë në Serinë B. Gjithsesi, Ujkani mund të gjejë një destinacion të ri deri në përfundim të merkatos, që përfundon me 31 gusht.

Disiplina “rehabiliton” Ramadan Ndreun

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Shqipërisë “rehabilitoi” trajnerin Ramadan Ndreun. Tekniku krutan ishte dënuar me përjashtim përjetë nga detyra e trajnerit në prill të vitit 2002, pasi disa incidenteve me skuadrën e Skënderbeut dhe delegatin e FSHF-së. Bazuar në kerkesën e paraqitur pranë këtij Komisioni dhe fakteve te reja, Komisioni i Disiplines vendosi pezullimin e dënimit me kusht për 12 muaj te trajnerit Ramadan Ndreu, bazuar ne nenin 33 pika 4 dhe 5 dhe nenin 133 të KDS-së.