Migen Memelli: Në Shqipëri kanë humbur golashënuesit, tek Akademitë nuk punohet mirë me të rinjtë

626
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”ish-kryegolashënuesi i Superiores, që në karrierë ka luajtur në 8 skuadra shqiptare dhe në 5 të huaja
Si i përshkruani rezultatet e javës së 19-të, të pritshme apo surpriza?
Të gjitha ndeshjet ndryshojnë, për çka u fiksuan dhe në rezultate. Nëse Skënderbeu mund të pritej me fitore ndaj Flamurtarit, Kamza nuk mendohej të fitonte në Kukës, dhe Laçi nuk pritej të barazonte me Partizanin. Të dyja nuk janë skuadra surprizë, për vetë renditjen që kanë aktualisht. 

Në cilën ndeshje mbetet i zhgënjyer nga rezultati?
Zhgënjim ishte Kukësi, i cili nuk po tregon nivelin e një kampioni në fuqi. Partizani nuk mund të them se po zhgënjen, sepse ata njerëz që punojnë në atë klub vetëm zihen mes tyre, që do të thotë se këto janë mundësitë aktuale. Duke mos u marrë vesh ata, e ka pësuar skuadra, e cila po i largohet shumë zonës që të çon në Evropë.

Ju e përjashtoni mundësinë e ndonjë rezultati të paracaktuar në javën e 19-të?
Nëse do të hyjmë vetëm në logjikën e rezultateve, edhe mund të ketë ndonjë hamendje. Por, duke vënë në funksion logjikën profesionale, përjashtoj çdo mundësi paracaktimi në rezultatet. Për mua ishin në rrjedhën logjike të lojërave, dhe aspak të paravendosura.

Po arbitrat, mund të kenë pasur ndikim në rezultate, përderisa Kukësi protestoi fuqishëm ndaj gjyqtarit në humbjen me Kamzën?
Nuk e besoj, dhe nuk e kuptoj pse duhet të kapen me arbitrat. Sepse po t’i referohemi kësaj ndeshjeje (Kukësi-Kamza 0-1), kuksianët nuk ishin superiorë ndaj kundërshtarit, dhe pa të drejtë iu përveshën arbitrit, për të cilin unë mendoj se nuk kishte asnjë faj. Justifikimi është për njerëzit e dështuar.

Me këto rezultate, nga kreu në fundin e renditjes, i mendoni dy skuadrat tashmë të përcaktuara?
Për kreun, edhe po, edhe jo, ndërsa për fundin, mendoj se Lushnja tashmë duhet të mendojë për një skuadër më dinjitoze në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Nëse Skënderbeu i fiton tre ndeshjet e radhës, atëherë mund të themi se e ka siguruar titullin.

Kjo javë pati edhe largime trajnerësh, çfarë tregon për ju kjo situatë?
Ka një shprehje se: “Anijen e braktis i fundit kapiteni”, ndërsa në futboll po ndodh e kundërta e saj. Trajnerët që japin dorëheqjen, mendoj se duhet të jenë më të përgjegjshëm për rezultatet që arrijnë, në raport me skuadrën që kanë. Në Shqipëri, më shumë njerëzit kërkojnë të largohen nga përgjegjësia, por në fund të fundit, kampionati ende nuk ka përfunduar.

Si një ish-sulmues e kryegolashënues, si e shikon faktin që ky repart duket difektoz në raport me nivelin që kërkon Kategoria Superiore?
Me çka po shohim, në Superiore kanë humbur golashënuesit, nuk ka më emra që e zgjidhnin situatën në skuadra me gola nga ndeshja në ndeshje. Edhe pse në disa skuadra ka lojtarë që e njohin portën kundërshtare, goli mbetet mangësia më e madhe e kësaj Kategorie Superiore.
Ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë që do të luhen të mërkurën, të gjitha janë të hapura në rezultate. Por, edhe nëse Luftëtari fiton, kualifikimin do ta ketë të vështirë. Ndërsa Partizani do të djersitë shumë për t’u kualifikuar me Flamurtarin, e po kështu edhe Kukësi ndaj Tiranës
Trajnerët në Superioren 2017-2018 
Skënderbeu: I. Daja; Flamurtari: Sh. Duro; Kukësi: M. Milinkoviç+P. Pakult; Kamza: R. Ndreu; Laçi S. Nica+G. Mezani; Partizani: M. Iuliano+S. Starova; Fernandez+H. Lika; Teuta: G. Magani+ S. Nica+; Vllaznia: A. Cungu+A. Gjoka; Lushnja: A. Bano+H. Dedja
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 20-të
Të dielën, 18 shkurt 2018
Laçi-Luftëtari 14:00
Kamza-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Lushnja 17:00
Vllaznia-Teuta 17:00
Të hënën, 19 shkurt 2018 
Partizani-Kukësi 18:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 19 43
2. Flamurtari 19 32
3. Kukësi 19 29
4. Kamza 19 29
5. Laçi 19 29
6. Partizani 19 28
7. Luftëtari 19 26
8. Vllaznia 19 18
9. Teuta 19 17
10. Lushnja 19 10
Sigal